Portet e kontejnerëve në Evropën Juglindore janë gjithnjë e më të cenueshme ndaj kontrabandës së mallrave të paligjshme nga organizatat kriminale. Kështu thuhet në raportin e titulluar “Eksplorimi i rrugëve detare të ekonomive të paligjshme në Ballkan”, nga rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”.
Në këtë raport të publikuar më 26 korrik përshkruhen mënyrat se si operojnë organizatat kriminale që kontrollojnë kontrabandën e mallrave të paligjshme në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Fokusi i këtij raporti është i kufizuar në portet e kontejnerëve. Kjo pasi këto porte duket se janë pikat kryesore të hyrjes për dërgesat kryesore të drogës – si ajo e kokainës nga Amerika Latine (kryesisht Kolumbia dhe Ekuadori) ose heroinës nga Azia perëndimore (Afganistani, Irani dhe Turqia).
Gjatë hulumtimit mbi veprimtarinë kriminale në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe aktiviteteve të grupeve kriminale ballkanike jashtë vendit, u bë e qartë se në dekadën e fundit kishte një numër në rritje të konfiskimeve të dërgesave të kokainës dhe heroinës në portet në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Mal të Zi, Rumani dhe Slloveni.
Hulumtimet e fundit tregojnë se tentakulat e grupeve kriminale nga Ballkani Perëndimor po shtrihen tashmë në mbarë botën.
Sipas autoritetit policor të BE-së, EUROPOL, rreth 30 për qind e trafikut të lëndëve narkotike nga Amerika Latine në Evropë, tashmë kontrollohet nga grupet kriminale të Ballkanit Perëndimor. Paratë e jashtëligjshme në vendet e Ballkanit Perëndimor përbëjnë rreth 6 për qind të Bruto Prodhimit Vendor (BPV) të tyre.
“Duke marrë parasysh edhe statistikat mbi konsumin e kokainës në rajon, ne besojmë se çdo gjë që kalon nëpërmjet këtij rajoni ka për destinacion përfundimtar Evropën Perëndimore. Ky [Ballkani Perëndimor] është thjesht një pikë transiti”, tha autori kryesor i këtij studimi, Ruggero Scaturro.
Sipas raportit, mes viteve 2018 dhe 2021, rreth tetë tonë kokainë u kapën në portet e Evropës Juglindore, me Pireun (Greqi), Durrësin (Shqipëri) dhe Konstancën (Rumani) që përbënin gjysmën e totalit të kësaj sasie.
Raporti thekson se konfiskimet janë të shumta, por reagimet e institucioneve në përmirësimin e standardeve të sigurisë në portet rajonale mbeten të pakta, me gjithë operacionet e shumta policore.
Raporti gjurmon rrugët kryesore të trafikimit dhe shpjegon teknikat e përdorura nga trafikantët.
Po ashtu, nënvizohet ekosistemi i porteve dhe dobësitë e tyre, dhe përshkruan strukturat kriminale që veprojnë brenda dhe përreth porteve.
“Në disa porte, duket se ka qeliza të grupeve kriminale që veprojnë si pjesë e rrjeteve më të gjera ndërkombëtare. Disa porte janë magnete të krimit, jo vetëm sepse tërheqin grupet kriminale lokale, por edhe ato nga vendet që s’kanë qasje të drejtpërdrejtë në det”, shprehet autori i raportit, Ruggero Scaturro.
Durrësi, porta kyçe për trafikantët nga Shqipëria dhe Kosova
Sipas raportit, porti i Durrësit, i cili është porti më i madh i Shqipërisë, është arteria kryesore për tregtinë e ligjshme dhe të paligjshme, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për fqinjët e saj që nuk kanë qasje në det, si Kosova dhe Maqedonia a Veriut. Porti është i lidhur me skajin perëndimor të autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, me lidhje të mëtejshme me Shkupin, Maqedoninë e Veriut.
Theksohet se ky port trajton afërsisht 90% të tregtisë ndërkombëtare detare të Shqipërisë dhe 85% të tregtisë së import-eksportit të vendit. Përmendet se në vitin 2018, 26 për qind e të gjitha eksporteve shqiptare ishin të destinuara për në Kosovë, pjesa më e madhe e së cilave kaloi në Durrës.
