LAJMI I FUNDIT:

2022-ta ishte shpallur vit i tyre, por 40 personave me aftësi të kufizuara iu përgjysmua pensioni dhe mbetën pa kujdestarë  

2022-ta ishte shpallur vit i tyre, por 40 personave me aftësi të kufizuara iu përgjysmua pensioni dhe mbetën pa kujdestarë  

Viti i kaluar ishte shpallur si vit i tyre, por personat me aftësi të kufizuara nuk vunë re ndonjë ndryshim pozitiv që ua përmirësoi jetën.

Problemet e vjetra janë trashëguar edhe në vitin e ri. Vështirësitë më të mëdha mbeten infrastruktura, punësimi, arsimi dhe marrja e shërbimeve shëndetësore, edhe pse këto janë të drejta themelore.

Madje, gjatë vitit të kaluar 40 personave me aftësi të kufizuara iu përgjysmuan pensionet si dhe iu hoq e drejta për të pasur kujdestar.


Nga Zyra e Kryeministrit thonë se puna për të ndihmuar këtë kategori do të vazhdojë dhe nuk ka qenë i kufizuar vetëm në vitin 2022.

Sadete Dubova, që për shkak të një sëmundjeje është në karrocë prej katër vitesh, është e indinjuar për shkak të shkeljes së të drejtave të saj.

Duke folur për KosovaPress, ajo thotë se përkundër që viti 2022 ishte shpallur vit i personave me aftësi të kufizuara, nuk ka vërejtur ndonjë progres.

“Përveç interesimit të medieve që kanë raportuar për të tjerat nuk mund të them se ka pasur ndonjë progres, nuk ka pasur në shëndetësi, nuk ka pasur në qasje e cila është kyçe për ne… Për momentin është ajo gjendja që ka qenë më herët…

Qasja, shëndetësia, punësimi, këto janë të garantuara me ligj, nuk po kërkojmë asgjë nga shteti, këto janë të drejtat tona, ne jemi si të gjithë të tjerët, duhet të kemi qasje në punësim, qasje në arsim, çdo njeri që ka të drejtë i kemi edhe ne, por mbetet sfidë qasja”, thekson ajo.

49-vjeçarja nga Fushë-Kosova ndonëse ka vullnet të hekurt për të punuar, thotë se mungesa e infrastrukturës ia vështirëson këtë gjë.

Sadetja, e cila jeton në një banesë kolektive, thekson se shpesh për shkak të defekteve në ashensor e në mungesë të pjerrinave detyrohet të qëndrojë e mbyllur në banesë.

“Vullneti është gjithmonë, por edhe nëse hapet ndonjë konkurs -meqenëse nuk e di që ka pasur ndonjë konkurs për persona me aftësi të kufizuara- është e pamundur sepse edhe nëse pranohem në atë punë unë nuk mund të lëvizë, nuk kam qasje, nuk kemi asistentë, siç e dimë të gjithë familjarët tanë kanë obligime, punojnë dhe nuk e ki askënd për të ndihmuar me dal ne me karroca.

Jetoj në banesë kolektive, nuk ka rampa, nuk ka pjerrina… Ka ashensor ndodh që prishet ose nuk ka rrymë, më ka ndodhur shumë herë nuk ka pas rrymë kam pasur trajnime, aktivitete në (shoqatën) Hendikos shkaku se, ose është prishur ashensori, ose nuk ka pasur rrymë, nuk kam shkuar, e këto janë sfida shumë të mëdha”, shprehet ajo.

Së fundmi, pas tri vitesh betejë, Sadete Dubova ka arritur të fitojë të drejtën për të pasur një kujdestar. Megjithatë, faturën e barnave që është mbi 100 euro për çdo muaj duhet ta mbulojë vetë.

Dubova uron që të përmirësohen kushtet për personat me aftësi të kufizuara, pasi ka qenë edhe premtim i qeverisë.

“Besoj që do t’i mbajnë premtimet, sidomos kryeministri, na ka premtuar shumë dhe shpresojmë që edhe ne të jemi të barabartë me qytetarët e tjerë, mos t’i kemi këto sfida që po i hasim çdo ditë në çdo cep të vendit, në çdo institucion publik e privat, çdo vend ki ngecje, ke në tualete, në gjithçka, nuk mund të them këtu po dal po pi një kafe duhet të mendosh para se ma dal që ajo kafiteri apo restorant a ka pjerrinë, a ka tualet, e pastaj me u nis përndryshe shkon edhe kthehesh se nuk mundesh”, thekson ajo.

Drejtori i shoqatës “Hendikos”, Afrim Maliqi, përkundër se përmend disa vendime pozitive, thotë se në shëndetësi nuk pasur progres ndërsa thekson edhe numrin e vogël të personave me aftësi të kufizuara të përfshirë në sistemin arsimor.

