Nga: Gideon Rachman / The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
“Fshihe shkëlqimin, prite kohën tënde”. Kjo këshillë e famshme e Deng Xiaopingut, i ka shërbyer mirë Kinës gjatë 40 vjetëve të fundit. Lideri Deng – politikat ekonomike të të cilit e transformuan Kinën – e kuptoi se nëse vendi i tij do të bëhej më i pasur dhe më i fortë, duhet të shmangte konfrontimin me Perëndimin.
Por, Xi Jinpingu – që ka udhëhequr Kinën që nga viti 2012 - ka vendosur fundin e epokës “prite kohën tënde”. Ai flet për një Kinë që “guxon të luftojë”. Edhe nëse Jinpingu nuk e thotë fjalë për fjalë se vendi i tij duhet të shkojë në luftë, ka sinjalizuar – me fjalë dhe me vepra – se Pekini është i gatshëm të përballet me rivalët ndërkombëtarë.
Xi pretendon se politikat e tij janë përgjigje ndaj agresionit amerikan. Në fjalimin në të cilin i bëri thirrje popullit kinez që të “guxojë të luftojë”, e akuzoi ShBA-në se po e ndjek politikën e “frenimit dhe të shtypjes” së Kinës.
Por, diagnoza e tij për situatën e Kinës, në tri aspekte thelbësore është e gabuar. I keqkupton qëllimet amerikane. E mbivlerëson kërcënimin që politikat e ShBA-së paraqesin për ekonominë e Kinës. Dhe, i nënvlerëson rreziqet e konfrontimit me Amerikën.
Zyrtarët dhe studiuesit kinezë shpeshherë privatisht argumentojnë se ShBA-ja po përpiqet të pengojë ngritjen e vendit të tyre, duke e joshur Kinën në një luftë për Tajvanin. Por, edhe nëse një kurth i tillë do të hidhej në Uashington (gjë që nuk është e vërtetë), do të kishte mënyrë më të lehtë për ta shmangur atë. Xi thjesht duhet të përmbahet nga sulmi apo nga bllokimi i Tajvanit.
Ashtu si japonezët para Luftës së Dytë Botërore, kinezët ankohen se ShBA-ja po përpiqet të mbysë ekonominë e tyre. Amerika e mohon çdo qëllim të tillë, duke argumentuar se kufizimet e saj në eksportet e teknologjisë synojnë ngushtimin e aftësisë luftarake të Kinës. Por, edhe nëse ShBA-ja do të kishte plan më të gjerë për ta penguar rritjen ekonomike kineze, çdo përpjekje e tillë mbase do të ishte e pasuksesshme.
Ashtu si shumica e vendeve, Kina i ka problemet e veta. Por, rritja ekonomike e vendit mbetet mbresëlënëse. Këtë vit parashikohet që Kina të jetë eksportuesi më i madh në botë i makinave, duke e zëvendësuar Japoninë.
Kina po ecën veçanërisht mirë me automjetet elektronike, të cilat do të dominojnë në të ardhmen. Bill Gates pohon se ka gjasa që ndalesa amerikane për eksportin e teknologjisë të jetë kundërproduktive, duke e inkurajuar Kinën që t’i zhvillojë shumë më shpejt aftësitë e veta. Themeluesi i Microsoft-it kohët e fundit më tha: “Nuk mendoj se ShBA-ja do të jetë ndonjëherë e suksesshme në parandalimin e Kinës që të ketë çipa të rëndësishëm”.
Drejtorët ekzekutivë të disa prej kompanive më të fuqishme të Perëndimit, si Tim Cook i Apple-it, e kanë bërë shumë të qartë se nuk e kanë ndërmend që të largohen nga Kina.
Si marksist i vetëshpallur, Xi duhet të kuptojë se fuqia politike globale rrjedh nga fuqia ekonomike. Për ta zgjeruar fuqinë dhe ndikimin ndërkombëtar, Kina nuk ka nevojë ta fitojë një luftë me armë. Tregtia, ndihma dhe investimet do ta kryejnë punën pa asnjë rrezik dhe pa gjakderdhje.
