LAJMI I FUNDIT:

LSDM: Nuk do të ketë rikonstruim të qeverisë, janë vetëm lajme manipulative nga OBRM-PDUKM

LSDM: Nuk do të ketë rikonstruim të qeverisë, janë vetëm lajme manipulative nga OBRM-PDUKM

LSDM-ja ka përgënjeshtruar shkrimet në disa media se përgatitet rikonstruim i Qeverisë.

Socialdemokratët, thonë se çështja e rikonstruimit nuk është biseduar as në udhëheqësi e as në organet më të larta partiake.

Pretendimet për ndryshimin e ministrave nga radhët e LSDM-së, sipas socialdemokratëve, paraqesin manipulime të qëllimta që vijnë nga OBRM-PDUKM-ja për të defokusuar opinionin nga problemet e brendshme partiake dhe skandalin e madh me tenderin prej 136 milionë euro në Qytetin e Shkupit.


“Ndryshimi i vetëm që do të pasojë në përbërjen e Qeverisë është Ministri i ri për Vetëqeverisje Lokale i cili duhet të vijë në vend të Goran Milevskit që u tërhoq nga funksioni.  Qeveria që udhëhiqet nga LSDM-ja mbetet e fokusuar në menaxhimin e me krizën ekonomike dhe energjetike si dhe në krijimin e pakos së re të masave për ndihmë të qytetarëve dhe ekonomisë”,  thonë nga LSDM.

Kohëve të fundit nëpër media është përmendur rikonstruimi i Qeverisë, kurse janë implikuar emrat e Ministrit të Brendshëm, Oliver Spasovskit I cili sipas shkrimeve duhet të zëvendësohet nga Mile Zeçeviqi, atij për Transport dhe Lidhje Bllagoj Boçvarski që duhet të pasohet nga ish-Kryebashkiaku i Shkupit, Petre Shilegov, kurse është përmendur edhe Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Kryeministri Kovaçevski gjatë ditës së djeshme, përkundër situatave në BDI, tha se shumica parlamentare është stabile dhe se nuk ka nevojë për rikonstruim të qeverisë.