LAJMI I FUNDIT:

​EULEX nis konvojin e ndihmave në Ukrainë, vlerësohet qëndrimi i Kosovës

​EULEX nis konvojin e ndihmave në Ukrainë, vlerësohet qëndrimi i Kosovës

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), ka nisur sot një varg ndihmash për në Ukrainë. Dymbëdhjetë automjete të EULEX-it, do t’i dhurohen policisë kufitare të Ukrainës, të cilat janë të ngarkuara edhe me gjëra ushqimore dhe mjete higjienike për t’iu shpërndarë qytetarëve ukrainas.

Përmes një ceremonie solemne të martën u nis konvoji i ndihmave për në Ukrainë. Aty u vlerësua edhe pozicioni i Kosovës karshi agresionit rus në Ukrainë, për çka u tha se Kosova përmes veprimeve po e dëshmon se e ka vendin në Bashkimin Evropian.

Shefi i misionit EULEX, Lars-Gunnar Wiegemark, tha se shpreson që këto ndihma sado pak t’i ndihmojnë Ukrainës. Ai shtoi se solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është i dukshëm në shumë mënyra.


“Natyrisht shumë qytetarë të Kosovës e dinë nga dora e parë shumë mirë se çka nënkupton të bëhesh refugjatë dhe të ballafaqohesh me agresionin. Solidariteti kosovarë karshi Ukrainës është i dukshëm në shumë mënyra, duke përfshirë ardhjen e gazetarëve ukrainas në Kosovë. Po ashtu, Kosova ka harmonizuar qëndrimet me unionin evropian, shpresoj që të ardhmen Kosova të merr pjesë në këto misione vet. Me veprime Kosova po e dëshmon se ku e ka vendin”, tha ai.

Rreshtimin e Kosovës krah vlerave evropiane e vlerësoi edhe ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Jam krenar që Kosova është rreshtuar në mënyrë të qartë krah Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë perëndimor. Kjo do të thotë se jo vetëm që ka marrë qëndrim të qartë politik nga ana e presidentes, kryeministrit dhe kuvendit, por është rreshtuar në sanksionimin ndaj Rusisë dhe duke ndihmuar refugjatëve dhe strehuar gazetarët ukrainas. Kjo është një porosi e fuqishme dhe ky demonstron tregon qartë se Kosova e ka vendin në mesin e familjeve të Bashkimit Evropian”, theksoi ai.

Ndërsa, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se Kosova qëndron fuqishëm në anën e Ukrainës dhe se i kupton mirë në atë se çka janë duke kaluar.

“Republika e Kosovës nga dita e parë e ka dënuar luftën e paparë dhe pajustifikueshme të Rusisë kundër Ukrainës. Ne qëndrojmë fuqishëm në anën e Ukrainës, jo vetëm në miratimin e rezolutës të cilën e ka miratuar në ditët e para Kuvendi, por edhe masa të tjera, duke përfshirë programin e qëndrimit të gazetarëve ukrainas në Kosovë, pastaj ndihma humanitare dhe sanksionet kundër Rusisë, Bjellorusisë dhe të tjera. Të gjitha masat e tjera politike dhe sociale që i kemi ndërmarrë, ka një arsye të vetme. Të gjithë në Ukrainë duhet të dinë se qytetarët e Kosovës e kuptojnë fare mirë me se çka jeni duke kaluar, pasi lufta në Kosovë nuk ka shumë kohë që ka ndodhur dhe qytetarët e mbajnë mend mirë. Ju lutem të shihni solidaritetin tonë si diçka normale, Kosova pret se gjithkush në Evropë të dëshmojnë, jo vetëm solidaritetin, por të përkujdesen që kjo luftë të përfundojë, duke fituar luftën Ukraina”, tha Gërvalla.

Falënderues për këto ndihma u shpreh përfaqësuesi kombëtar i kontingjentit të Ukrainës në KFOR, Ivan Nastenko, i cili tha se emocionet e tij sot janë të përziera, pasi ndihet i turpëruar që nuk gjendet me shokët e tij në Ukrainë duke luftuar, por ndihet edhe krenar që shërben krah aleatëve ndërkombëtar.

“Emocionet e mia janë të përziera sot. Në njërën anë ndjehem i turpëruar, derisa shokët e m’i janë duke sakrifikuar jetën e tyre në Ukrainë, ndërsa në anën tjetër jam shumë krenar sot që ndodhem këtu dhe shërbej krah kolegëve tanë ndërkombëtar që gjithmonë janë të gatshëm të ndajnë barrën, për çka dërgojnë sinjal se Ukraina nuk është e vetme në këtë luftë”, tha ai.

Përveç tjerash, në konvojin e ndihmave gjenden edhe rroba, thasë gjumi dhe materiale mjekësore./KP/

Në trend Lajme

Më shumë
Haxhiu për deklaratën e Prokurorisë lidhur me institucionet paralele: Skandaloze, në shërbim të kujt janë këta prokurorë?

Haxhiu për deklaratën e Prokurorisë lidhur me institucionet paralele: Skandaloze, në shërbim të kujt janë këta prokurorë?

Lajme
Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Mbyllja e strukturave paralele serbe, BE: Këto veprime bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj BE-së

Lajme
Lajçak: Takimi për të pagjeturit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë

Lajçak: Takimi për të pagjeturit dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së Serbisë

Lajme
Pas ngritjes së aktakuzës në rastin e Liridona Ademaj, flet vëllai i saj

Pas ngritjes së aktakuzës në rastin e Liridona Ademaj, flet vëllai i saj

Lajme
Mbyllja e institucioneve paralele në Kosovë, SHBA: Veprime në kundërshtim me këshillat tona më të mira

Mbyllja e institucioneve paralele në Kosovë, SHBA: Veprime në kundërshtim me këshillat tona më të mira

Mbyllja e komunave paralele të Serbisë, ambasada amerikane: Këto veprime dëmtojnë marrëdhëniet dhe aspiratat e Kosovës

Mbyllja e komunave paralele të Serbisë, ambasada amerikane: Këto veprime dëmtojnë marrëdhëniet dhe aspiratat e Kosovës

Lajme
Kalo në kategori