Janë më shumë se 120 vende në mbarë botën, partneri më i madh tregtar i të cilave është Kina – shumë më tepër se Amerika. Kjo Kinës ia jep një ndikim të konsiderueshëm.
ShBA-ja është e frustruar se pse kaq shumë kombe në “jugun global” janë neutrale për luftën në Ukrainë. Por, vendet që për tregti dhe investime po drejtohen gjithnjë e më shumë kah Kina – si Brazili apo Indonezia – për çështjet e mëdha ndërkombëtare do ta dëgjojnë të paktën më me kujdes Pekinin sesa Uashingtonin. Kjo është edhe më e vërtetë për vendet që kanë borxhe të mëdha ndaj Kinës, si Shri Lanka, Pakistani, Angola apo Zambia.
Ndikimin gjithashtu e shton shkathtësia e Kinës për ndërtimin e infrastrukturës së re. Një zyrtar amerikan psherëtin se Amerika nuk mund të konkurrojë me llojin e parave që Pekini mund të hedh në Azinë Juglindore. Dhe, ndikimi i Kinës shtrihet shumë më larg sesa kufijve të afërt. Kompanitë kineze aktualisht po i ndërtojnë sistemet e metros në kryeqytetet e Egjiptit dhe të Kolumbisë.
Pra, çfarë mund të shkojë keq? Përgjigja është e qartë – lufta. Kina ashiqare po përgatitet për ta pushtuar Tajvanin. Retorika nacionaliste e Jinpingut po e shkakton një përzierje të rrezikshme të arrogancës dhe të paranojës në Pekin. Studiuesi Tong Zhao shqetësohet se udhëheqësi i Kinës po “godet vetën” për Tajvanin.
Por, nëse Xi do ta tërhiqte këmbëzën në Tajvan – dhe Amerika hyn në konflikt, siç ka premtuar presidenti Joe Biden – udhëheqësi kinez do ta niste një Luftë të Tretë Botërore, me pasoja të pallogaritshme për vendin e tij dhe për botën më gjerë.
Edhe nëse Tajvani kapitullon me shpejtësi apo nëse ShBA-ja qëndron mënjanë, imazhi global i Kinës përgjithmonë do të transformohet. Çdo kompani apo vend perëndimor që aktualisht është neutral, do të duhet t’i bashkohet regjimit rigoroz të sanksioneve. Ekonomia e globalizuar do të copëzohet – me kosto të mëdha për të gjithë.
Pavarësisht rreziqeve të përfshira, Xi mund të besojë se pushtimi i suksesshëm i Tajvanit do t’ia siguronte atij një vend në librat e historisë, si lideri që e realizoi “përtëritjen e madhe të popullit kinez”.
Por, udhëheqësit që ia kanë hedhur një sy librave të historisë, shpeshherë zbulojnë se ngjarjet dalin jashtë kontrollit. Vladimir Putini është lideri i fundit i fortë që kuptoi se sa keq, tmerrësisht keq shkon shpresa për një luftë të shkurtër dhe të lavdishme. Putini e drejtonte një vend që – bazuar në fuqinë ekonomike – nuk mund ta aspironte më statusin e fuqisë së madhe. Xi ende e ka të hapur rrugën ekonomike, drejt madhështisë kombëtare. Do të duhej ta ndiqte këtë rrugë. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëBëhen bashkë pas dy vitesh Blero e Afrona Dika
“Thellohet misteri” – bleu apo jo SHBA-ja, 81 aeroplanë të vjetër sovjetikë nga Kazakistani?
Nga qershori Aeroportit të Prishtinës i shtohet edhe një linjë e re fluturimi
Roma 0-2 Bayer Leverkusen, nota e Granit Xhakës dhe të tjerëve
Çfarë thuhet në alarmin e NATO-s për aktivitetet 'armiqësore' ruse në Evropë?
Barcelona e hapur për të shitur yllin e madh të ekipit
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit
A di të ndalet ky Ronaldo? Çfarë goli me këmbën e majtë
Mohamed Salah thyen heshtjen në rrjetet sociale pas përplasjes që kishte me Jurgen Klopp
Të gjithë po pyesin për ritualin e Bellingham para çdo ndeshjeje – anglezi shpjegon përse e bën
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit