LAJMI I FUNDIT:

Gjermania planifikon të legalizojë kanabisin

Gjermania planifikon të legalizojë kanabisin

Qeveria gjermane po planifikon të legalizojë shitjen dhe konsumimin e kanabisit. Sipas planeve të paraqitura sot në Berlin, pritet të lejohet një sasi deri në 30 gram.

“Në të ardhmen, të rriturit do të lejohen të blejnë dhe posedojnë sasi deri në 30 gram kanabis dhe në një masë të kufizuar do të lejohet edhe kultivimi për përdorim personal”, tha ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach gjatë prezantimit të projektligjit.

Qeveria e koalicionit arriti një marrëveshje vitin e kaluar për të futur legjislacionin gjatë mandatit të saj katërvjeçar për të lejuar shpërndarjen e kontrolluar të kanabisit në dyqanet e licencuara, raporton reuters.


Shumë vende evropiane, përfshirë Gjermaninë, kanë legalizuar tashmë kanabisin për qëllime të kufizuara mjekësore. Përdorimi i kanabisit për qëllime mjekësore ka qenë i ligjshëm në Gjermani që nga viti 2017. Të tjerë e kanë dekriminalizuar përdorimin e tij të përgjithshëm, ndërkohë që nuk e kanë bërë të ligjshëm.

Qeveria planifikon gjithashtu të prezantojë një taksë të veçantë konsumi, si dhe të zhvillojë punë arsimore dhe parandaluese lidhur me kanabisin.

Legalizimi i kanabisit mund t’i sjellë Gjermanisë të ardhura vjetore nga taksat dhe kursime të kostos prej rreth 4.7 miliardë euro dhe të krijojë 27 mijë vende të reja pune, zbuloi një sondazh vitin e kaluar.

Rreth 4 milionë njerëz konsumuan kanabis vitin e kaluar, 25 për qind e të cilëve ishin midis moshës 18 dhe 24 vjeç, tha Lauterbach, duke shtuar se legalizimi do të shtrydhte tregun e zi të kanabisit.

Gjermania do t’ia paraqesë dokumentin Komisionit Evropian për para-vlerësim dhe do të hartojë një ligj vetëm pasi Komisioni t’i japë dritën jeshile. /Telegrafi/