LAJMI I FUNDIT:

Rama në Pragë: Ideja e Komunitetit të mos prekë anëtarësimin

Rama në Pragë: Ideja e Komunitetit të mos prekë anëtarësimin

Megasamiti europian mund të konsiderohet i suksesshëm. Në takimin e parë të Komunitetit Politik Europian, KPE ku morën pjesë 44 vende europiane, Edi Rama mbështeti KPE, por kërkoi që ai të mos prekë anëtarësimin.

Takimi i madh i familjes paneuropiane në Kështjellën e Pragës ishte ide e presidentit francez, Emmanual Macron, i cili në fund u shpreh i kënaqur me takimin themelues të Komunitetit Politik Europian: nga aty u dërgua një mesazh uniteti dhe mbështetje për Ukrainën, disa krerë shtetesh u takuan për herë të parë pas disa vitesh, dhe pati përpjekje që konfliktet rajonale të trajtohen në takime bilaterale. “Luftërat civile janë sëmundjet e fëmijëve të Europës dhe duke krijuar këtë komunitet ne përpiqemi t’i tejkalojmë ato.

Takimi i KPE ishte një triumf i artit të diplomacisë dhe strategjisë së zgjuar të organizatores, presidencës çeke, që pengoi kështu monologje pa fund, shpërthime të hapura të armiqësive apo dominancë të vendeve të BE. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky mori pjesë në samit përmes një mesazhi me video.


“Rusia ka një politikë: luftë kundër Ukrainës, kundër Europës, kundër botës”, tha Zelensky dhe drejtoi një lutje tek krerët e qeverive të mbledhura të bëjnë çdo gjë për të përfunduar luftën. Zelensky kërkoi më shumë sanksione kundër Rusisë, më shumë ndihmë ushtarake dhe garanci sigurie derisa vendi i tij të bëhet anëtar i NATO-s.

Kryeministri Edi Rama hapi samitin

Samitin e hapi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që ra në sy me kravatën shumënngjyrëshe. Ai prezantoi qëndrimin e homologeve dhe homologëve europianë në lidhje me Rusinë dhe krizën energjitike. Më parë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama qëndrimet e tij i kishte prezantuar së bashku me kryeministrin holandez, Mark Rutte në një platformë të internetit, “Politico”.

“Është fakt që agresioni i paprovokuar i Rusisë na detyron të rimendojmë bazat e kontinentit tonë dhe si të mbrojmë demokracinë dhe vlerat tona të përbashkëta”, tha Rama. Për këtë kemi nevojë për një përgjigje të fortë, të qëndrueshme dhe të unifikuar të europianëve.”

Shqipëria, një kandidate prej vitesh në dhomën e pritjes së BE e ka përshëndetur formatin e ri të Komunitetit Politik Evropian.

“Ky është një vend, ku të gjitha shtetet demokratike mund të diskutojnë shqetësimet e sfidat tyre dhe të kërkojnë përgjigje për këtë”, ka thënë Edi Rama në Pragë. Por e gjitha kjo nuk duhet të prekë procesin e strukturuar të anëtarësimit të vendeve kandidate në BE. /DW/