LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari thotë se ua kishte dhënë mbi 37 mijë euro dhe një veturë që Ardian dhe Lavdim Krasniqi t’ia kthejnë lëndën në rigjykim

Dëshmitari thotë se ua kishte dhënë mbi 37 mijë euro dhe një veturë që Ardian dhe Lavdim Krasniqi t’ia kthejnë lëndën në rigjykim

Në gjykimin për korrupsion ndaj Lavdim Krasniqit dhe të tjerëve, dëshmitari bashkëpunues Bashkim Mulolli ka deklaruar se kohë pas kohe Ardian Krasniqit ia kishte dhënë diku 37 ose 38 mijë euro, duke përfshirë qiranë e shtëpisë e duke mos e llogaritur armën dhe veturën.

Një deklarim të tillë dëshmitari bashkëpunues e bëri në seancën e mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit se si kishte ndodhur ngjarja ai ka thënë se Ardian Krasniqi i kishte thënë se ne kemi me ta krye punën.


“Unë kam qenë i dënuar me 4 vjet e 7 muaj ku më është hequr 1 vjet nga Apeli edhe mu kanë vërtetu 3 vjet e 7 muaj. Unë e kam taku Ardian Krasniqin përmes disa shokëve edhe Ardiani më ka thënë që ta kryej punën dhe lëndën do ta kthejmë në rigjykim”.

Ai ka thënë se pas dy tri dite është takuar përsëri në kafenen “Sole” në lagjen “Dardani” në Prishtinë me Ardian Krasniqin, i cili kishte ardhur me veturë zyrtare të Lavdim Krasniqit duke i thënë se kjo punë është kthyer në rigjykim.

“Unë e kam thirr avokatin tim Florent Latifin dhe i thash se kjo punë u kthye në rigjykim e Florenti tha se kjo s’ka shanca mu kry se është vërtetu në Supreme dhe gjithkund. Pas pak Florenti na ka thirr sa isha duke ngrënë bukë me Ardianin dhe më tha se qat 7 muajshin ta kanë bo 1 vit, ndërsa për at 3 vitshin është kthyer në rivendosje.”

Ai ka thënë se po të njëjtën ditë i kishte 5000 euro me vete dhe kishte lutur Ardianin t’i marr ato, por që i njëjti kishte refuzuar.

“Unë e kam lut Ardianin atë ditë a po don pare por nuk mi ka marr, i kam pas 5000 euro me veti ama nuk i murr, një armë e kam pas me veti dhe të njëjtën ja kam dhënë sepse më ka thënë se kjo pom duhet dhe më tha se jam në zor për një shtëpi për me qera”.

Dëshmitari bashkëpunues tha se po të njëjtën ditë bashkë me një shok të tyre kishin shkuar për ta parë një shtëpi me qera mbrapa “Grand Stores” në lagjen “Qëndresa”, e cila kishte qenë e shokut të tij Fahrisë dhe për këtë shtëpi ia kishte paguar qeran për 1 vit në vlerë prej 4800 euro si dhe shërbimet e internetit.

Në pyetjen e prokurorit se si kishte arritur Ardian Krasniqi çështjen ta kthej në rigjykim, a i kishte kryer vet atë punë apo përmes dikujt tjetër? dëshmitari bashkëpunues tha se Ardiani i kishte treguar se me këtë çështje është duke e ndihmuar Lavdim Krasniqi dhe babai i avokatit të tij Haxhi Millaku.

Tutje dëshmitari bashkëpunues ka deklaruar se avokati Florent Latifi i kishte thënë se këtë punë do të mund ta kryente vetëm Lavdimi.

I pyetur se në momentin kur është kthyer lënda në rivendosje a i kishte dhënë të holla Ardianit, dëshmitari Mulolli tha se i kishte dhënë 7-8 herë apo 10 herë.

