LAJMI I FUNDIT:

Rishi Sunak deklaron se ‘epoka e artë’ mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës ka përfunduar

Rishi Sunak deklaron se ‘epoka e artë’ mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës ka përfunduar

Rishi Sunak ka thënë se “epoka e artë” mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kinës ka përfunduar, ndërsa ai bëri thirrje për një qasje të re ndaj qeverisë kineze.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, kryeministri britanik kritikoi abuzimet e të drejtave të njeriut nga ana e Kinës, por tha se Mbretëria e Bashkuar “nuk mund të injorojë thjesht rëndësinë e Kinës në çështjet botërore”.

Sunak u kritikua gjatë fushatës së lidershipit të kësaj vere se ishte i butë ndaj Kinës, por ai përdori fjalimin e tij të hënën për të treguar se nuk do të “qëndrojë indiferente” ndaj veprimeve të saj, duke thënë se gjërat nuk janë bardh e zi kur bëhet fjalë për Kinën.


“Ne gjithashtu duhet të evoluojmë qasjen tonë ndaj Kinës”, tha ai, ndërsa parashtroi qëndrimin e tij ndaj politikës së jashtme.

“Të jemi të qartë, e ashtuquajtura ‘epokë e artë’ ka përfunduar, së bashku me idenë naive se tregtia do të çonte në reforma sociale dhe politike”.

“Por as nuk duhet të mbështetemi në retorikën e thjeshtë të Luftës së Ftohtë”.

“Ne e pranojmë se Kina paraqet një sfidë sistematike për vlerat dhe interesat tona, një sfidë që bëhet më e mprehtë ndërsa lëviz drejt autoritarizmit edhe më të madh”.

Siç vë në pah Sky News, në vitin 2015, atëherë kancelari George Osborne i bëri jehonë pretendimeve të ambasadorit kinez se Kina dhe Britania e Madhe ishin në një “epokë të artë” të marrëdhënieve dypalëshe, por deri në vitin 2020 marrëdhëniet ishin acaruar disi nën qeverinë e Boris Johnson.

Sunak, duke folur për protestat aktuale kundër bllokimeve të COVID në Kinë, tha se, në vend që të dëgjojë shqetësimet e njerëzve, qeveria kineze “ka zgjedhur të godasë më tej” ndërsa përmendi arrestimin dhe rrahjen e një gazetari të BBC këtë fundjavë.

Sunak ishte caktuar të takohej me presidentin kinez Xi Jinping në Indonezi gjatë samitit të G20 në fillim të këtij muaji, por takimi u anulua pasi anëtarët e NATO-s duhej të mbanin një takim urgjent pas rënies së një rakete në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën. /Telegrafi/