LAJMI I FUNDIT:

Vinin baste sportive në mënyrë të paligjshme në lokal, arrestohen disa persona në Tiranë

Vinin baste sportive në mënyrë të paligjshme në lokal, arrestohen disa persona në Tiranë

Është finalizuar operacioni policor i koduar “Game Over 4” ku janë vënë në pranga 4 shtetas në Tiranë.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive të kundërligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë evidentuar dhe goditur një rast të vënies së basteve sportive, nëpërmjet aparateve celulare dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Game Over 4”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. I., 30-vjeç, K. K., 34-vjeç, K. K., 26-vjeç, L. B., 53-vjeç, të katërt banues në Tiranë.


Si rezultat i kontrolleve të pandërprera të ushtruara nga shërbimet e Policisë, këta shtetas u kapën në flagrancë, në një lokal në rrugën “Robert Shvarc”, duke vënë baste sportive, me celularët e tyre, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. /Ora News/