“Herën e parë ja kom dhanë 2000 euro të cilat mi ka kërku, dhe mbas 1 dite apo 2 mi ka kërkuar prapë 3000 euro, më tha që pom vyn për mi ble disa sende për shpi ku jam vendosur, tani mi ka lyp 2000 euro për djalë të shefit për me ja pagu shkollën në Shqipëri ku unë ja kom pa vet mesazhat tu fol me to ku Lavdimi i ka thënë lypja Bashkimit dhe unë ja kam dhënë ato të holla”.

Në pyetjen e prokurorit se si ishte takuar me Lavdim Krasniqi, dëshmitari bashkëpunues  tha se duke dal nga parkingu nga banesa e tij në Dragodan me veturën e tij “VW T-Roc”, e kishin parë Ardiani bashkë me Lavdimin me ç’rast Ardiani e kishe prezantuar me shefin e tij Lavdimin.

“Pas 3-4 dite më ka thirr Ardiani dhe më ka thënë a bon me shku me kqyr qat kerr dhe a na jep, pasi që më ka thënë se Lavdimi e ka për femnën e vet, unë i kam tregu Ardianit se qika jem është në Veternik me to. Mbas 1 dite a 2 më ka thirr në telefon Ardiani dhe më ka thënë se po vijm pe marrim kerrin pasi që ju ka pelqy, dhe ka ardh Ardiani, Lavdimi dhe Marigona, kemi hyrë në “Grand Store” në “Gizzi dhe kur kemi dal ja kam dhënë çelësin Marigonës. Ata ma kan lyp edhe tjetrin çelës mirëpo unë nuk ja kam dhënë me qëllim me dal me jau mar kerrin pasi që nuk i kam besu shumë se çdo ditë më lypke pare”, ka thënë dëshmitari bashkëpunues.

Tutje, Mulolli tha se atë ditë fillimisht ia kishte dhënë 15.000 euro Ardianit pasi i kishte thënë se i duheshin për një transaksion, dhe pasi që vetura e kishte xhamin e krisur Marigona e kishte dërguar veturën për riparim të xhamit për të cilin ia kishte dhënë edhe 250 euro Ardianit i cili i kishte thënë se edhe 150 euro i kishte shtuar për ta rregulluar atë xham.

Tutje ai tha se veturën ia kishte dhënë për t’ia kryer punën, pra për t’ia kthyer lëndën në rigjykim.

“Këto fjalë mi ka thënë Ardiani por edhe Lavdimi më ka thënë që këna mi mshel krejt në prezencë të Marigonës kur kemi qenë në “Gizi”, dhe Ardiani më ka thënë se masi e kam shti Lavdimin në këtë punë kurrë mos të intereson pasi që krejt i kryn”, tha Mulolli.

I njëjti shtoi se pas 2-3 dite pasi që ia kishte dhënë veturën, Ardiani e kishte telefonuar duke ia kërkuar 1500 euro urgjentisht me arsyetimin se i duhen për t’i kryer disa pagesa pasi që kishte marrë pasaportën e Shqipërisë.

“Unë ja dhash 1400 euro e  tani më kanë thirr për me përkthy kerrin dhe ju thash që kerri nuk është në emrin tem dhe nuk mundemi me përkthy se është në emër të Hysit i cili ka qenë duke shkuar në Shqipëri. Unë e thirra Hysin dhe i thash që duhet mu kthy pasi që i kam tregu se qysh e kam jep veturën. Pastaj Hysi ka shkuar te një noter tek OSBE dhe pas 3-4 minutave kam mrri edhe un aty ku prezent kanë qenë Hysen Sadiku, Lavdim Krasniqi dhe Marigone Berisha dhe nuk më kujtohet se a kam nënshkruar ndonjë send pasi që kerri nuk ka qenë në emrin tem dhe ka qenë pronë e Isen Sadikut”, ka thënë ai.

Mulolli tutje tha se në formë të transaksionit bankar kishte pranuar një shumë prej 7000 euro të holla të cilat kishin qenë të tij që ia kishte dhënë paraprakisht Ardianit.

