LAJMI I FUNDIT:

Viksne: Ukraina po lufton për një botë demokratike, sistemi në Rusi është i korruptuar dhe i rrezikshëm

Viksne: Ukraina po lufton për një botë demokratike, sistemi në Rusi është i korruptuar dhe i rrezikshëm

Në një intervistë, ekspertja e shkencave politike nga Letonia foli për vështirësitë e të qenit fqinj i Rusisë, ndikimin rus në shtetet baltike dhe rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës në këtë kohë të vështirë.

Ajo ka thënë se propaganda ruse është një mjet i njohur i Rusisë për të shtrirë ndikimin e saj në shtetet baltike, veçanërisht në Letoni.

Ajo beson se është shumë e rëndësishme që Perëndimi dhe Bashkimi Evropian të mbështesin Ukrainën në këtë fazë, pasi Ukraina po lufton për një botë demokratike.


“Unë mendoj se ukrainasit aktualisht po luftojnë jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për një botë demokratike”, tha ndër të tjera Viksne për The Geopost.

Më poshtë mund të gjeni intervistën e plotë të Elina Viksne për The Geopost:

Si është të jesh fqinj me Rusinë?

Elina Viksne: Nuk është e lehtë. Sigurisht, është shumë e vështirë në këtë moment dhe kohë, por Rusia ka qenë gjithmonë fqinji ynë, kështu që ne kemi mësuar shumë rreth tyre dhe kemi bërë veprimet tona sipas zhvillimeve që kanë ndodhur në Rusi.

Natyrisht, Rusia ka zgjedhur një rrugë tjetër nga Letonia dhe mendoj se për një periudhë të caktuar kohore ne e kemi pranuar hapur Rusinë si kërcënimin tonë numër një për sigurinë kombëtare. Pra, ne kemi qenë gjithmonë të vetëdijshëm për rreziqet dhe kërcënimet që vijnë nga Rusia dhe sigurisht që prezantojmë politikat tona, masat tona për t’u përballur me ato rreziqe.

Sa i pranishëm është ndikimi rus në shtetet baltike?

Elina Viksne: Është një ndikim i madh, ka qenë gjithmonë. Natyrisht, kjo lidhet më së shumti me faktin se megjithëse Letonia u krijua për herë të parë në vitet 1980, që nga viti 1940 deri në vitet 1990 ne kemi qenë të pushtuar nga BRSS (Rusia), kështu që kemi pasur shumë ndikim rus historikisht për shkak të okupimit dhe natyrisht edhe sot. Të gjithë e kuptojnë se Rusia e merr shumë seriozisht sferën e saj të ndikimit.

Të gjithë kufijtë e BRSS, pjesë e të cilëve është edhe Letonia, kanë ndikim rus. Propaganda ruse ka qenë gjithmonë një mjet për Rusinë që të përpiqet të ndikojë në komunitetet tona, njerëzit tanë, politikanët tanë dhe të gjithë shoqërinë, duke krijuar një imazh për Letoninë si një “humbëse” për shkak të rënies së Bashkimit Sovjetik. Si ‘humbës’ sepse jemi në BE ose NATO, apo edhe si kërcënim për Rusinë sepse jemi anëtarë të këtyre institucioneve.

Pra, nuk është një fqinj i lehtë dhe nuk ka qenë kurrë, por ne e dimë të kaluarën tonë, ne e dimë historinë tonë dhe e kemi ditur shumë mirë këtë dhe kemi përgatitur gjërat që të jemi gati nëse diçka përshkallëzohet.

Mendoni se pas Putinit do të ketë një tjetër “Putin”, apo Rusia do të ndryshojë?

Elina Viksne: Është një pyetje e vështirë, sigurisht që askush nuk e di. Por nga këndvështrimi im, mendoj se nëse Putini largohet ose vdes ose çfarëdo tjetër, atëherë mund të ketë një lloj ndryshimi në regjim, por nuk mendoj se Rusia do të bëhet një vend demokratik brenda natës edhe nëse Putini zhduket.

Mendoj se sistemi që është ndërtuar në Rusi është shumë jodemokratik, shumë i korruptuar dhe shumë i rrezikshëm.

Është shumë vertikal, nuk është horizontal. Kështu që unë mendoj se ka një rrezik më të lartë që ne të kemi një tjetër diktator që vjen më pas.

