LAJMI I FUNDIT:

Varhelyi pas takimit me Bislimin: Diskutuam lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Varhelyi pas takimit me Bislimin: Diskutuam lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi pas takimit që zhvilloi me zëvendëskryeministrin e parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, tha se kanë biseduar për aplikimin e Kosovës për anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE).

Varhelyi këtë e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Twiter, ku tha se tema e takimit me Bislimin ishte aplikimi i afërt i Kosovës për të filluar procesin e anëtarësimit në BE.


“Aplikimi i afërt i Kosovës për të filluar procesin e anëtarësimit në BE ishte tema e takimit me Besnik Bislimi”, ka shkruar Varhelyi në Twitter.

Ndryshe, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka udhëtuar të mërkurën për në Bruksel.

Qeveria kishte njoftuar seBislimi do të zhvillojë takime me funksionarë e zyrtarë të lartë të Parlamentit Evropian, Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian.

“Kjo vizitë, do të shërbejë për informimin dhe koordinimin me partnerët tanë evropianë, në tre institucionet kryesore të BE-së, sa i përket aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, thuhej në njoftimin për media.

E kryeministri Albin Kurti tha sot se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian para Krishtlindjeve. /Telegrafi/