LAJMI I FUNDIT:

Deputeti i VV-së: LDK-ja nuk na tha më asgjë për ‘atentatin’

Deputeti i VV-së: LDK-ja nuk na tha më asgjë për ‘atentatin’

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka hedhur dyshime mbi deklarimet e zyrtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës se katër deputetë të kësaj partie dhe kryetari Lumir Abdixhiku, janë kërcënuar me vrasje.

Në një postim në Facebook, Bajqinovci ka thënë se heshtja që pasoi raportimet “kristalizon dyshimin për lojë të ulët politike”.

“LDK-ja nuk na tha më asgjë për ‘atentatin’! Kosova ka nevojë për një mjedis të shëndosh demokratik, ku partitë i ballafaqojnë idetë, ekipet dhe liderët e tyre politik duke u mundu me ju ofrua qytetarëve përfaqësim sa më të mirë politik”.


Dyshimet për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve, LDK: Organet përgjegjëse të zhvillojnë hetime të pavarura 
Lexo po ashtu Dyshimet për atentat ndaj Abdixhikut dhe tre deputetëve, LDK: Organet përgjegjëse të zhvillojnë hetime të pavarura 

“Javë më parë, LDK na e solli në publik një lajm për atentat ndaj kryetarit dhe zyrtarëve tjerë aty, që padyshim merr vëmendje për shkak të ndjeshmërisë së natyrës së këtyre zhvillimeve”, ka shkruar deputeti i VV-së.

Tutje, ai ka thënë se kanë kërkuar nga Policia e Kosovës, por edhe vetë LDK-ja që ta informojë opinionin me zhvillimet rreth kësaj teme, por sipas tij nuk kanë ofruar transparencë.

“Përcepsioni mund të jetë i lidhur edhe me projeksione politike për kuota më të larta në tregun politik përmes shkollës ballkanike politike të ‘vetëviktimizimit’, por për të qenë korrekt me faktet, ne kërkuam nga policia dhe nga vet LDK-ja të njoftojë opinionin me zhvillimet e reja rreth kësaj teme”.

“Nuk ofruan transparencë. Nuk po e ofrojnë as tani, duke e kristalizuar kështu edhe dyshimin për lojë të ulët politike, por edhe dëshmi e nevojës së përdorimit të ‘vetëviktimizimit’ si mjet politik për të kompensuar brishtësinë e lidershipit e shfaqur progresivisht muajve të fundit. Flisni të nderuar. Ne po u presim. Duam të ju dëgjojmë çfarë keni për të thënë për këtë. A doni me i shku Albin Kurtit tek shtëpia?”, ka përfunduar Bajqinovci. /Telegrafi/