Kokaina në Shqipëri përmes frutave ekzotike
Nga të dhënat zyrtare të cilat përmenden në raport, në tre vjetët e fundit në portin e Durrësit janë trafikuar rreth 1.5 ton kokainë. Raporti vlerëson se, nëse do të arrinte në treg, ajo do të kapte vlerën e më shumë se 400 milionë eurove. Sasitë e mëdha të kokainës vijnë në Shqipëri kryesisht të fshehura në kontejnerë, që më së shumti transportojnë fruta ekzotike.
Më 17 maj të vitit 2021 një tjetër sasi prej 400 kilogramësh kokainë, e futur nga porti i Durrësit, u sekuestrua në Kosovë. Ndërsa, sasia më e madhe e sekuestruar deri më tani është ajo e 27 shkurtit të vitit 2018, ku në kontejnerët me banane, u gjetën 613 kilogramë kokainë.
Përdorimi i frutave, si bananet, është veçanërisht i përshtatshëm për trafikantët e drogës, sepse ato ofrojnë një zinxhir të besueshëm dhe të qëndrueshëm logjistike nga burimi deri në tregun e shumicës, theksohet në raport. Shtohet se natyra e tyre degraduese, së bashku me taksimin e ulët dhe frekuencën e lartë të transportit, i bën kutitë e bananeve për kontejnerë dërgesash ideale për kokainën, pasi ngarkesat në përgjithësi zhdoganohen me shpejtësi përmes kontrolleve dhe me një ritëm më të madh se mallrat që nuk prishen.
Porti i Tivarit në Malin e Zi, nën shënjestrën e grupeve kriminale
Porti i Tivarit në Mal të Zi ka qenë një qendër famëkeqe për kontrabandën e cigareve që nga vitet 1990 dhe, gjatë dekadës së fundit, një pikë kyçe hyrëse për trafikimin e kokainës. Porti i Tivarit, është i vetmi port detar tregtar në bregdetin Adriatik të Malit të Zi.
Kokaina ka mbërritur rregullisht në portin e Tivarit në sasi relativisht të mëdha që nga viti 2010. Dërgesat zakonisht kanë origjinën nga Ekuadori. Nga Tivari, droga transportohet me kamionë në tregjet në Evropën Qendrore dhe Perëndimore, kryesisht përmes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas raportit, në prill të 2019-ës, policia sekuestroi 60 kilogramë kokainë në bordin e një anijeje trajnimi të marinës malazeze që supozohej të shkëmbehej me heroinë në Turqi. Disa dërgesa të mëdha kokaine u kapën në portin e Tivarit në vitin 2021.
Në gusht 2021, një kontejner i dyshimtë nga Ekuadori, i cili transportonte banane, mbërriti në Tivar në bordin e ‘MSC Charlotte’ , nëpërmjet Koper-it, në Slloveni.
Autoritetet e zbatimit të ligjit gjurmuan kontejnerin në Mojanoviq, në veri-perëndim të Podgoricës. Aty u zbulua se ishte e mbushur me rreth 1.4 tonë kokainë.
Në janar 2022, Dogana dhe Policia malazeze sekuestruan rreth 500 kilogramë kokainë përmes një dërgese tjetër të kontrolluar. Ngarkesa mbërriti e fshehur në kuti bananesh në 70 kontejnerë nga Ekuadori. Dorëzimi u organizua nga një grup kriminal me anëtarë në Mal të Zi, Slloveni dhe Ekuador.
Pavarësisht këtyre konfiskimeve, ndjekja penale mbetet hallka më e dobët në luftën kundër trafikut të paligjshëm të narkotikëve në Mal të Zi, thekson raporti. Asnjë kryetar grupesh kriminale apo bashkëpunëtorë të tyre ende nuk është arrestuar apo ndjekur penalisht. Që nga viti 2015, lojtarët kryesorë të trafikut të kokainës në Mal të Zi kanë qenë klanet rivale Kavaçi dhe Shkalljari, të cilët dikur ishin të bashkuar si klani i Kotorrit, bosi i të cilit, Darko Shariq, njihej si ‘mbreti i kokainës’.
Teknikat e fshehjes së mallrave të paligjshme
Rrjeti “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” thotë se trafikantët kanë zhvilluar teknika të reja dhe më të sofistikuara për fshehjen e drogës.
Dëshmitë nga rrugët detare të Ballkanit tregojnë se droga po trafikohet me teknika që nuk kërkojnë përdorimin e kontejnerëve, duke e bërë më të rrezikshme dhe më të vështirë punën e autoriteteve zbatuese të ligjit.