I pyetur nga prokurori se pasi që vetura e tipit “VW T-Roc” kishte qenë në emër të Iset Sadikut pse është bërë transaksion në shumën prej 7000 euro nga Marigona, dëshmitari bashkëpunues tha se Ardiani e dinte që Hysi i ka punët keq dhe ato para nuk do t’ia kthente.

Tutje ai ka thënë se e kishte pyetur Ardianin edhe sa para ia kishte borxh për krejt këtë punë, ndërsa i njëjti i kishte thënë edhe 15.000 euro të tjera.

“Mbas disa dite mi ka lyp 2000 euro dhe më tha që ko me ja pagu shkollën djalit të shefit, e mbas 3-4 ditë unë kam shkuar në Shqipëri dhe më ka thirr duke më thënë se po më duhen 2000 euro urgjent sepse ma kanë marr kerrin zyrtar peng në një parking në rrugën B dhe s’kam qare pa jau qu se më bohet puna llug. Unë kam qenë në Shqipëri i kam thënë shko merri te një shok i jemi Blerim Potera, e kur jam kthyer nga Shqipëria Ardiani më tha më pshtove se kesh tu i hup me qka ka”, tha ai.

Ai po ashtu tha se “mbas 3 -4 dite mi ka lyp edhe ato 15 mijë euro të cilat kisha me ja dhanë, un me veti i kisha 5000 euro ja dhashë ato dhe i thash shko meri edhe 5000 euro që i kisha te shtëpia dhe ia ka dhënë djali im s’jam i sigurt a Albi apo Andi”.

I pyetur nga prokurori  se  shumën prej 15.000 euro që ia kishte dhënë Ardianit a i kishte marrë ato para për vete, dëshmitari bashkëpunues tha se ato para dihet që i ka marrë Ardiani dhe Lavdimi pasi që Marigona kishte marrë kerrin dhe kishte dal nga kjo.

Tutje dëshmitari bashkëpunues ka thënë se pas një kohe djali i tij kishte një problem bashkë me djalin e vllaut të tij për të cilin e kishte pyetur Ardianin se si ta rregullonte këtë punë.

“Shkova te Ardiani i thash qysh me ja ndreq punën, ai foli me Lavdimin e tha duhet Guri Mulollin me dorëzu në polici pasi që foli me Lavdimin dhe e ndreqi punën. Unë e kam qu Gurin në polici bashkë me avokatin Naim Rudarin, të cilin e kanë ndaluar për 48 orë dhe i thash Ardianit çka është puna e aj më tha se e nxjerrim pa i bo 48 orë”, ka shtuar Mulolli.

Ai tha se “Ne kemi qenë duke nejt në Baron, bashkë me Ardianin, i thash a po ma kryni punën, dhe i thash thuj Lavdimit mos tvi te puna, dhe Lavdimi më tha aman zaman mos më hajde te puna se qe po shkoj te prokurori, ku pastaj edhe Ardiani ka shkuar në prokurori te kryeprokurori dhe ma ka lëshuar kamerën dhe unë e kam parë Lavdimin hyrë në prokurori”.

Tutje ai tha se Gurin e kishin dërguar në paraburgim për  1 muaj, ndërsa Ardiani dhe Lavdimi i kishin thënë se nuk do ta lenin Gurin në burg mirëpo Albin duhet me dërgu në Shqipëri deri sa ta nxjerrin Gurin nga paraburgimi.

“Një ditë e kam thirr Ardianin e kemi shkuar te shpija e tij dhe i thash hajde se pe qojm Albin në Shqipëri me kerr zyrtar të Lavdimit, i cili na tha qone nuk osht problem. Unë jam nis nga Podujeva te rrethi i autostradës ja kom qit Ardianit djalin Albin, ndërsa un me shokun tim Hysin jemi nis me kerrin tem. Gruja dhe djali i Albit kanë qenë me baballak të tij në një kerr tjetër dhe i kemi quar e hala pa hy te tuneli në Shqipëri kemi pirë kafe. Unë me shokun tim dhe baballakun e Albit jemi kthyer këndej ndërsa ata e kanë vazhduar rrugën për Shqipëri”.

