LAJMI I FUNDIT:

PDK del kundër emërimit të Ardita Sinanin, këshilltare politike për Preshevë – veprimi i Kurtit i përçanë shqiptarët e Luginës

PDK del kundër emërimit të Ardita Sinanin, këshilltare politike për Preshevë – veprimi i Kurtit i përçanë shqiptarët e Luginës

Kryeministri Albin Kurti, të hënën ka emëruar Ardita Sinanin, këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës do të donte të ndihmonte shqiptarët e Luginës atëherë do të emëronte dikë apartiak.


“Asgjë personale me zonjën Ardita Sinani, e kam mbështetur edhe publikisht pasi u shkarkua nga detyra muaj më parë, mirëpo emërimi i saj si këshilltare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc pranë zyrës së Kryeministrit të Kosovës është jo vetëm hap i gabuar, por edhe i dëmshëm”.

“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë a partiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë” tha Çitaku.

Tutje theksoi se Qeveria e Kosovës nuk duhet të përçajë shqiptarët në Luginë, por duhet të synojë t’i bashkojë ata.

“Fatkeqësisht, qasje të njëjtë destruktive e tendenca përçarëse kryeministri Kurti ka shfaqur edhe me përpjekjet e tij për të ndërhyrë ne skenën politike në Shqipëri, Maqedoni, etj”, u shpreh ajo.

“Më vije keq që zonja Sinani ka pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë”, tha në fund.

Ndërkaq, sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, ky është hapi i parë drejt themelimit të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, zyrë të cilën do ta koordinojë Sinani./Telegrafi/