LAJMI I FUNDIT:

Prokurorja nuk e tregon motivin e vrasjes në Gllogjan, thotë se target ishte shoferi i autobusit

Prokurorja nuk e tregon motivin e vrasjes në Gllogjan, thotë se target ishte shoferi i autobusit

Një vit e gjysmë pas vrasjes tronditëse që ndodhi në Gllogjan, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar, konkretisht Kastriot e Kreshnik Mehmetaj nën dyshimet për bashkëkryerje në vrasje të rëndë si dhe për Halil Mehmetaj për veprën penale shtytje në kryerje të veprës penale.

Ndërsa, për Malsor Mehmetaj prokuroria ka vendosur që t’i pushojë hetimet pasi siç ka deklaruar prokurorja e rastit, Sahide Gashi, pas përfundimit të hetimit dhe shqyrtimit të provave, nuk është arritur që të vërtetohet se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, ngritet aktakuzë ndaj tre personave
Lexo po ashtu Vrasja e trefishtë në Gllogjan, ngritet aktakuzë ndaj tre personave

Në një konferencë për media të mbajtur të premten, Gashi ka deklaruar se pas të gjitha provave, fakteve, analizave forenzike dhe punës që është kryer përgjatë kësaj periudhe, ka dalë se cak i të dyshuarve ishte shoferi i autobusit i cili vdiq në mbrëmjen e 26 nëntorit.


“Janë siguruar incizime të të gjitha kamerave përgjatë rrugëtimit të autobusit të sulmuar. Janë marrë intervistat e para me pasagjerët e mbijetuar të autobusit, është nxjerrë profili i kryerësit dhe personave e viktimave të këtij rasti, dhe kemi ardhur në përfundim preliminar pas grumbullimit të të gjitha informatave, kemi arritur që të konstatojmë me besueshmëri të lartë se nuk ka pasur indikacione të sulmit terrorist. Cak i sulmit ka qenë shoferi i autobusit”, ka thënë prokurorja.

Ajo nuk ka pranuar të flasë saktësisht për rolin e tre tashmë të akuzuarve për vrasjen e trefishtë në Gllogjan të Komunës së Deçanit.

Gashi tutje ka thënë se ky krim paraprakisht ishte planifikuar në hollësi. E pyetur për motivet e kësaj ngjarje të rëndë, prokurorja është shprehur se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japë më shumë detaje.

“Zhdukja e kryerësit pa lënë asnjë gjurmë është tregues se i njëjti ose e ka njohur mirë terrenin ose ka pasur bashkëpunëtorë që e kanë ndihmuar duke e larguar prej aty menjëherë pas sulmit”.

Ajo ka bërë të ditur se gjatë hetimeve janë proceduar 86 persona, qindra informata, janë analizuar mbi 40 video-incizime nga Gjakova e deri në Gllogjan, teksa ka shtuar se janë dërguar prova edhe në Zvicër e Shqipëri.

“Janë siguruar informata nga burime jashtë vendit, kompania Facebook dhe kompania Viber në Luksemburg. Si përfundim, nga të gjitha hetimet kemi arritur që të sigurojmë prova ku e kemi ndërtuar të gjithë ngjarjen e natës kritike”, ka deklaruar Gashi. /Telegrafi/