Ai tha se pas 10 dite apo 2 jave pasi  kishte shkuar për ta parë Albin me nënën e tij një shok e kishte telefonuar duke e njoftuar se ishte lëshuar një fletë arrest për të.

“E kom thirr Ardianin menjëherë i cili më ka thënë se nuk tu ka leshu për at punën që ta kom kry une, dhe më ka thënë se unë vi të marr te kufini”.

Tutje ai ka thënë se të nesërmen policia e kishin ndalur me fletë arrest me ç’rast kishte shkuar në stacionin e policisë ku kishte biseduar me Ardianin i cili i kishte thënë “mos ta nin se të nxjerr si gjith” dhe pas kësaj ai tha se kishte shkuar në vuajtje të dënimit.

“Masanej kam qu fjal përmes shokëve të mi edhe s’ju ka lajmëru asnjove. Unë i kam thënë bile kryma punën e djemve të mi, ju kam qu selam kthemi paret sepse ne jemi marrë vesh për me mu kry puna po aj ska dasht me ni”, tha Mulolli.

I pyetur nga prokurori se cila kishte qenë arsyeja e depërtimit të tij në Shqipëri, ai tha se djali i tij kishte pasur një tentim vrasje ku kishte plagosur 2 persona dhe Ardiani bashkë me Lavdimin i kishin thënë se ka shumë rrezik deri sa të rregullohet puna e Gurit e pastaj do ta kryenin këtë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit se gjatë kohës sa kishte qenë duke shkuar Albi në Shqipëri me veturë zyrtare, a kishte kërkuar të holla të tjera Ardiani, ai tha se vetëm me zor isha lëshuar në gjep 200-300 euro pasi që Ardiani i kishte thënë që pa e kryer punën nuk ka nevojë. Dhe Ardiani dhe Lavdimi ka shumë rrezik deri sa ta ndreqi punën e Gurit e tani i kryjm edhe kta.

Tutje prokurori ia rikujtoi një deklaratë të dhënë në prokurori ku dëshmitari bashkëpunues kishte deklaruar se gjatë kohës sa kishte qenë në vuajtje të dënimit kishte ardhur një i njohur i cili kishte pasur lidhje me Lavdimin, Ardianin dhe Marigonën, me c’rast i kishin ofruar që t’ia kthenin 65 mijë euro në mënyrë që  të tërhiqej nga deklarata nga ky rast, ku kishte deklaruar se u kishte dhënë 65 mijë euro, në kudër të kësaj shume përshirë edhe veturën për t’ia  hequr dënimin për veprën penale për të cilën ishte akuzuar dhe dënuar.

Lidhur me këtë dëshmitari bashkëpunues ka thënë se po Lavdimi ia kishte dërguar një njëri dhe lidhur me këtë mund të nxirren të dhënat në paraburgim të Prishtinës.

Ai po ashtu tha se edhe  në Burgun e Dyzit ia kishte dërguar një person tjetër.

“Nëse është nevoja do t’ia përmendi edhe emrin edhe pse është i rrezikshëm, vrasës me pagesë është, e din Lavdimi kush osht ai, tha Mulolli.

I pyetur nga avokati Ramë Gashi se a ka njohuri se Prokuroria lidhur me këtë rast ka pushuar procedurën hetimore ndaj tij, dëshmitari bashkëpunues deklaroj se dëshiron të angazhoj mbrojtës për shkak të paqartësisë së disa pyetjeve dhe disa termeve .

Prokurori është pajtuar lidhur me këtë propozim pasi që i njëjti është në cilësi të dëmtuarit dhe dëshmitarit.

Pas kësaj kryetari i trupi gjykues gjykatësi Alban Ajvazi ka aprovuar propozimin e dëshmitarit  duke ndërprerë seancën e sotme.

Seanca e radhës do të mbahet me 23 mars në ora 09:00

Paraprakisht në këtë seancë është dhënë edhe fjala hyrëse nga palët në procedurë.

