Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se pasi ka kërkuar një auditim të brendshëm, për kriteret e përzgjedhjes së recensentëve, gjetjet e auditorit pastaj sipas saj kanë qenë tejet shqetësuese.
“Si përgjigje të shpejtë, kam kërkuar auditim të brendshëm mbi kriteret e përzgjedhjes së recensentëve, detyrat dhe përgjegjësitë e tyre, procedurat e vlerësimit të dorëshkrimeve dhe materialeve mësimore deri në procesin final të botimit të këtyre teksteve”.
Ajo ka thënë se në gjetjet e Auditorit, janë theksuar parregullsi ligjore për vitet 2018-2019.
“Gjetjet e Auditorit janë shqetësuese! Vlerësimi i teksteve të reja shkollore të hartuara dhe botuara për vitet 2018-2019 është zhvilluar me shumë parregullsi ligjore, administrative e profesionale. Menjëherë, më 01 korrik 2022, këto gjetje i kam dorëzuar në Njësinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës”, ka shkruar ajo në Facebook.
Nagavci, është shprehur se shndërrimi i teksteve shkollore në mundësi për përfitime ilegale për grupe të ndryshme sipas saj të interesit ka ndikuar negativisht në cilësinë e tyre.
“Shndërrimi i botimit të teksteve shkollore në mundësi përfitimi ilegal për grupe të ndryshme të interesit ka ndikuar negativisht në tërësi procesin dhe cilësinë e teksteve shkollore. I bëj thirrje Policisë dhe Prokurorisë që të trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit”.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë dhe Policisë t’i trajtojnë me prioritet gjetjet e Auditorit.
“Keqpërdorimet nuk mund të ngelin të pandëshkuara. Keqpërdorimet në arsim kanë ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve tanë. Kjo është përgjegjësi e të gjithëve dhe në veçanti e organeve të drejtësisë. E keqja duhet të ndalet!”, ka shkruar ajo./Telegrafi/