LAJMI I FUNDIT:

Kim Jong Un merr përsëri vajzën e tij me vete, për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të ushtrisë së vendit të tij

Kim Jong Un merr përsëri vajzën e tij me vete, për të shënuar 75 vjetorin e themelimit të ushtrisë së vendit të tij

Diktatori i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka marrë me vete vajzën e tij për të vizituar trupat, në shënimin e 75 vjetorit të themelimit të ushtrisë së vendit.

Udhëheqësi i Koresë së Veriut lavdëroi ‘fuqinë e parezistueshme’ të ushtrisë së tij të armatosur bërthamore në takimin e përvjetorit, thanë sot media shtetërore, shkruajnë mediat botërore, përcjell Telegrafi.

Vizita erdhi mes indikacioneve se Koreja e Veriut po përgatitet të organizojë një paradë masive ushtarake në kryeqytetin Phenian, ku mund të shfaqë pajisjet më të fundit të një programi në rritje të armëve bërthamore që ngjall shqetësimin e fqinjëve të saj dhe të Shteteve të Bashkuara.


Në paraqitjen e saj të katërt të njohur publike, vajza e Kim-it, Kim Ju Ae, që besohet të jetë nëntë ose dhjetë vjeçe, qëndroi afër me të atin teksa ai shtrëngonte duart me zyrtarë të lartë dhe u ul pranë tij në një tavolinë.

Analistët thonë se vendimi i Kim për të sjellë vajzën e tij në ngjarje publike të lidhur me ushtrinë e tij është për t’i kujtuar botës se ai nuk ka synime të dorëzojë vullnetarisht armët e tij bërthamore, të cilat ai me sa duket i sheh si garancinë më të fortë për mbijetesën e tij dhe zgjerimin e sundimit dinastik të familjes së tij.

Përshkrimi i medias shtetërore për Kim Ju Ae, e cila është quajtur ‘e respektuar’ dhe ‘e dashur’, ka frymëzuar gjithashtu debatin nëse ajo po përgatitet si pasardhëse e babait të saj.

Ajo mori pjesë në një test fluturimi të një rakete balistike ndërkontinentale në nëntor dhe ka shoqëruar të atin në një takim me shkencëtarët ushtarakë dhe në një inspektim raketash, gjithashtu.

Koreja e Veriut nuk ka konfirmuar planet për një paradë ushtarake, e cila ndoshta mund të zhvillohet më vonë të mërkurën. Banorët në Phenian e shënuan përvjetorin duke vizituar kodrën Mansu të qytetit për të vendosur lule dhe për të respektuar statujat e liderëve të tyre të ndjerë, Kim Il Sung dhe Kim Jong Il, përkatësisht gjyshi dhe babai i sundimtarit të tyre, teksa ushtarët ishin rreshtuar për të përshëndetur. /Telegrafi/