Nga: Hasan Bello
Marrëdhëniet e Fan Nolit me regjimin komunist dhe Enver Hoxhën nuk kanë qenë konstante. Megjithëse në përfundim të Luftës së Dytë Botërore ai do ta mbështesë qeverinë komuniste, me kalim e kohës mes tyre do të kristalizohen mosmarrëveshjet e para.
Kjo fillon me vajtjen e delegacionit shqiptar në ShBA të kryesuar nga Tuk Jakova, i cili për shkak të defiçencave intelektuale dhe euforisë që kishin të gjithë drejtuesit komunistë pas luftës, do të sillet shumë keq me Nolin. Për këtë arsye, me 30 shtator 1946, ai do t`i drejtoi një telegram Enver Hoxhës.
Noli zotohet se, tani për tani, nuk kishte ndërmend t`i përgjigjej publikisht letrës së lamtumirës që Tuk Jakova kishte botuar në gazetën “Dielli”, ku ndër të tjera kishte ngritur disa akuza. Kjo për shkak të rrethanave të vështira ndërkombëtare në të cilën gjendej qeveria shqiptare. Por, nga ana tjetër, ai shkruante se “nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur”.
Në fund të këtij telegrami, Noli kërkon nga Enver Hoxha që nëse Tuk Jakova nuk tërhiqte akuzat, ai do t`i konsideronte ato si qëndrim zyrtar të qeverisë shqiptare.
***
Boston, më 30 shtator 1946
Albanian Orthodox Church in America
Boston, Massachusetts
Shkëlqesisë së Tij,
Gjeneral Enver Hoxha,
Kryeministrit të Shqipërisë në Tiranë
Zoti Kryeministër,
Koloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoj në “Dielli”, 18 shtator, të mbyllur këtu brenda, më hapi luftën me disa akuza dhe insinuata të shëmtuara. Nuk munt t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua ta embarasonj guvernën në këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve që na dërguat këtë kërcu të pagdhendur.
Për të nisur, koloneli nuk di shqip, as gegërisht dhe as toskërisht. Në çdo dialekt që i flisnja ai nuk më merrte vesh nga shkaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur e pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re.
Me gjithë këtë, posa arriti në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezerva, dhe pa pritur çpërblim, as ndonjë memuriet (nëpunësi). Po ai më shikonte shtrembër, me mosbesimin instiktiv të barbarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për kolonelin, se kolonelët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij saqë ai nuk i përfillte fare.
Në pjekjen e parë biseduam mbi konferencat që do të bënim në kolonitë shqiptare. Më doli shpirti gjer sa shtruam një program, të cilën pastaj koloneli e ndronte dhe e nakatoste, duke dëgjuar mendjet e atyre që u kishte besim, të çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti. Konferencat vanë mjaft mirë sa kohë ishte këtu z. Behar Shtylla, por kur ky shkoj në Paris, pushuan menjëherë. Dihej që koloneli nuk i shijonte aspak.
Pas konferencave u hodhmë në veprimin diplomatik. E këshillova kolonelin të kërkonte menjëherë një pjekje me Sekretarin e Përgjithshëm, z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO-s, i cili është ndihmës sekretar për punët shoqërore dhe ekonomike. Po koloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi pranoj dhe e bëri kabull të shikonte profesorin.
Ky i priti mirë delegatët dhe ua rregulloj pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak minuta me dy dragomanë. Koloneli fliste shqip. Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trugve Lie-së inglisht, meqenë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy terxhumanë (përkthyes), koloneli hoqi konkluzionin grotesk që hyrja e Shqipërisë në OKB ishte punë e mbaruar; telegrafoj në Tiranë dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmin e një triumfi imagjinar. Unë isha në pragun e derës së tij, gati që t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk më kishte besim.
Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthenjës në pjekjen me delegatin amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, dhe i vazhdoj bashkëfjalimet me anë të dy dragomanëve edhe në disa raste të tjera.
Lajmin që koloneli e kishte vënë guvernën në gjumë me fjalët e bukura të Trygve Lie-së e mësova disa javë pas ngjarjes, se koloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që fjalët e ëmbla diplomatike nuk duhen marrë si sonete, po ai bënte veshin e shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita për ditët e fundme të gushtit, dy muaj më vonë.
Kur mori pyetjet nga Komisioni i anëtarësis, koloneli më bëri favorin të më pranonjë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandave, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa net.
Ditën koloneli m’i ndreqte, duke insistuar jo vetëm në esencën, por edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e traktateve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetëruar të vendimeve të Përmetit të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shkrua projekt-teksti i Traktatit të paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrisë së Jashtme në Paris. Koloneli refuzoj t’ju pyeste, se pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudita, kur mësoj më vonë që e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.
Në fund të gushtit koloneli shkoj në Washington dhe, kur u kthye në New York, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Kuq Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar vesh pastaj, koloneli u bë prap viktima e naivitetit edhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare. Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas ligjës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në Shqipëri.
Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoj “Vatra” në “Dielli” më datën 25 shtator, të mbyllur këtu brenda. Nga kjo do të merrni vesh që “Vatra” ka bërë një proponim për tretjen e plotë të dy organizatave dhe nuk ka marrë asnjë përgjigje nga “Shqipëria e Lirë”. Këtë gjë e di fare mirë koloneli, po nuk e përmendi në lamtumirën e tij. Veç kësaj, ky proponim i “Vatrës” është akoma i hapur dhe negociatat nuk janë prerë. Përse ahere koloneli i deklaroi “Vatrës” dhe mua pa pritur përfundimin e bisedimeve? Më në fund, roli i nërmjetarit (ndërmjetësit) është t’i pajtonjë të dy anët, jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklaronjë luftë anës tjatër, siç bëri koloneli.
Tani vinj në konkluzionin: Nga budallallëqet e kolonelit nuk do ta ndryshoj qëndrimin tim në teori përpara Shqipërisë dhe guvernës së saj. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën shqip, që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenëse këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër, nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë të cilët ju nuk mund t’i njihni.
Dy fjalë për marrëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaja këtu. U lodha duke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në parim pa kondita, se fundi i fundit kjo tani është vetëm një çështje pa rëndësi praktike. Pasi të lidhni marrëdhënie diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetvetiu me pak durim, dhe vetëm ahere do të hapet udha për të nisur një çështje serioze.
Një fjalë për të mbaruar. Koloneli, kur ma hapi luftën, ndofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po mileti kujtonjë që ai flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftë se nuk jini në një mendje me kolonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë akuzat që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon luftën që më deklaroi koloneli. Ashtu e do logjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr fund në praktikë.
Kam shpresë që episodi i kolonelit është vetëm makthi i një nate të keqe dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelm miqve tuaj.
Me të fala vëllazërore, mbetem,
I juaji me besë
Peshkop F. S Noli. /Abc News/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A