LAJMI I FUNDIT:

Qëllimi i pushtetit është pushteti

Qëllimi i pushtetit është pushteti

Nga: George Orwell (pjesë nga vepra “1984”)
Përktheu: Çelo Hoxha

… Tani do të të sqaroj pyetjen time, përgjigjja e së cilës është: Partia e kërkon pushtetin vetëm për qëllimet e saj. Nuk na intereson mirëqenia e të tjerëve, ne jemi të interesuar vetëm për pushtetin.

S’bëhet fjalë për pasuri, luks, jetëgjatësi apo lumturi, por vetëm pushtet, pushtet i kulluar. Se çfarë nënkuptohet me pushtet të kulluar do ta kuptosh tani.


Ndryshimi mes nesh dhe oligarkive të së shkuarës qëndron në faktin që ne jemi të vetëdijshëm për atë që bëjmë. Gjithë të tjerët, bile edhe ata të ngjashëm me ne, qenë frikacakë dhe hipokritë. Nazistët gjermanë dhe komunistët rusë përdorën gati të njëjtat metoda me ne, por ata nuk e patën kurrë kurajon që t’i bënin të njohura motivet e tyre. Ata pretendonin, e ndoshta e besuan, që e kishin marrë pushtetin pa dëshirë dhe vetëm për një afat kohor të shkurtër dhe pas kthesës më të afërt shtrihej parajsa ku njerëzit do të ishin të lumtur dhe të barabartë. Ndërsa ne nuk jemi si ata. Ne e dimë që askush nuk e merr pushtetin me qëllim që të heqë dorë prej tij.

Pushteti nuk është mënyrë, por fund. Njeriu nuk vendos diktaturën të mbrojë revolucionin, por bën revolucionin që të vendosë diktaturën. Qëllimi i persekutimit është persekutimi. Qëllimi i torturës është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti. Fillove të kuptosh ndonjë gjë?