Prokurori i shtetit Zejnullah Gushi ka thënë se nga dëshmitari bashkëpunues, i dëmtuari Bashkim Mulolli si dhe dëshmitarët tjerë të propozuar të dëgjohen gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor dhe nga provat materiale të propozuara do të vërtetohen veprat penale që iu vihen në barrë të akuzuarve dhe të njëjtit do të shpallen fajtor.

Fjalën hyrëse të prokurorit e ka mbështetur dëshmitari bashkëpunues, i dëmtuari Bashkim Mulolli.

Ndërsa, në anën tjetër mbrojtësit e të akuzuarve avokatët Ramë Gashi, Miftar Qelaj, Fatlum Podovorica dhe Visar Qelaj kanë kundërshtuar fjalën hyrëse të prokurorit Gashi duke thënë se gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se aktakuza nga prokuroria është e pabazuar dhe të mbrojturit e tyre do të lirohen.

Avokati Gashi ka thënë se dispozitivit të aktakuzës i mungon përshkrimi për mënyrën e kryerjes së veprës penale dhe dëshmitari bashkëpunues është provë me të cilën nuk mund të mbështet asnjë vendim fajësues sepse sipas tij, i njëjti ka përfituar në mënyrë jo të ligjshme duke dhënë deklarata të pa mbështetura në fakte konkrete për të mbrojturin e tij Lavdim Krasniqin dhe në përgjithësi për të gjithë çështjen penale.

Ai ka thënë se do të vërtetohet se procedura për blerjen e mobileve është zhvilluar nga njësia përkatëse e që është divizioni i prokurimit të sekretariatit të KPK-së dhe atë sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Pretendimet për gjoja shkeljet e ligjit do të vërtetohen të paqëndrueshme, nuk do të vërtetohet shkelje e ligjit të prokurimit publik përkundrazi në rastin konkret do të ishte mos respektim i ligjit të prokurimit nëse nuk do të procedohej në mënyrë siç është proceduar në rastin e kërkesës për blerjen e mobileve nga ana e kryesuesit të KPK-së si njësi kërkuese në rastin konkret. Do të jetë mjaftueshëm e qartë se Lavdim Krasniqi nuk ka qenë kompetent për zhvillimin e procedurave të prokurimit me përjashtim të nënshkrimit të kërkesës për inicimin e procedurës e cila është bërë sërish nga njësia kërkuese zyra e kryesuesit të KPK-së”, tha avokati Gashi.

Po ashtu sipas avokati Gashi, deklarimi i pasurisë nga Lavdim Krasniqi edhe pse nën masën e sigurisë ishte bërë përmes postës elektronike duke deklaruar tërë pasurinë që posedonte siç edhe përcaktohet me ligj.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Ardian Krasniqi, avokati Miftar Qelaj ka thënë se në asnjë moment aktakuza nuk saktëson se ndaj kujt është ushtruar ndikim dhe kjo aktakuzë mbështetet vetëm në një provë dhe atë në dëshminë e dëshmitarit bashkëpunues.

“Kjo është në kundërshtim me dispozitat procedurale sepse një i dyshuar nuk mund të ndiqet penalisht e as të shpallet fajtor duke u mbështetur vetëm në një provë të tillë”, tha Miftari.

Sipas tij, edhe sa i përket veprës së dytë “Falsifikim i dokumenteve” me të cilën ngarkohet i akuzuari Ardian Krasniqi aktakuza mbështetet në prova të papranueshme edhe mbrojtja do të insistoj që në fazën e administrimit të tyre të kërkojë nga trupi gjykues shpalljen e tyre si të papranueshme duke sqaruar se në këto prova nuk janë siguruar në mënyrë të ligjshme, nuk janë të besueshme dhe si të tilla nuk mund të kenë fuqi provuese e as që mund të përdoren si provë në procedurën penale.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarës Marigonë Berisha ka thënë se e mbrojtura e tij nuk e kishte blerë veturën nga dëshmitari bashkëpunues sepse i njëjti kishe pasur vetëm cilësinë e personit të autorizuar dhe pronar i automjetit në fjalë sipas kontratës noteriale ka qenë “Hysi” Sh.P.K dhe se e njëjta nuk ka mundur ta dijë që ajo është rezultat i një vepre penale.

