LAJMI I FUNDIT:

Jo veç shtrenjtë, por edhe sasi të kufizuara të naftës në Kosovë

Jo veç shtrenjtë, por edhe sasi të kufizuara të naftës në Kosovë

Sasia e derivateve të naftës, që mund të blihet në tregun e Kosovës, është e kufizuar në disa të pika të shitjes, thonë pronarë të kompanive dhe anëtarë të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Disa furnizues veçse kanë ndërprerë shitjen e derivateve për Kosovën.

Kjo po ndodh në mesin e një krize të furnizimit me këtë produkt në Evropë, që ka ndikuar edhe në rritjen e çmimit të tij.

Çmimet dhe kërkesa për naftë janë rritur në tregjet ndërkombëtare pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainë.


Nafta e papërpunuar Brent, e cila përdoret si pikë ndërkombëtare e referimit, më 8 mars shkoi në nën 130 dollarë për fuçi.

Në Kosovë, më 8 mars, një litër naftë është shitur për 1.68 euro, ndërkaq benzina deri në 1.67 euro, varësisht nga operatori ekonomik dhe lokacioni.

Pavarësisht çmimit, operatorët e karburanteve po kanë probleme që ta sigurojnë këtë produkt.

Fehmi Asllani, pronar i kompanisë “As-Petrol” në Komunën e Obiliqit, që 20 vjet merret me shitblerjen e karburanteve. Ai thotë se gjatë këtyre viteve, asnjëherë sikurse tash, nuk ka pasur probleme në furnizim me derivate.

Ai thotë se është kufizuar sasia e shitjes së derivateve te kompanitë që merren me transportin dhe shitjen me shumicë të këtyre produkteve në Kosovë dhe Shqipëri.

“Në njërën nga kompanitë në vend më kanë siguruar 10,000 litra naftë. Kjo është sasi e pamjaftueshme. Unë për çdo javë furnizohem me nga 35,000 litra. Importin e kam bërë nga kompanitë e Shqipërisë. Aktualisht, në rezervuar kam mbi 40,000 litra”, thekson Asllani.

Asllani shton se në pamundësi të furnizimit, edhe ai ka ndërprerë furnizimin në sasi të mëdha për kompanitë ndërtimore në Kosovë, kurse rritja e çmimit, sipas tij, ka ndikuar edhe te kërkesa për këtë produkt.

Problemin e furnizimit Asllani po mundohet që ta zgjidhë në Shqipëri, konkretisht përmes kompanisë “Gega Oil Group”.

Mirëpo, nga kjo kompani thonë se e kanë kufizuar sasinë e importit të naftës për Kosovën.

Drejtori i përgjithshëm i kompanisë, Genc Gega, thotë se deri në 4.2 milionë litra është kërkesa brenda një ditë nga operatorët ekonomikë të Kosovës, kurse aktualisht, vetëm 840,000 mijë litra po arrijë t’i shesë.

Duke u bazuar në rezervat e kësaj kompanie, e cila me derivate furnizohet nga Austria, Gega beson se edhe për dhjetë ditët e ardhshme do të mund të sigurojë sasi të kufizuar të karburanteve për Kosovën, pasi sipas tij, edhe Shqipëria po përballet me mungesë të naftës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi më 8 mars se nga lufta në Ukrainë, Shqipëria është prekur drejtpërdrejtë sikurse edhe vendet e tjera, “ndaj nevojiten përgatitje edhe për shkurtime të thella të furnizimit me energji ose naftë”.

Berjani: Naftë nuk ka sipas dëshirës

Qytetarët e Kosovës gjatë 24 orëve shpenzojnë nga 2.5 deri në 3 milionë litra derivate, thotë kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani.

Sasia më e madhe e karburanteve në Kosovë, sipas tij, vjen nga Shqipëria, pasuar nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia.

Berjani shpreh shqetësimin se në një të ardhme të afërt, në treg do ketë sasi edhe më të vogla të derivateve të naftës.

Sasia më e madhe këtij produkti në Kosovë, thotë ai, vjen nga Shqipëria, konkretisht nga kompanitë “Kastrati Group” dhe “Gega Oil Group”.

Sipas Berjanit, “Kastrati Group” ka ndërprerë furnizimin për Kosovën, por nga kjo kompani nuk i janë përgjigjur Radios Evropa e Lirë për këtë çështje.

“Furnizimet me karburante të naftës janë të kufizuara, jo sipas dëshirës. Ne po mundohemi të ruajmë klientët. Por, operatorët ekonomikë të Kosovës që importojnë nga Shqipëria, janë duke u furnizuar me një sasi të limituar. Më nuk është me rëndësi çmimi, me rëndësi është të ketë derivate”, thotë ai.

“ExFis” është një kompani tjetër në Kosovë që merret me tregtimin dhe furnizimin me produkte të naftës. Kjo kompani furnizohet nga Greqia.

Drejtori i shitjes në këtë kompani, Genc Bajrami, thotë se aktualisht në kompani ka rezerva të derivateve, por pohon se ka vështirësi për furnizim nga shtete tjera. Ai thotë se përveç nga qytetarët, kërkesa është rritur dukshëm edhe nga pronarët e pikave të tjera të shitjes.

“Ne kemi shumë partnerë që furnizohen nga ne. Momentalisht, sa i përket stoqeve, jemi mirë, por vështirësitë e furnizimit kanë filluar sepse shumë rafineri në Ballkan dhe Evropë origjinën e mallrave e kanë në Rusi”, u shpreh Bajrami.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar në Kosovë janë importuar mbi 410 milionë litra dizel. Në këtë shifër nuk janë përfshirë derivatet e benzinës.

Ndërkohë, gjiganti i energjisë “Shell” njoftoi se do t’i ndalojë të gjitha blerjet e naftës dhe gazit nga Rusia dhe se do t’i mbyllë operacionet e tjera në këtë vend.

Me këtë veprim, “Shell” u bashkohet dhjetëra kompanive të tjera, që kanë ndërprerë lidhjet me Rusinë, për shkak të pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Kompania holandeze “Shell” ka përfaqësi edhe në Republikën e Kosovës. Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë me zyrtarë të kësaj kompanie, por komunikimi me ta ka qenë i pamundur.

Me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga lëvizjet e mëdha të çmimeve dhe eliminimit të çrregullimeve në treg me naftë dhe derivate të naftës në Kosovë, Qeveria e Kosovës më 1 mars ka marrë vendim që të përcaktojë çmimet shitëse maksimale apo marzhat tregtare me shumicë dhe pakicë.

Sipas këtij vendimi, marzha më e lartë tregtare të jetë deri në 4 për qind të çmimit të shitjes, ndërkaq te shitësit me pakicë marzha më e lartë deri në 6 për qind. /rel/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi
DFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

DFC, Fondi shtetëror amerikan për zhvillim, investon në Gjirafa

Ekonomi
Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Vite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë

Botë
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Rreziku potencial nga imitimet, Perutnina Ptuj njofton për shenjat identifikuese të mishit të freskët të pulës

Ekonomi
Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Harroni stresin – Ky vend do të bëhet arratisja juaj e preferuar!

Ekonomi
Kalo në kategori