LAJMI I FUNDIT:

Peci: Kurtit i duhet praktikisht të bëjë atë që ka kundërshtuar

Peci: Kurtit i duhet praktikisht të bëjë atë që ka kundërshtuar

Drejtori i Institutit Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave KIPRED, Lulzim Peci, ka folur për ngërçet dhe pengesat gjatë rrugëtimit të Kosovës 15 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Peci në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se “Kurti është peng i qëndrimeve të tija të mëhershme në lidhje me Asociacionin dhe nuk duhet të harrojmë që ai është personi që ia ka vu emrin ‘Zajednica’, një fjalë serbe për t’i dhënë konotacion negativ dhe për ta demonizuar Asociacionin, i cili kurrë nuk ka qenë i bërë dhe që nuk ka pasur kurrë statut të tij”.

“Tani kryeministri Kurti është në një situatë ku praktikisht duhet ta bëjë atë që nuk i ka lejuar të tjerët ta bëjnë. Këtu ka të bëjë më tepër me menaxhim të percepcioneve të brendshme politike diskursi i kryeministrit Kurti, sesa ka të bëjë me realitetin dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, e cila po na bën të qartë se ky Asociacion duhet të jetë ekskluzivisht në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Peci.


Kosova  po shënon 15 vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ku është Kosova sipas jush 15 vite më pas?

Peci: Duke pasur parasysh mënyrën sesi është shpallur pavarësia dhe si është pranuar ajo nga bashkësia  ndërkombëtare që ndryshon nga vendet e tjera që kanë dalë nga ish Jugosllavia, sepse ato kanë pasur një njohje përmes anëtarësimit në OKB, mendoj se Kosova ka arritur suksese të konsiderueshme në aspektin ndërkombëtar, por deri diku edhe në aspektin e brendshëm sa i përket shtet-ndërtimit. Duhet të mos harrojmë që në vitin 2008 Kosova i ka marrë kompetencat në sferën e sigurisë, në sferën e drejtësisë, pra është dashur ta kompletojë këtë me ndërtimin e shërbimit të inteligjencës, ministrinë e punëve të jashtme, shërbimin diplomatik që kanë qenë inekzistentë e deri te formësimi i ushtrisë në vitin 2019. Pra, kjo ka qenë një periudhë mjaft e gjatë, e cila ka marrë shumë vite, mirëpo, në anën tjetër unë mendoj që Kosova gjatë tërë kësaj periudhe, problem fundamental ka pasur stabilitetin politik. Deri tash që nga shpallja e pavarësisë kemi pasur pesë qeveri, dhe kështu që jostabiliteti politik, dhe zgjedhjet e parakohshme nuk kanë lejuar që edhe reformat të ecin përpara, e kjo mungesë e reformave ka qenë e ndërlidhur edhe me një masë të madhe të korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë. Mirëpo në ditën kur është shpallur pavarësia e Kosovës, personalisht nuk kisha besuar që  15 vite më pas Kosova të jetë në pikën ku është tash dhe që do t’i mbesin problemet e pazgjidhura me Serbinë.

Si i shihni raportet e Kosovës me faktorin ndërkombëtar? Po flasim për një përpjekje për përmirësim të raporteve  me Serbinë në kuadër të një dialogu të filluar në vitin 2011, ku po kërkohen koncensione. A po flasim këtu në një farë forme për “statusin”, përfundimtar të Kosovës që akoma nuk mund të cilësohet i zgjidhur, apo për çfarë?

Peci: Këtu nuk kemi të bëjmë me statusin përfundimtar të Kosovës, por kemi të bëjmë me raportet përfundimtare me Serbinë dhe integrimin e Kosovës si shtet i pavarur në BE dhe në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Unë mendoj që marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare në një kohë kanë qenë shumë të mira, por kanë filluar të çalojnë që nga koha kur është refuzuar demarkacioni me Malin e Zi, për të cilin Kosova pësoi shumë edhe pse e aprovoi më vonë. Pra ne e humbën rendin në liberalizimin e vizave. Diçka e ngjashme besoj që është edhe tani në raport me Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare. Kosova e Serbia janë para presionit që t’i përmbyllin mosmarrëveshjet e veta me një zgjidhje kalimtare dhe ky presion normalisht që nënkupton edhe arritjen e kompromiseve të caktuara për të arritur një marrëveshje. Nuk ka marrëveshje pa kompromis. Gjithkush e di që marrëveshja nënkupton kompromisin, ndërsa kapitullimi nënkupton dorëzimin, sepse ka kapitullim me kushte edhe pa kushte, ndërsa vetëm kur njëra palë insiston që të realizohet komplet ajo çfarë dëshirojnë ata, kjo nënkupton kapitullim.