Por sigurisht që nuk është se jam duke thënë që Putini duhet të qëndrojë, kjo do të ishte gjëja e fundit që do të dëshiroja, por nuk mendoj se sfida do të largohet nëse Putini largohet. Pjesë të mëdha të sfidës mund të ndryshojnë, por unë mendoj se historia e Rusisë dhe sistemi politik i Rusisë e kanë shumë të vështirë të ndryshojnë. Duhet të ketë diçka të madhe që Rusia të ndryshojë kursin e saj drejt një vendi më demokratik.

Pse është e rëndësishme të mbështesim Ukrainën sot? Perëndimi në përgjithësi, por veçanërisht Bashkimi Evropian.

Elina Viksne: Unë mendoj se ukrainasit aktualisht po luftojnë jo vetëm për vendin e tyre, por edhe për një botë demokratike.

Do të doja të them gjithashtu se ata po luftojnë për të ardhmen e Rusisë, sepse mendoj se kur ukrainasit të fitojnë, ka mundësi që Rusia të ndryshojë. Siç thamë më parë, nuk do të jetë një ndryshim i lehtë, një ndryshim brenda natës, por mendoj se fitorja e Ukrainës mund ta ndihmojë Rusinë të ndryshojë për mirë, sepse nga këndvështrimi im rusët po jetojnë ende në Luftën e Dytë Botërore. Ata mendonin se ishin fituesit e Luftës së Dytë Botërore, ndërsa në të vërtetë ata ishin agresorë në atë kohë.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të mbështesim Ukrainën në mënyrë që të mund të jetojmë në një botë më demokratike ku respektohen rregullat dhe ligjet. Unë mendoj se të gjithë duan të jetojnë në një botë ku mund të ndjehen të sigurt dhe mendoj se nëse rusët nuk humbasin në Ukrainë, nivelet e kërcënimeve dhe rreziqeve të tyre vetëm do të rriten dhe bota do të jetë një vend shumë më i rrezikshëm se sa është.

Letonia po bën gjithçka që mundet për të mbështetur Ukrainën, sepse ne mendojmë se Rusia duhet të mposhtet në Ukrainë dhe ne besojmë se ukrainasit mund ta bëjnë këtë.

Sa i rëndësishëm është aplikimi i Finlandës dhe Suedisë në NATO për shtetet baltike?

Elina Viksne: Kjo është shumë e rëndësishme. Do të ishim të lumtur që t’i kemi në NATO. Sepse po të shikosh në hartën e NATO-s, vendet baltike janë si në vijën kufitare me Rusinë.

Nëse Finlanda dhe Suedia bashkohen, ne patjetër do të ndihemi më të sigurt. Sigurisht, ne kurrë nuk i kemi konsideruar Finlandën dhe Suedinë si vende të rrezikshme, por tani mendojmë se mund ta ndajmë sigurinë tonë me ta dhe do të përfitojmë, rajoni ynë do të bëhet më i sigurt. Nëse ndodh diçka, ne e dimë se ndihma jonë është pikërisht përtej detit Baltik në veri. Pra, ne me të vërtetë presim që t’i kemi në NATO.

Pikëpamjet e shprehura në këtë intervistë janë personale dhe nuk përfaqësojnë asnjë nga punëdhënësit e saj të mëparshëm apo aktual”./The Geopost/

Në trend Botë

Më shumë
Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Teksa po fluturonte me aeroplan 'mbi llavën e zjarrtë të tij', turistja filmon shpërthimin spektakolar të vullkanit në Islandë

Evropa
NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente pas sulmit të Rusisë me raketa të reja hipersonike

NATO dhe Ukraina do të zhvillojnë bisedime urgjente pas sulmit të Rusisë me raketa të reja hipersonike

Botë
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë

Evropa
Shkoi për t'i ndihmuar Putinit, ukrainasit plagosin një gjeneral nga Koreja e Veriut në Rusi

Shkoi për t'i ndihmuar Putinit, ukrainasit plagosin një gjeneral nga Koreja e Veriut në Rusi

Botë
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Brenda fabrikës së armëve të Koresë së Jugut që mund ta furnizojë Ukrainën

Azia
Kalo në kategori