LAJMI I FUNDIT:

Turqia burgos nipin e Fethullah Gylen me akuza për terrorizëm

Turqia burgos nipin e Fethullah Gylen me akuza për terrorizëm

Nipi i Fethullah Gylen është burgosur me akuza për terrorizëm, sipas mediave turke.

Selahaddin Gylen u dënua të martën në Ankara me tre vjet e katër muaj burg për “kontribut në një organizatë terroriste”, përcjell Telegrafi.

Ai kishte qenë subjekt i një Njoftimi të Kuq të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Turqisë dhe u arrestua në Kenia në tetor të vitit 2020.


Gruaja e Selahaddinit gjithashtu u “kap” në maj të vitit 2021, sipas agjencisë së lajmeve Anadolu.

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e ka akuzuar Fethullah Gylenin si organizator të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016 dhe e ka etiketuar atë si “udhëheqës terrorist”.

Gyleni, një ish-aleat i Erdoganit që është duke jetuar në Shtetet e Bashkuara, thotë se ai drejton një rrjet paqësor OJQ-sh dhe biznesesh dhe mohon çdo përfshirje në përpjekjen për grusht shtet.

Dhjetëra mijëra njerëz janë arrestuar që nga grushti i dështuar i shtetit, të akuzuar se i përkasin lëvizjes së Gylenit.

Ankaraja po gjurmon gjithashtu anëtarë të dyshuar të rrjetit Gylen jashtë vendit dhe pretendon se ka “riatdhesuar” disa dhjetëra njerëz që nga viti 2016. /Telegrafi/