Tek ne kompromisi përzihet me fjalën koncesione. Kompromisi është që të arrihet një marrëveshje e dyanshme duke bërë lëshime, ose ajo që është e rëndësishme duke e rritur piten e negociatave që e kemi në tavolinë që të rritet me elemente të tjera, të cilat mund t’i kënaqin dy palët, pra të merret diçka në këtë pjesë dhe të jepet diçka në pjesën tjetër varësisht prej interesave madhore të cilat dy vendet i kanë. Unë mendoj që Kosova momentalisht nuk i ka marrëdhëniet e mira me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me SHBA-të dhe me unionin evropian. Një fjalor që SHBA-të dhe BE-ja që janë duke e përdorur tani për Kosovën, nuk e kanë përdorur asnjëherë dhe mendoj që ky fjalor që është duke u përdorur ndaj neve, është një sinjal që tregon edhe nivelin e marrëdhënieve tona me këto vende dhe ngjyrimin e këtyre marrëdhënieve.

Të ndalemi tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe, tashmë kemi parë që ka një  këmbëngulje të qeverisë në Prishtinë se nuk dëshiron që të lejojë një pushtet të tretë në Kosovë që do ta bëjë jo funksional shtetin e Kosovës, por ka një këmbëngulje të bashkësisë ndërkombëtare që ky Asociacion të bëhet? Si e shihni ju këtë?

Peci: Asociacioni është obligim ndërkombëtar i Kosovës, i cili është arritur dhe ratifikuar në vitin 2013 dhe më pastaj është bërë marrëveshja e vitit 2015 dhe është obligim ndërkombëtar i Kosovës, jo vetëm ndaj Serbisë, por është obligimi ynë ndaj Bashkimit Evropian dhe SHBA-së. Pse nuk është bërë Asociacioni deri tani mendoj që duhet ta kemi të qartë se nuk qëndron fajësia vetëm te Kosova. Fillimisht në vitin 2015/2016 është formuar ekipi për përgatitjen e statutit të Asociacionit në krye të të cilit ka qenë ish-ministri Jevtiq nga komuniteti serb. Ata kanë përgatitur një draft statut të Asociacionit, i cili kurrë nuk është  trajtuar në një mbledhje të qeverisë. Më pastaj nuk duhet të harrojmë  që nga fundi i vitit 2017 deri në vitin 2020 e kemi pasur në lojë opsionin e ndryshimit të kufijve dhe gjatë kësaj periudhe pak kush është marrë me çështjen e Asociacionit edhe në Kosovë edhe në Serbi, mirëpo, pasi kjo dështoi në vitin 2020 neve na u rikthye kjo temë. Mendoj se Kosova e ka obligim, duhet ta bëjë këtë, por përderisa qeveria thotë se Asociacioni do të jetë kështu ose ashtu, ajo nuk duhet të harrojë që është në duart e saj që ta bëjë statutin e Asociacionit dhe që të tregojë se çfarë Asociacioni do të jetë ai. Në vend që të ankohet, qeveria e Kosovës  është shumë më mirë që ta përgatis statutin e Asociacionit dhe të ecë përpara në këtë drejtim dhe mos të habitemi që ky presion i bashkësisë ndërkombëtare nuk do të ndalet, jemi në fazën kur bërja e Asociacionit  është  si një lloj parakushti për finalizimin e marrëveshjes kalimtare në bazë të planit franko gjerman me Serbinë.

Deri tani askush nga bashkësia ndërkombëtare apo nga ndërmjetësit në dialog nuk është dëgjuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, vetëm Serbia e kërkon këtë gjë. Pse e ka këtë frikë për Asociacionin qeveria e Kosovës?

Peci: Unë mendoj që kryeministri Kurti është peng i qëndrimeve të tija të mëhershme në lidhje me Asociacionin dhe nuk duhet të harrojmë që ai është personi që ia ka vu emrin Zajednica, një fjalë serbe për t’i dhënë konotacion negativ dhe për ta demonizuar Asociacionin, i cili kurrë nuk ka qenë i bërë dhe që nuk ka pasur kurrë statut të tij. Tani kryeministri Kurti është në një situatë ku praktikisht duhet ta bëjë atë që nuk i ka lejuar të tjerët ta bëjnë. Këtu ka të bëjë më tepër me menaxhim të percepcioneve të brendshme politike diskursi i kryeministrit Kurti, sesa ka të bëjë me realitetin dhe kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare, e cila po na bën të qartë se ky Asociacion duhet të jetë ekskluzivisht në bazë të kushtetutës së Kosovës dhe udhëzimeve të Gjykatës Kushtetuese. Tragjedia qëndron këtu që kryeministri Kurti e interpreton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin si një vendim, i cili thotë që Asociacioni nuk bën të kalohet, kur fare është e qartë në paragrafin e parë të këtij vendimi ku shihet që vetë Gjykata Kushtetuese thotë se ky Asociacion duhet të bëhet dhe nuk vendos kurrfarë pengesa apo vërejtje në emrin për të cilin është negociuar.

