LAJMI I FUNDIT:

Theret për vdekje 15-vjeçari në Gramsh të Elbasanit

Theret për vdekje 15-vjeçari në Gramsh të Elbasanit

Një 15-vjeçar ka vdekur në Gramsh të Elbasanit pasi ishte therur me thikë për të shkak të një konflikti të çastit mes pesë adoleshentëve.

Këtë e ka konfirmuar Policia e Shtetit, ndërsa rasti ka ndodhur rreth orës 13:30.


“Rreth orës 13:30, në lagjen ‘Sport 2’, Gramsh, në rrugë, pas një konflikti të çastit mes 5 adoleshentëve është plagosur rëndë me mjet prerës (thikë), njëri prej tyre, shtetasi F. B., 15 vjeç, i cili pasi është dërguar në spital, ka humbur jetën për shkak të dëmtimeve”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Shërbimet e Policisë, me marrjen e njoftimit, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Pas ndjekjes nga Policia, janë kapur dhe janë shoqëruar në Komisariat, 4 adoleshentët (ndërmjet tyre dhe autori) e përfshirë në konflikt, konkretisht shtetasit E. K., 15 vjeç, A. C., 14 vjeç, O. C., 14 vjeç dhe S. M., 15 vjeç të cilët do të merren në pyetje nga specialistët për Hetimin e Krimeve, në prani të prokurorit, të psikologut dhe të prindërve të tyre.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje dhe përcaktimin e autorësisë së ngjarjes.

“Në përfundim të veprimeve, do të ketë njoftim për arrestimin e autorit dhe për masat që do të merren për 3 shtetasit e tjerë të shoqëruar”, thuhet më tej. /Telegrafi/