LAJMI I FUNDIT:

Meta takon ambasadorin e Serbisë: Mbështes dialogun Prishtinë-Beograd, thirrje shqiptarëve të Luginës të marrin pjesë në regjistrim

Meta takon ambasadorin e Serbisë: Mbështes dialogun Prishtinë-Beograd, thirrje shqiptarëve të Luginës të marrin pjesë në regjistrim

Ish-Presidenti i Shqipërisë, tashmë Kryetar i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në një takim Ambasadorin e Republikës së Serbisë në Tiranë, Slobodan Vukcevic.

Në një njoftim në rrjetet sociale, Meta bëri të ditur se partia që ai përfaqëson mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, midis Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen reciproke midis dy shteteve.

“Theksova angazhimin e Partisë së Lirisë për marrëdhënie bashkëpunimi institucionale dhe konkrete me interes reciprok, midis Shqipërisë dhe Serbisë, si edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit europian”, tha Meta.


Ai gjithashtu shtoi se Partia e Lirisë mbështet në veçanti bashkëpunimin rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit, duke e konsideruar si një bazë solide për një integrim të vërtetë të të gjashtë vendeve të rajonit, sipas modelit evropian, mes vetes dhe në BE.

“Partia e Lirisë nënvizon nevojën për respektimin e të drejtave të plota të shqiptarëve në Medvegjë, Bujanovc e Preshevë, dhe i bën thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi, të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë që zhvillohet atje”, theksoi Meta.

“Partia e Lirisë është e bindur se e ardhmja e rajonit tonë është e sigurt dhe me prosperitet për të gjithë qytetarët tanë, vetëm si pjesë e Bashkimit Evropian”, ka mbyllur postimin Meta. /Telegrafi/