LAJMI I FUNDIT:

Gërvalla: Rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe politikisht

Gërvalla: Rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe politikisht

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz ka theksuar se me Republikën e Shqipërisë ekziston një bashkëpunim i jashtëzakonshëm, e që është tradicional, por nuk e ka mohuar faktin se ka mospajtime në çështje të caktuara siç është iniciativa e Ballkanit të Hapur.

“Diplomacia shqiptare ka qenë e angazhuar rreth pavarësimit të Kosovës, rreth njohjes dhe forcimit të shtetësisë kudo. Në këtë sferë nuk ka ndryshuar asgjë. Kemi një temë, e cila nuk është për t’u fshehur e ku nuk pajtohemi – është Ballkani i Hapur dhe është qasja e kryeministrit Edi Rama ndaj kësaj iniciative. Ne mendojmë se me refuzimin e Ballkanit të Hapur kemi pasur shumë të drejtë, sidomos duke pasur parasysh rrethanat gjeopolitike, por edhe brenda një familje vëllezërit dhe motrat nganjëherë nuk e ndajnë të njëjtin mendim”, ka theksuar Gërvalla në intervistë për RTK.

Megjithatë, diplomatja e Kosovës i ka dërguar mesazh të qartë diplomatëve dhe politikbërësve në Shqipëri se rruga Tiranë – Beograd kalon përmes Prishtinës.


”I them koleges sime dhe të gjithë diplomatëve shqiptarë se duhet të jetë e qartë për Tiranën zyrtare, se rruga Tiranë-Beograd kalon nga Prishtina edhe gjeografikisht edhe politikisht. Nganjëherë e kam përshtypjen që kjo duhet theksuar. Sidoqoftë, përkushtimi i diplomacisë së Shqipërisë për të ndihmuar Kosovën në përmirësimin e gjendjes së saj ndërkombëtare është i pandërprerë”, është shprehur Gërvalla.

Ajo ka thënë se në interes të rajonit dhe në interes të zvogëlimit rus në Ballkanin Perëndimor është shfuqizimi i iniciativës së Ballkanit të Hapur.

“Kosova është shumë e vendosur deri tani (për ta refuzuar Ballkanin e Hapur, v.j.) sepse s’kemi parë argument që ta shfuqizojnë. Iniciativa e Ballkanit të Hapur e dëmton jo vetëm Kosovën por rajonin e Ballkanit në përgjithësi, ky është qëndrimi ynë, të cilin e ndajmë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Republika e Shqipërisë ka vendosur ta ndjekë politikën e saj. Jeta është e gjatë dhe diku në mes do të takohemi dhe do t’i qahemi njëri-tjetrit se kush ka pasur të drejtë dhe kush të padrejtë. Por kjo nuk do të thotë se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë të jetë i mangët. I keni parë marrëveshjet dhe tempon e jashtëzakonshme të bashkëpunimit me Republikën e Shqipërisë. Kemi kaluar nga fjalët në vepra. Të vetmin konflikt që e kemi me Shqipërinë është tema e Ballkanit të Hapur, nuk shoh konflikte të natyrave tjera. Nuk është në interes tonin që të krijojmë konflikte artificiale”, ka nënvizuar Gërvalla.