“Ne presim që së shpejti Konventa e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e personave me aftësi së kufizuara të amendamentohet dhe të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës, kjo do të thotë shumë për arsye se të gjitha ligjet dhe legjislacioni duhet t’i përshtaten kësaj konvente… Është miratuar një udhëzim administrativ sa i përket pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, konkretisht për ata paraplegjikë dhe tetraplegjikë…

Fusha e shëndetësisë nuk ka pasur progres pothuajse fare dhe kjo është ndjeshmëria jashtëzakonisht e madhe për arsye se personat me aftësi të kufizuara ballafaqohen me çështje shëndetësore apo shërbime të duhura shëndetësore që mungojnë ende në vendin tonë dhe këto mundësi nuk janë krijuar përkundër asaj që Ministria e Shëndetësisë është zotuar se do t’i realizojnë.

MASHT e ka rritur numrin e asistentëve apo mësimdhënësve në shkolla këtë vit, por edhe vitin tjetër, e kemi mirëpritur po kjo nuk mjafton se vetëm një numër i vogël i personave me aftësi të kufizuara është i përfshirë në arsim, sipas statistikave vetëm 12% janë të përfshirë në arsim, 88% e fëmijëve janë jashtë sistemit arsimor”, thotë Maliqi.

Maliqi thotë se është shqetësuese se gjatë vitit 2022 vlerësimet nga komisionet përkatëse që janë bërë ndaj personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë kanë qenë të padrejta.

Në bazë të të dhënave që ata sigurojnë, Maliqi thekson se rreth 40 personave iu është përgjysmuar pensioni dhe i është hequr e drejta për kujdestar.

“Komisionet vlerësuese nuk i kanë vlerësuar drejtë personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, kanë pësuar duke mos pasur mundësi që ta kenë kujdestarin dhe mbështetjen për materiale për inkontinencë… Këto komisione nuk kanë informata sa duhet dhe nuk e zbatojnë rregulloren e tyre sa duhet dhe nuk kanë njohuri për pasojat e një komplikimi paraplegjik dhe tetraplegjik…

Ka qenë edhe më herët por këtë vit ka ndodhur në numër shumë më të madh për arsye se ka ardhur koha e rivlerësimit të personave me aftësi të kufizuara… Këto komisione vlerësuese po mendojnë që gjendja e tyre është përmirësuar dhe në fakt është përkeqësuar, kemi informata nga departamenti i pensioneve se diku për 5 vite afër 40 persona paraplegjikë dhe tetraplegjikë kanë ndërruar jetë si pasojë e komplikimeve shëndetësore dhe mos marrjes së shërbimeve të duhura shëndetësore…Si organizatë diku i kemi rreth 40 persona që iu ka mohuar kjo e drejtë, është larguar nga grupi i parë në grupin e dytë, iu ka mohuar e drejta e kujdestarit dhe një shumë e caktuar”, thekson ai.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini shprehet se në vitin 2022 kanë ndodhur disa lëvizje për të mirë për qytetarët me aftësi të kufizuara.

Hajredini thekson se gjatë vitit 2022 në disa Qendra të Mjekësisë Familjare janë vendosura tabletë informativë me gjuhën e shenjave për personat që nuk dëgjojnë.

“Shohim një progres të mirë, shohim një lëvizje progresive që është bërë në zbatim të kalendarit, shumë gjëra janë në proces që duhet të ndodhin edhe vitin që vjen, por ka qenë një mobilizim institucional, i gjithë akterëve për të realizuar këtë kalendar të aktiviteteve. Ka qenë dinamikë shumë e madhe, ne e dimë që për një vit nuk mund të rregullojmë problemet e shumta që kemi por ka pas progres.

Ne gjatë vitit 2022, që e vlerësoj shumë kemi arritur që të procedojmë, të zotojmë mjete, për sintezën vokale në gjuhën shqipe për personat e verbër… Janë ndarë mjetet për buxhet dhe MASHTI është zotuar dhe janë në procedurë e sipër për të jetësuar, këtë presim që në 3-mujorin apo 6-mujorin e parë të vitit 2023 të jetësohet, ku çdo qytetar i verbër kudo qoftë, në punë administrative, në aeroport, teatër, shumë më të lehtë do ta ketë qasjen”, nënvizon Hajredini.

Ai shprehet se sfidë për këta pjesëtarë të shoqërisë sonë mbetet qasja dhe punësimi.

“Kemi pilotuar 5 komuna, kemi identifikuar nevojën me prioritare që duhet të intervenojnë komunat për ta rregulluar infrastrukturën, qasjen, jo vetëm trotuaret e objektet, qoftë shkollat, teatrot që janë më prioritare dhe më të rëndësishme, është marrë nisma gjatë tërë vitit është punuar, është identifikuar problemi dhe presim që ato të fillojnë të intervenohen…

Ka edhe nisma që nuk kanë përkuar dhe nuk kanë sjellë realizim, progres, disa edhe për shkaqe buxhetore dhe të proceseve të tjera sidomos tek komponenta e punësimit është një nga sfidat më të mëdha që kemi”, shton Hajredini. /kp/

Në trend Lajme

Më shumë
Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Profili i metalit i mori jetën një punëtori të ri në Prizren, policia arreston tre menaxherët e ndërtesës

Kronika e Zezë
Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Diell dhe vranësira gjatë kësaj jave - të premten destabilizim i motit

Lajme
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Tragjedi në Prizren: I bie profili i metalit në kokë, punëtori humb jetën gjatë renovimit të një ndërtese

Kronika e Zezë
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Kalo në kategori