LAJMI I FUNDIT:

Sveçla në takimin e ministrave të Brendshëm në Gjermani, kërkon trajtim të barabartë nga BE-ja

Sveçla në takimin e ministrave të Brendshëm në Gjermani, kërkon trajtim të barabartë nga BE-ja

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me ftesën e Ministres Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, mori pjesë në takimin e ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, përgjegjës për siguri të brendshme dhe migrim.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se me këtë rast ministri Sveçla ritheksoi zotimin e Qeverisë së Kosovës për shtyrjen përpara të iniciativave nën kornizën e Procesit të Berlinit, si iniciativa që do të sjellin përfitime për regjionin dhe më gjerë.

Gjatë këtij takimi ministri Sveçla potencoi rëndësinë jo vetëm të bashkëpunimit rajonal, por dhe më gjerë në shkëmbimin e informacioneve me qëllim të luftimit të migrimit të parregullt, por dhe në rritjen e sigurisë në përgjithësi.


Sveçla theksoi rezultatet e Republikës së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të cilat kanë ndikuar në rangimin e Kosovës si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor nga Raporti Botëror i Drejtësisë në Sundimin e Ligjit si dhe përmirësimit për 17 vende në Indeksin e Transparency International.

Bëhet e ditur se në fjalimin e tij ai ndau edhe përvojën e suksesshme të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit, në rikthimin dhe riintegrimin e shtetasve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, kthimin e grave dhe fëmijë të tyre, si dhe rëndësinë e bashkëpunimeve operacionale dhe me shtetet e rajonit.

Në fund të takimit të djeshëm ministri Sveçla theksoi se parakusht për bashkëpunim të sinqertë është trajtimi i barabartë jo vetëm ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga vetë BE-ja, duke u zotuar se ne do të vazhdojmë të jemi partner serioz në angazhimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit, si parakusht për progresin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.

Ndërsa sot gjatë vizitës në Berlin, ministri i MPB-së, Xhelal Sveçla u takua me Dr. Dieter Romann, Presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, me të cilin biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy policive dhe nevojën për forcimin e këtij bashkëpunimi tutje.

Ai theksoi se përvoja e Policisë Federale Gjermane në ruajtjen dhe vëzhgimin e kufirit, luftimin e krimit në përgjithësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për Policinë e Kosovës.