LAJMI I FUNDIT:

Bullgarët e Maqedonisë kërkojnë që të përfshihen në grupin punues për ndryshimet kushtetuese

Bullgarët e Maqedonisë kërkojnë që të përfshihen në grupin punues për ndryshimet kushtetuese

Përfaqësuesit e shoqatave bullgare në Maqedoni kërkuan që të përfshihen në grupin punues për ndryshime kushtetuese, përcjell “BTA”.

Në letrën drejtuar kryeministrit Dimitar Kovaçevski, ata e mirëpresin krijimin e grupit punues, të cilin e vlerësojnë si një hap përpara drejt zgjidhjes së çështjes së përfshirjes së bullgarëve në preambulën e Kushtetutës.

Nënshkruesit e letrës kërkojnë nga Kovaçevski që të propozojë që në grupin punues të përfshihen edhe përfaqësues të bullgarëve në Maqedoni, sepse ndryshimet në ligjin bazë i prekin ata dhe shprehin gatishmërinë e tyre të propozojnë persona të cilët si qytetarë të Maqedonisë së Veriut “do të japin kontributin e tyre konstruktiv që puna e grupit punues të jetë më efektive”.


“Populli bullgar ishte elementi më konstruktiv në realizimin e ëndrrës shekullore për një Republikë të Maqedonisë të pavarur, demokratike dhe sovrane, një shtet për të gjithë qytetarët që jetojnë në të, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare, politike, sociale apo çfarëdo përkatësie tjetër.

Por me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë më 17 nëntor 1991 dhe më vonë me të gjitha ndryshimet u bë një padrejtësi e madhe historike dhe populli bullgar mbeti jashtë preambulës së Kushtetutës.

Kjo padrejtësi historike do të korrigjohet në mënyrë që të mund të gëzojmë të gjitha të drejtat dhe liritë që rrjedhin nga akti më i lartë juridik së bashku me popujt e tjerë të përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar një të ardhme më të mirë së bashku në vendin tonë në të cilin jetojmë dhe së bashku e presim ditën kur do ta shohim si anëtare me të drejta të plota të BE-së, pra edhe si pjesë e botës përparimtare perëndimore”, thuhet në letrën drejtuar Kovaçevskit, mbështetur nga përfaqësues të 12 shoqatave të komunitetit bullgar në RMV./Telegrafi/