Në maj 2021, Roja Bregdetare Greke publikoi një video që tregon një praktikë që është mjaft e zakonshme në Amerikën Latine, por jo shumë e përdorur përgjatë rrugëve detare të Ballkanit: zhytësit zbuluan më shumë se 46 kilogramë kokainë të fshehur pas një grile nënujore në bykun e një pjese të anijes në portin e Korintit, në Greqi.
Gjatë një operacioni në bordin e një anijeje me kontejnerë në portin e Ploces në nëntor të vitit 2021, zhytësit e policisë kroate gjetën rreth 61 kilogramë kokainë në një kuti metalike të lidhur me magnet në fundin e një anijeje nga Ekuadori ose Peruja.
Pavarësisht se ishte një teknikë tepër e njohur për agjencitë e zbatimit të ligjit në Amerikën Latine, zbulimi i përdorimit të magneteve është i pari i këtij lloji përgjatë rrugës detare ballkanike.
Kontrollorët e kontejnerëve, pika e dobët e porteve
Për ekspertët e sigurisë çelësi i të gjithë trafikut që zhvillohet nëpërmjet këtij porti, qëndron në njësinë e kontrollit të kontejnerëve. Me një mesatare prej 6.800 kontejnerësh, që futen çdo muaj në portin e Durrësit, Njësia e Kontrollit të Kontejnerëve, në përbërje të së cilës ka përfaqësues të Doganave dhe Policisë Kufitare, duket se mbetet ende një strukturë delikate.
Raporti i rrjetit thotë se të gjithë ata kontejnerë që mbërrijnë nga Amerika Latine, i nënshtrohen skanimit dhe kontrollit. Në këtë situatë ekspertët sugjerojnë të ndiqet praktika e vendeve të tjera, siç janë Holanda apo Belgjika, ku bëhet vazhdimisht ndërrimi i zyrtarëve të portit, me qëllim që të mos korruptohen nga grupet kriminale.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin prej vitit 2013 ka nisur zbatimin e Programit të Kontrollit të Kontejnerëve, që aplikohet në 21 porte të ndryshme të botës. Raporti thotë se brenda një viti nëpër botë qarkullojnë për qëllime tregtare rreth 850 milionë kontejnerë dhe vetëm 2 deri në 4 për qind e tyre arrin të kontrollohet. Ata që kontrollohen, përzgjidhen duke u bazuar te vendet e origjinës, por, nëse vijnë nga Amerika Latine, janë me “alarm të kuq” dhe i nënshtrohen kontrollit.
Konfiskime të mëdha të drogës, por asnjë procedim i krerëve të organizatave kriminale
Konfiskimet e mëdha të drogës shpesh pasohen nga arrestimet e “peshqve të vegjël”, megjithatë ka pak ndjekje penale të krerëve ose përpjekje për të ndjekur rrugët e dërgesave me qëllim kapjen e “peshqve të mëdhenj”.
Ky raport zbaton qasjen e ‘pikave të nxehta’ që është përdorur nga Observatori i Ekonomive të Paligjshme të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në Evropën Juglindore për të analizuar krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor, si dhe aktivitetet e grupeve kriminale nga vendet e Ballkanit Perëndimor në pjesë të tjera të botës.
Sipas autorëve të këtij raporti, grupet kriminale ballkanike, janë forcuar shumë viteve të fundit. Ato kanë shtrirë aktivitetin përtej Evropës, duke zbarkuar drejt vendeve të Amerikës Latine, që janë furnizueset kryesore të tregut me pluhurin e bardhë.
Autorët e raportit rekomandojnë më shumë bashkëpunim ndërmjet menaxherëve të portit, oficerëve të policisë, kompanive të transportit detar dhe agjencive doganore përgjatë rrugëve të njohura të trafikut, si ajo mes Amerikës Latine, Evropës Perëndimore dhe Ballkanit Perëndimor.
“Ne duhet të kalojmë nga thjesht shikimi i sigurisë së porteve në ndjekjen dhe ndërprerjen e flukseve ndërkombëtare”, shtoi Scaturro. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
A më shumë kemi konsumuar energji elektrike në shtator 2023 a në shtator 2024? ASK del me statistika
“Ajo Mal” – Një dokumentar që frymëzon dhe fuqizon vajzat dhe promovon malet e Kosovës
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
SHBA-ja sanksionon bankën ruse, Gazprombank
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje