LAJMI I FUNDIT:

Tajvani thotë se aleanca e çipave ‘Fab 4’ mbajti takimin e parë të zyrtarëve të lartë

Tajvani thotë se aleanca e çipave ‘Fab 4’ mbajti takimin e parë të zyrtarëve të lartë

Aleanca e gjysmëpërçuesve “Fab 4” e udhëhequr nga Tajvani, Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Koreja e Jugut mbajti takimin e parë me video me zyrtarë të lartë javën e kaluar, i fokusuar në elasticitetin e zinxhirit të furnizimit, tha të shtunën Ministria e Jashtme e Tajvanit.

Shtetet e Bashkuara, shtatorin e kaluar, e organizuan takimin e parë të grupit të punës, të quajtur në bisedë “Fab 4” ose “Chip 4”, për të diskutuar se si të forcohet zinxhiri i furnizimit të gjysmëpërçuesve, pas një krizë globale të çipave të shkaktuar nga pandemia COVID-19.


Mungesa e gjysmëpërçuesve, e cila detyroi disa prodhues veturash të ndalonin prodhimin, e vuri në qendër të vëmendjes Tajvanin, vendin kryesues në prodhimin e çipave dhe e ka bërë menaxhimin e zinxhirit të furnizimit një prioritet më të madh për qeveritë në mbarë botën, raporton Reuters, transmeton Telegrafi.

Ministria e Jashtme e Tajvanit tha se “Grupi i Punës për Qëndrueshmërinë e Zinxhirit të Furnizimit gjysmëpërçues SHBA-Azia Lindore”, ose “Fab 4”, kishte mbajtur video takimin e parë të zyrtarëve të lartë me 16 shkurt, kjo pas shumë muajsh koordinim.

“Fokusi i diskutimeve të kuartetit pjesëmarrës në takim ishte kryesisht se si të ruhet qëndrueshmëria e zinxhirit të furnizimit me gjysmëpërçues dhe të eksplorohen drejtimet e mundshme të bashkëpunimit në të ardhmen nga të gjitha palët”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Si një anëtar i rëndësishëm i rajonit Indo-Paqësor, vendi ynë luan gjithashtu një rol kyç në industrinë globale të gjysmëpërçuesve dhe ka marrëdhënie të thella ekonomike dhe tregtare me vendet e rajonit”, vazhdon deklarata. /Telegrafi/