Këtu qëndron problemi kyç dhe sa më shumë që Kosova humb kohë dhe nuk e sheh me sy, por mendon që përmes veprimeve të kënaqë opinionin publik të brendshëm dhe për shkaqe elektorale të vazhdojë këtë diskurs, ne do të jemi humbësit më të mëdhenj. Pra, nëse dikush di të më tregojë sesi do të zgjidhet çështja e veriut të Kosovës pa Asociacion, atëherë, ndoshta do të ketë ndonjë far ideje për këtë por, unë nuk mendoj që do të arrijmë te zgjidhja që të mbajmë veriun pa Asociacion dhe nëse e shtyjmë, kam frikë që do të kalojmë në modele tjera të autonomisë, të cilat mund të kenë vërtetë kompetenca ekzekutive dhe ndoshta edhe legjislative.

Pas luftës në Ukrainë ka ndërruar komplet situata e sigurisë  në Evropë  dhe po ashtu në Ballkan. Meqë kemi një situatë të re, e imponon kjo edhe ndryshimin e rregullave të lojës, flas në raport me dialogun me Serbinë?

Peci: Lufta në Ukrainë e ka nxitur dinamikën ndërkombëtare që të trajtohet problemi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë me urgjencë dhe mendojë se ky është një fat i madh. Mirëpo, në anën tjetër Kosova nuk duhet që ta lexojë gabimisht situatën  e tanishme. Pikësëpari Kosova nuk ka nevojë t’i tregojë  perëndimit se kush është Putini, sepse ne se kush është Putini e marrim vesh përmes perëndimit, o jo perëndimi përmes neve. E dyta ka të bëjë me atë sesi në Beograd po navigohet politika e jashtme serbe dhe normalisht që pjesë e ekuacionit, e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tanishme mes Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë edhe me heqjen e influencës ruse nga rajoni, sepse mes mbajtjes së tensioneve në rajon, Rusia në mënyrën më të lehtë i realizon interesat e veta dhe interesi i madh i saj është dobësimi i perëndimit dhe diskreditimi i tij në rajon, duke i shtyrë përpara edhe narrativa antievropiane dhe antiamerikane, të cilat janë mjaft të pranishme në rajon.

Nëse Serbia në këtë lojë i vë sanksione Rusisë, unë jam i bindur që ajo do të përfitojë shumë më tepër në raport me Kosovën  sepse në një formë apo tjetër do të tentojë që të bëjë një tregti për të marrë një aranzhim më të mirë për serbët e Kosovës. Mendojë se ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë moment dhe unë nuk e shoh që Serbia në një të ardhme të largët nuk do  ta ndërrojë kursin. Pikëpyetja qëndron se a do ta ndërrojë kursin para marrëveshjes me Kosovën apo pas arritjes së marrëveshjes. Kosovës i konvenon që Serbia ta ndryshojë kursin pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë, jo para arritjes, sepse në atë rast pozicioni i Serbisë do të jetë më i fortë.

Çfarë e bën Kosovën sipas jush të sigurt nga propaganda dhe ndikimi i Rusisë që tashmë është prezente në rajonin e Ballkanit. Cili është rreziku për Kosovën?

Peci: Rreziku më i madh për Kosovën është që nganjëherë pavetëdije në Kosovë nxiten shumë narrativa antievropiane dhe antiamerikane. Narrativat e tilla janë pjesë e propagandës ruse, të cilën ndoshta a pa vetëdije apo me vetëdije një pjesë e njerëzve shkon në atë drejtim dhe këtu duhet ta kemi të qartë se ndërtimi i një mentaliteti të tillë, nuk do të thotë që neve na bën me Rusinë, por na bën ne që pavetëdije t’i shërbejmë interesave të Rusisë dhe këtu qëndron problemi kyç. Në anën tjetër Kosova nuk ka rrezik të drejtpërdrejt prej Rusisë. Influenca ruse është shumë e madhe në veri të Kosovës, te popullata serbe dhe duke pasur parasysh situatën në të cilën janë ata, mendojnë që Rusia ende është një superfuqi e cila mund t’i shpëtojë,  pra krijohen iluzione të tilla. Po përsa i përket Kosovës në përgjithësi, Kosova dëmet më të mëdha i ka nga Rusia në skenën ndërkombëtare, sepse propaganda ruse  punon në mënyrë të pareshtur kundër Kosovës. Pra është në interes të saj që ta shfrytëzojë rastin e Kosovës për bëmat e veta të këqija në Ukrainë dhe Gjeorgji duke tentuar që të bëjë një paralelizëm ndërmjet pavarësisë së Kosovës dhe agresionit të saj, të cilat nuk kanë asnjë lidhje njëra me tjetrën. Duhet të dimë, jo të gjithë njerëzit në botë janë ekspertë për çështje të Kosovës apo për çështje të Ukrainës apo Gjeorgjisë dhe për publikun e  gjerë dhe për një pjesë të diplomatëve edhe të vendeve, të cilat nuk janë mirë të informuara, kjo propagandë shitet mirë. /DW/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori