LAJMI I FUNDIT:

Rasti i gylenistëve, dy dëshmitarë përshkruajnë operacionin për dëbimin e 6 shtetasve turq

Rasti i gylenistëve, dy dëshmitarë përshkruajnë operacionin për dëbimin e 6 shtetasve turq

Në gjykimin për korrupsion ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Driton Gashi, ish-drejtorit të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Krasniqi si dhe drejtorit të Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani, janë dëgjuar dy zyrtarë policorë, Arta Dushullovci dhe Rrahman Haliti.

Të njëjtit, duke u përgjigjur në pyetjet e palëve në procedurë kanë përshkruar operacionin për dëbimin e 6 shtetasve turq.

Fillimisht, Dushullovci duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësuesit të palëve të dëmtuara, avokatit Urim Vokshi tha se ka marr pjesë në aksionin e dëbimit të 6 shtetasve turq dhe se për këtë ishte njoftuar një ditë më herët.


Ajo tha se nuk ishte njoftuar se kishin të bënin me shtetas që janë të rrezikshëm për siguri kombëtare.

Dëshmitarja Dushullovci deklaroi se ajo kishte qenë në ekipin e rreshterit Ibrahim Mustafa, por që në grup kishte qenë me zyrtarin Isa Maqastena.

‘‘Nga i njëjti jemi njoftuar se kemi të bëjmë me revokim të leje qëndrimit për një shtetas të huaj, ku do të shkojmë dhe do ta shoqërojmë deri në Drejtorinë për Migrim’’, tha ajo.

Në vazhdim ajo tha se kanë shkuar në një prej lagjeve periferike të Prishtinës dhe kur kishin trokitur në derë kishte dalë tek dera personi që ata e kishin kërkuar.

‘‘Ju kemi prezantuar nga jemi, se jemi zyrtarë nga drejtoria, kemi folur në gjuhën shqipe dhe pak angleze, i njëjti na ka kuptuar gjatë komunikimit dhe na ka thënë se ju njoh sepse i ka ra kontakti në Drejtorinë për Migrim’’, sqaroi tutje e njëjta.

Dushullovci tha se i njëjti person ka prezantuar dokumentet kurse ata kanë treguar arsyen që janë aty për shkak të revokimit të leje-qëndrimit të tij dhe se duhet të vinte me ta e sipas saj, ai nuk kishte kundërshtuar.

Ajo tha se gjatë rrugës për në Drejtorinë për Migrim, kolegu i saj kishe kontaktuar me dikë në telefon dhe i kishte thënë se ‘nuk do të shkojmë në drejtori por direkt do të shkojmë në aeroport’.

E pyetur nëse i kishin prezantuar personit revokimin për leje të qëndrimit, ajo tha se ata e kishin dorëzuar palën tek koloneli Rrahmani dhe togeri Rukiqi në aeroport dhe beson që në vazhdim i janë prezantuar dokumentet, por se vet nuk e kishte parë këtë.

Ajo tha se po ashtu në gjuhën shqipe e kishin njoftuar të njëjtit se do ta dërgojnë në aeroport dhe se ai nuk kishte kundërshtuar.

Në këto rrethana ka ndërhyrë anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli duke e pyetur se në raste të tilla a duhet me pas përkthyes me vete, e njëjta tha se nuk kanë pasur kërkesë të tillë sepse personi e ka kuptuar shqipen.

Sipas saj, në raste të ngjashme të revokimit të lejes së qëndrimit ose pala vjen personalisht ose ftohen, por që ajo personalisht nuk kishte shkuar më parë në shtëpi të një shtetasi të huaj.

Avokati Vokshi në vazhdim e ka pyetur edhe nëse e kanë njoftuar për të drejtën e angazhimit të avokatit por që Dushullovci ka thënë se ‘‘në momentin kur e merr vendimin pala njoftohet për të drejtat e tij’’.

E pyetur sërish nga avokati Vokshi se ‘‘keni hy në veturë, e keni dërguar në aeroport dhe gjatë gjithë kësaj procedure, nuk e keni njoftuar për të drejtën e tij se ka të drejtë në avokat’’, ajo u përgjigj se ‘‘nuk kemi biseduar më gjatë, i kemi treguar se ka revokim të leje qëndrimit e që ekipa tjetër ka vazhduar me procedura tjera’’.

Ajo pohoi se personit në fjalë i kanë vendosur pranga në momentin kur kanë zbritur nga vetura në aeroport.

E pyetur nga prokurorja speciale Habibe Salihi se çfarë kanë vepruar sipas procedurave në momentin e vendosjes së prangave, e njëjta u përgjigj se ‘‘në momentin e vendosjes së prangave mbushet raporti për përdorimin e forcës’’, por që nuk ishte e sigurt se një raport i tillë ishte mbushur.

Ndërkaq, e pyetur nga prokurorja Salihi se cilat janë të drejtat që e kanë njoftuar në atë moment, Dushullovci tha se ‘‘e kemi njoftuar që ka drejtë të shprehjes së lirë, avokatit e do ju respektohen të gjitha të drejtat, i njëjti ka qenë shumë bashkëpunues dhe nuk ka pasur ndonjë rezistencë’’.

E njëjta pohoi se të drejtat i janë lexuar në gjuhën shqipe por se nuk kanë diçka të shkruar.

‘’Kur jemi në terren i njoftojmë vetëm verbalisht për të drejtat e tyre e kur kthehemi në zyre i njoftojmë me dokumentacion’’, tha ajo.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e  mbrojtësit të të akuzuarit Rrahman Sylejmani, avokatit Flakron Sylejmani, dëshmitarja tha se punon në sektorin për migrim dhe ka asistuar në disa raste.

Ajo sqaroi se kur ka raste për largim me forcë, të njëjtit i shoqërojnë deri në pikën e fundit.

Sipas saj, për rastin konkret ajo ka pa fotografinë e personit në fjalës kurse vendimet kanë qenë tek mbikëqyrësi duke shtuar se një vendimi për revokim të lejes së qëndrimit i pëson edhe urdhër largimi.

Po ashtu sqaroi se dallojnë rrethanat e largimit me forcë dhe largimit vullnetar, e që kur ka të bëjë me cenim të sigurisë kombëtare, aplikohet urdhri për largim me forcë.

Kurse, duke iu përgjigjur pyetjeve të gjykatësit Konxheli, ajo tha se nuk është pajisur me revokim e as nuk e kishte parë urdhër largimin me arsyetimin se këto i ka pasur mbikëqyrësi.

E pyetur nëse gjatë këtij aksioni kanë zbatuar dispozitat ligjore, Dushullovci u përgjigj me ‘‘mendoj që po’’.

Sipas saj, ata i kishin marr personit pasaportën por e cila i është dorëzuar së bashku me palën në aeroport, kurse nuk i kujtohej nëse i kishin marr telefonin.

Edhe lidhur me procedurën e sekuestrimit, Dushullovci tha se e kanë respektuar procedurën e tillë.

Më pas, u dëgjua edhe zyrtari policor Rrustem Haliti, i cili po ashtu tha se ka marr pjesë në dëbimin e 6 shtetasve turq e që për këtë ishte njoftuar një natë më herët nga togeri Hamit Rukiqi se duhet të paraqitet në punë në ora 6:00.

Sipas tij, në mëngjes është mbajtur një tubim i policëve ku nga eprorët janë treguar detyrat e që vet ai i ka marr detyra nga rreshteri Ibrahim Mustafa se do të jetë në një ekip me të.

Ai tregoi se ai kishte qenë në veturë me Mustafën, ndërkaq Arta ka qenë me Isa Maqastenën e Nebi Krasniqi së bashku me Mihrije Ukën e që janë nisur për në ‘Veternik’.

Haliti tregoi se eprorët kishin thënë se këta persona janë të rrezikshëm për shtetin tonë dhe se ndaj tyre është lëshuar urdhër-largimi me forcë dhe duhet të sjellën në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

Në vazhdim, Haliti sqaroi se rreshteri kishte pranuar një thirrje telefonike që i ishte thënë se personi që duhet ta ndalonin ata kishte vazhduar rrugën për në Lipjan.

Tutje, pasi e kishin gjetur vendin e përshtatshëm, ai tha se e ka ndaluar atë dhe i kishin treguar në gjuhën shqipe se ai kishte probleme me leje-qëndrimin dhe duhet të shkonte me ta në drejtori.

Sipas Halitit, ai nuk kishte qenë bashkë-punues dhe nuk i ishte bindur urdhrave, andaj ishin detyruar të përdornin forcën proporcionale për ta futur në veturën e Policisë.

Ndërkaq, për personin tjetër që kishte pasur për ta ndaluar Nebia dhe Mihrija, ai tha se kishin marr informata se ai vet ishte paraqitur në DSHAM dhe se ishte paraqitur në mënyrë vullnetare.

Haliti tha se i njëjti kishte qenë bashkëpunues dhe i kishin sqaruar se ka probleme me leje-qëndrim dhe të dy më pas i kishin sjell në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj.

‘‘Pas 10-15 minutave rreshteri Ibrahim Mustafa ka thanë ‘hajde se duhet me i dërgu në Aeroport të Prishtinës’’’, shtoi dëshmitari.

Sipas tij, vendimi për urdhër largim me forcë i është dorëzuar gjatë kohës sa kanë qenë në drejtori.

I pyetur nga avokati Vokshi, dëshmitari tha se kur i kanë vendos prangat ‘‘e kemi njoftuar se ke problem me leje-qëndrim, ama ata e kanë ditë shqipen shumë mirë dhe unë si kam marr në pyetje që me njoftua për të drejtën për avokat. Ky ka pasur largim me forcë, në zyre Ibrahimi e ka njoftua për të drejtat, se aty jo’’, tha ai.

Ndërkaq i pyetur nga prokurorja Salihi, Haliti tha se pala kur është përdorur forca nuk është lënduar.

‘‘Jo, jo nuk është lëndua, s’ka pas nevojë për mjek, e kanë pyet ama su lëndu, nuk është nënshkruar askund, por unë s’kam qenë udhëheqës’’, tha dëshmitari.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e gjykatësit Konxheli, dëshmitari Haliti tha se nuk e ka parë me sy revokimin dhe urdhër-largimin.

Po ashtu, ai tha se në të gjitha rastet personat njoftohen për të drejtat e tyre pasi të dërgohen në drejtori duke shtuar se në rastin konkret janë zbatuar dispozitat ligjore dhe ‘‘kurrgjë nuk ka shkuar jashtëligjshëm’’.

Ndryshe, paraprakisht në këtë seancë me pajtimin e palëve janë konsideruar të lexuara të gjitha veprimet procedurale deri më tani, pasi që gjykatësi Kujtim Krasniqi e ka zëvendësuar gjykatësen Suzana Çerkinin që është anëtare e rregullt e trupit gjykues në këtë rast.

Po ashtu, lidhur me dëshmitarët e propozuar nga avokati Vokshi, gjykatësja Namani ka thënë se aprovohet pjesërisht propozimi i tij, me arsyetimin se për disa dëshmitarë do të vendoset më vonë, varësisht nga dëshmia e dëshmitarëve të aprovuar për tu dëgjuar.

Kurse për dëshmitarët anonim 2 dhe 3 të propozuar nga avokati i të akuzuarit Driton Gashi, avokatit Florent Latifaj, gjykatësja Namani ka obliguar prokuroren speciale që të bëjë kërkesë në AKI për dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar dhe se më pas do të veprojë konform përgjigjes së tyre.

Seancat e paracaktuar për këtë çështje janë anuluar, kurse të radhës janë caktuar më 3, 7 dhe 21 nëntor 2022.

Gjykata e Apelit në dhjetor 2021 ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin për herë të dytë kishte refuzuar hudhjen poshtë të aktakuzës.

Ndryshe, më 21 maj të këtij viti, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë kishte konfirmuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj Driton Gashi, Valon Krasniqit dhe Rrahman Sylejmani.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me arsyetimin se ka pasur shkelje esenciale e ka kthyer këtë rast në rivendosje sa i përket pjesës me të cilën gjykata e shkallës së parë ka refuzuar si të pabazuara kërkesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, përpos konfirmimit të aktakuzës, kjo gjykatë kishte aprovuar disa propozime të mbrojtjes për shpalljen e papranueshme të disa provave.

Ndërsa, pas kthimit të rastit në rivendosje gjykata e shkallës së parë më 28 gusht 2021 sërish kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes hudhjen poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave me arsyetimin se në shkresat e lëndës ka prova të mjaftueshme të cilat e mbështesin dyshimin e bazuar mirë së të akuzuarit kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

E që ky vendim më 16 dhjetor 2021 është vërtetuar edhe nga Gjykata e shkallës së dytë, duke refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes.

Ndryshe, më 26 prill 2021 Gjykata Themelore në Prishtinë kishte mbajtur shqyrtimin e dytë për këtë rast, gjatë të cilës seancë të akuzuarit përmes mbrojtësve të tyre kishin paraqitur kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Ish-shefi i AKI, Driton Gashi, drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB, Valon Krasniqi si dhe drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë së Kufitare, Rrahman Sylejmani kishin kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë hudhjen e aktakuzës ndaj tyre, duke kundërshtuar edhe provat që gjenden në të.

Ndërkaq prokuroja Habibe Salihi kishte kërkuar konfirmimin e aktakuzës, me të cilën Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Driton Gashin, Valon Krasniqin dhe Rrahman Sylejmanin për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kurse Sylejmanin edhe për veprën penale të privimit të kundërligjshëm nga liria.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, Drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejtë në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohet se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 dhe gjer më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbush detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletudhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, Drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99 par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97 par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97 paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe depërtojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzon Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoj kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe depërtuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29 par. 2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkon të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale, privimi i kundërligjshëm i lirisë nga neni 196 par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal, raporton betimiperdrejtesi.