LAJMI I FUNDIT:

Urrejtësit e letërsisë shqiptare

Urrejtësit e letërsisë shqiptare

Nga: Sonja Atanasijeviq / Gazeta beogradase “Danas”
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Kohëve të fundit, redaktori i një reviste letrare njoftoi – përmes profilit të vet në Facebook – se [në inboks] i kishin arritur shumë sharje dhe ofendime, për shkak se në revistën e tij – që përndryshe merret me letërsinë e Ballkanit – e kishte publikuar një antologji të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Ajo përmbajtje [e sharjeve dhe fyerjeve], thotë redaktori, është për organet e ndjekjes, prandaj nuk do t’i publikojë ato, mirëpo e ka publikuar një letërkëmbim me një njeri që e vlerësonte si mik, i cili gjithashtu – për letërsinë shqiptare – iu hodh atij. Kështu, kërcënimeve ndaj gazetarëve – të cilat kanë marrë përmasa epidemike në vendin tonë [në Serbi] – ju shtohen edhe sulmet ndaj redaktorëve të revistave letrare.


E, kur politika – që fatkeqësisht e krijon atmosferën e përgjithshme në shoqëri – hyn në fushën e artit dhe të miqësisë, kjo do të thotë se ajo është bërë shumë helmuese.

E pyes veten se çfarë do të thoshte turma e urrejtësve të letërsisë shqiptare, për takimet mes presidentit të Serbisë dhe presidentit të Shqipërisë.

Mbase do të thoshin, mirë, kjo duhet [të bëhet], por ajo [letërsia] nuk duhet. Mund të botohet letërsia maqedonase, letërsia boshnjake … por, jo ajo shqiptare. Po, nuk duhet, por është e nevojshme. Sepse, lidhjet kulturore gjithmonë janë të mirëseardhura.

Sepse, te secili komb ka shkrimtarë dhe artistë të denjë për vëmendje, dhe sepse ne vetë bëhemi më të pasur nëse e njohim krijimtarinë e cilitdo komb, madje edhe atij shqiptar, sepse origjina dhe përkatësia nacionale e autorit nuk kanë lidhje me vlerën e veprës së tij.

Dhe, sepse do ta kuptojmë më mirë njëri-tjetrin nëse e lexojmë njëri-tjetrin. E, në vend që ta falënderojmë redaktorin – [ka] sharje dhe e fyerje. Pra, nuk duhet bash letërsia shqiptare. E saktë, nuk duhet. Por, duhet.

Dhe, nëse ka diçka që na nxjerr nga llumi ballkanik, kjo do të jetë ajo çfarë ne bëjmë, jo ajo çfarë duhet të bëjmë. Nuk kemi pse ta çojmë zërin lart në mbrojtje të lumenjve, të natyrës, të ajrit, të prokurorëve, të gazetarëve, të profesorëve universitarë, të psikiatërve, të aktorëve.

Nuk kemi pse ta çojmë zërin lart as për t’i mbrojtur gratë dhe vajzat, por duhet. Nuk duhet gjithmonë të kujtojmë se sa prej tyre kanë vdekur nga duart e burrave në të kaluarën, por duhet.

Njëzet e pesë gjatë vitit të kaluar – njëzet e shtatë sipas disa burimeve; ndërsa, prej fillimit të vitit 2023 janë dhjetë prej tyre – shifër kjo që është 350 për qind më e lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në ndërkohë, ende nuk kam dëgjuar nëse ndonjëri prej liderëve të partive të djathta që zjarrtë i mbrojnë vlerat familjare dhe për të cilët nuk është i pazakonshëm shfletimi i teksteve të shkollave fillore, të kenë pyetur se a janë temat e mizogjinisë dhe të femicidit të pranishme në ato tekste dhe se a trajtohen ato siç duhet.

Ndoshta jemi vonuar për brezin e sotshëm të vajzave dhe të grave, por mbase mund të bëhet diçka për vogëlushet e sotme nëse përditë, tamam për çdo ditë në kuadër të ndonjë lënde, ato dhe vogëlushët prej mësuesve dëgjojnë – për të drejtat e fëmijës.

Dhe se, po ato të drejta, para së gjithash e drejta për jetë dhe e drejta që të mos keqtrajtohen fizikisht apo psikikisht nga askush – vlejnë gjatë gjithë jetës.

Edhe kur je fëmijë, edhe kur rritesh, edhe kur plakesh.

Natyrisht, problemi lind kur dikush nuk arrin deri në shkollë, si ajo vajza tetëvjeçare nga lagjja beogradase e Mirijevës, të cilën babai me vite e kishte mbajtur në vaskë dhe e cila kur u gjet dukej si një fëmijë tre apo katër vjeçe.

Por, problemi më i madh do të lind nëse për këtë rast nuk shpallet fajtor askush tjetër pos babait të saj.

Dhe, nëse shpejtë e harrojmë atë vajzë.

Shkrimtari portugez Jose Saramago, në shënimet e veta të vitit 2009 e ka trajtuar temën e dhunës ndaj grave. I çmoi ngjarjet në Sevilje dhe në Ekstremadur, për të cilat thoshte se janë “shembuj për të nxjerrë mësime”.

Në fakt, demonstratat kundër dhunës ndaj grave për herë të parë u organizuan nga burrat.

Shkrimtari më tutje thotë: “Rëndom thuhet se është problem i grave, por kjo nuk është e vërtetë. Është problem i meshkujve, problem i egoizmit mashkullor, i posesivitetit të sëmurë, i qyqarllëkut që ua jep të drejtën ta përdorin forcën kundër një qenieje më të dobët në aspektin fizik …”

Për më shumë, ai paramendon se si duhet të duken protestat e tilla të burrave.

“Le të themi njëqind mijë burra, vetëm burra, derisa gratë rrinë mënjanë dhe ua hedhin lulet; kjo mund të jetë shenja se shoqëria – nga brendësia e vet dhe pa hamendje – duhet të ballafaqohet dhe të luftojë me këtë turp të padurueshëm. Dhe që ky lloj i dhunës, me apo pa përfundim fatal, të bëhet një prej shqetësimeve kryesore të të gjithë qytetarëve”.

Në rregull pra, por çka ka lidhje kjo me urrejtësit e letërsisë shqiptare? Epo, ja që ka.

Nëse dikush mendërisht është i përgatitur për ta sulmuar redaktorin e një reviste letrare, për shkak të letërsisë, vështirë se në atë “arsenal” nuk do të ketë edhe ndonjë mjet – për ndonjë sulm të një lloji tjetër.

Në atë imazh mbase utopik të Saramagut, të kolonës së përshkuar me lule – të burrave që protestojnë kundër dhunës ndaj grave – është e vështirë të paramendohen anëtarët e fisit të Facebook-ut që janë alarmuar nga letërsia shqipe.

Dhe, jo vetëm që janë alarmuar, por shajnë, ofendojnë dhe hedhin vaj në zjarr. Përse të tillët nuk janë në atë kolonë?

Sepse, për ta sulmuar redaktorin, ata me siguri motivohen nga urrejtja, kurse në themel të cilësdo urrejtje zakonisht qëndron e keqja.

Po ashtu, e keqja nuk mund të klasifikohet në disa dosje dhe të themi se ky është i dhunshëm ndaj grave, ky ndaj fëmijëve, ky ndaj gazetarëve, ky ndaj redaktorëve të revistave letrare.

Sepse e keqja – në thelbin e vet – është fluide. Për fat të keq, në të gjithë botën. /Telegrafi/