Ai po ashtu ka thënë se e mbrojtura e tij 4 ditë para blerjes së veturës kishte marrë një kredi në bankë dhe këtu nuk kemi të bëjmë me asnjë dhuratë por kemi të bëjmë me një shitblerje e cila është bërë në harmoni të plotë me ligjin.

Po ashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarës Flora Doda ka thënë se me asnjë provë të bashkëngjitur kësaj akuze dhe me asnjë dëshmitar nuk do vërtetohet se e mbrojtura e tij mund të ketë kryer veprën penale që i vihet në barrë.

“Sipas ligjit për prokurim publik në një institucion ekziston një zingjir i personave që merren me aktivitet të prokurimit që nga njësia kërkuese e deri te komisioni për vlerësimin e ofertave dhe nënshkruesi i kontratës. Në këtë akuzë dhe për këtë çështje në tërë atë hallk akuzohet vetëm e mbrojtura ime”,  tha mbrojtësi i të akuzuarës Doda.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar në këtë rast është mbajtur më 6 tetor 2021, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë më 25 nëntor 2021 kishte aprovuar pjesërisht kërkesat e mbrojtësve të akuzuarve Lavdim Krasniqi e Marigonë Berisha duke hudhur poshtë dy pika të aktakuzës ndaj Krasniqit me të cilat ngarkohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe Berishës për veprën penale “blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” si dhe ka shpallur të papranueshme si provë një CD dhe transkriptimin e saj.

Kurse, ajo ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “ushtrim ndikimi” dhe “mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “ushtrim ndikimi”, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Për Marigonë Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve”. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mirëpo Gjykata e Apelit më 4 shkurt 2022 ka ndryshuar vendimin e shkallës së parë, me ç’rast ka vendosur që Lavdim Krasniqi të gjykohet edhe për dy pikat e aktakuzës për korrupsion. Ndërsa ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë që CD të shpallet si provë e papranueshme.

Gjithashtu, Apeli ka anuluar vendimin e shkallës së parë edhe sa i përket të akuzuarës Marigona Berishës për veprën penale “Blerja, posedimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe çështjen e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje në shkallën e parë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 13 gusht 2021 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Lavdim Krasniqi në cilësinë e drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial (KPK) dhe Ardian Krasniqi në cilësinë e shoferit të tij personal akuzohen se nga janari i vitit 2018 e deri në fund të vitit 2019, në bashkëkryerje, në vazhdimësi, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga Bashkim Mulolli.

Siç thuhet në aktakuzë, përmes të akuzuarit Ardian Krasniqi disa herë të njëjtit kanë pranuar të holla, duke arritur shifrën prej 40 mijë euro, si dhe dhuratë, një veturë në vlerë prej 25 mijë euro, për asistenten e të akuzuarit Lavdim Krasniqi, të akuzuarën Marigonë Berisha.

E që këto përfitime sipas aktakuzës, janë pranuar nga të lartcekurit duke premtuar se do të ushtrojnë ndikimin e tyre mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, për uljen e dënimit, sipas Kërkesës për Mbrojtje të ligjshmërisë, për të dënuarin Bashkim Mulolli, si dhe të shtyhet ekzekutimi i dënimit për te njëjtin.

Me këto veprime prokuroria i ngarkon ata se në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”.

Tutje, prokuroria i ngarkon Marigonë Berishën dhe Ardian Krasniqi se veç e veç kanë kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.

Sipas aktit akuzues, e akuzuara Berisha më 16 dhjetor 2019 kishte falsifikuar dokumentin më të cilin ajo pretendonte se në zyrën e noterit Safadin Blakaj i ka paguar Bashkim Mulollit shumën prej 8 mijë e 400 euro dhe dënimet kundërvajtëse në vlerë 600 euro, e që më pas është konstatuar se nënshkrimi i Mulollit në këtë dokument nuk është i tij.

Ndërsa, Ardian Krasniqi po akuzohet se më 19 gusht 2020 kishte falsifikuar testin e COVID-it me të dhënat e Bashkim Mulollit, se kinse ky i fundit kishte rezultuar pozitiv, më të cilin test do t’i mundësohej të njëjtit shtyrja e ekzekutimit të dënimit.

Aktakuza Lavdim dhe Ardian Krasniqin i ngarkon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktin akuzues thuhet se dy të akuzuarit Krasniqi, për shkak të obligimeve që kishin ndaj Bashkim Mulollit kishin keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, ashtu që kishin penguar arrestimin e Albi Mulollit i cili ishte i dyshuarit për kryerjen e vrasjes se rënde në tentative, duke ia mundësuar këtij të fundit arratisjen nga Kosova për në Shqipëri më veturën zyrtare të akuzuarit Lavdim Krasniqi.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Lavdim Krasniqi ngarkohet edhe për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” në bashkëkryerje me Flora Dodën, pasi që në cilësinë e personave përgjegjës kishin shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik.

Prokuroria pretendon se në muajin shkurt të vitit 2021, të akuzuarit Krasniqi dhe Doda, kanë predikuar fituesin dhe kanë diskriminuar operatorët e tjerë ekonomik, duke favorizuar operatorët ekonomik (OE) “Graniti Shpk” dhe “Solos Studios“ si dhe përkundër vendimit të Sekretariatit të KPK-së, në fillim të vitit kalendarik, i cili në kuadër planifikimit të prokurimit kontrata e KPK-së ka qenë e lidhur me OE, “Mobeland Shpk”. Të njëjtit kanë porositur dhe pranuar mobile në vlerë prej 9 mijë e 480 euro, e që pas disa ditësh është lidhur kontrata dhe janë zhvilluar procedura fiktive në kundërshtim me ligjin.

Gjithashtu, Lavdim Krasniqi akuzohet edhe për mosdeklarim të pasurisë, pasi që sipas prokurorisë, i akuzuari Krasniqi më 31 mars 2020 në deklaratën për deklarim të pasurisë nuk ka përfshirë shumën e të hollave prej 40 mijë euro, të cilat i ka pranuar nga Fitim Arifi për shitjen e banesës, si dhe të hollat në shumën prej 10 mijë euro, të cilat ia ka dhënë mikut të tij Alush Zariqi, në emër të blerjes së dy banesave.

Krejt në fund, prokuroria e ngarkon Marigonë Berishën edhe për veprën penale ”Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituar me kryerjen e veprës penale”, sepse më 16 dhjetor 2019 e ka pranuar një veturë në vlerë prej 25 mijë euro nga Bashkim Mulolli edhe pse ka qenë e vetëdijshme se kjo veturë ishte fituar më vepër penale të shkaktuar nga Lavdim dhe Ardian Krasniqi./betimiperdrejtesi/

Në trend Lajme

Më shumë
Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

Vrasja e trefishtë në Gllogjan, dëshmitarët tregojnë për sjelljen e të akuzuarve në natën kritike

Drejtësi
Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake - Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

Konfiskohen armë, municion dhe pajisje ushtarake - Policia jep detaje nga aksioni në Zveçan

Kronika e Zezë
Rama i hap rrugë privatizimit të banesave komunale në Prishtinë

Rama i hap rrugë privatizimit të banesave komunale në Prishtinë

Prishtina
Mësohet data e publikimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Mësohet data e publikimit të rezultateve përfundimtare të regjistrimit të popullsisë në Kosovë

Lajme
Rezidenca e Presidentit Rugova drejt përfundimit të restaurimit, Kurti dhe Çeku vizitojnë punimet

Rezidenca e Presidentit Rugova drejt përfundimit të restaurimit, Kurti dhe Çeku vizitojnë punimet

Lajme
Presidentja Osmani shfrytëzon të drejtën e vetos, ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim

Presidentja Osmani shfrytëzon të drejtën e vetos, ia kthen Kuvendit dy ligje për rishqyrtim

Lajme
Kalo në kategori