LAJMI I FUNDIT:

Largohen drejt SHBA-ve edhe 150 afganë, Hovenier: I detyrohemi shumë Kosovës për strehimin e tyre

Largohen drejt SHBA-ve edhe 150 afganë, Hovenier: I detyrohemi shumë Kosovës për strehimin e tyre

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier, ka bërë të ditur se sot së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë përcjell 150 afganët të cilët ishin strehuar më parë në kampin e Bondsteel.

Ambasadori ka bërë të ditur se të njëjtit pasi i janë nënshtruar kontrollove mjekësore dhe verifikimit të sigurisë, të njëjtit janë nisur rrugës për në SHBA.

“Sot në mëngjes, me ministrin Xhelal Sveçla përcjellëm 150 afganët, të pritur më parë në Kampin Liya/Bondsteel. Pasi kanë kaluar të gjitha kërkesat e verifikimit të sigurisë dhe mjekësore, ata tani janë rrugës për në SHBA ku do të fillojnë jetën e tyre të re në komunitete dhe shtëpi të reja”, ka shkruar ambasadori në Twitter.


Hovenier ka thënë se i janë mirënjohës dhe i detyrohen shumë Kosovës për strehimin e përkohshëm të shtetasve afganë.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës dhe i detyrohemi shumë Kosovës për ofrimin e strehimit të përkohshëm për këta afganë të pambrojtur në kohën kur ata patën nevojë. Bujaria juaj jo vetëm që shpëtoi jetë, por siguroi që këta afganë dhe familjet e tyre të kenë mundësi për të ndërtuar jetë të re në SHBA”, ka shkruar ambasadori.

Mbi 1,300 shtetas afganë kishin gjetur strehim në Kosovë qysh në muajin gusht, kur militantët talibanë morën pushtetin në Afganistan. /Telegrafi/