LAJMI I FUNDIT:

Për pesë vjet Kosova pati vetëm katër njohje ndërkombëtare

Për pesë vjet Kosova pati vetëm katër njohje ndërkombëtare

Kosova, në pesë vjetët e fundit, ka pranuar katër njohje ndërkombëtare.

E shpallur e pavarur 14 vjet më parë, Kosova është njohur nga 117 shtete në total.

Gati gjysma prej tyre e kanë njohur në vitin e shpalljes së pavarësisë, më 2008.


Nga vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e njeh ende Serbia, e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten, e as Bosnje dhe Hercegovina.

Nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.

Kjo, edhe përkundër faktit se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Mosnjohjet, në një mënyrë ose tjetër, e pengojnë Kosovën – nisur nga lëvizja e lirë deri te pranimi në organizata të ndryshme ndë rkombëtare.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë (MPJD) nuk i janë përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë rreth çështjes së lobimit për njohje.

Në ueb-faqen e kësaj ministrie, te pjesa për politikën e jashtme, shkruan se MPJD “mbetet fuqimisht e angazhuar për të lobuar për njohje ndërkombëtare nga ana e shteteve anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me qëllim të forcimit të pozicionit ndërkombëtar të Kosovës dhe për të vendosur marrëdhënie diplomatike me shumicën e shteteve anëtare të OKB-së”.

Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, më 1 shkurt, 2021. Kjo njohje ka qenë pjesë e një marrëveshjeje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Uashington, më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Para Izraelit, për gati tre vjet, Kosova nuk është njohur nga asnjë vend.

Për më tepër, ajo është përballur me fushatën e Serbisë për çnjohje. Autoritetet në Serbi kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për të tërhequr njohjet e Kosovës, në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon, Madagaskari, Togo, Republika Qendrore e Afrikës, Gana, Siera Leone e të tjera. Autoritetet e Kosovës, megjithatë, nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit ka qenë edhe një moratorium njëvjeçar mbi fushatën e Serbisë për çnjohjen e Kosovës, ashtu si edhe një moratorium njëvjeçar mbi përpjekjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Kosova “respekton” moratoriumin e Uashingtonit edhe pas skadimit

Moratoriumet kanë skaduar në shtator të vitit të kaluar dhe nuk është e qartë nëse Serbia ka rinisur fushatën e saj. Po ashtu, nuk është bërë e ditur që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në ndonjë organizatë të huaj ndërkombëtare.

Spahiu: MPJD ka stagnuar

Avni Spahiu, i cili ka shërbyer si ambasador i Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në Turqi, thotë se MPJD duhet të aktivizohet dhe të sigurojë njohje të reja për Kosovën, që do të fuqizonin subjektivitetin e saj ndërkombëtar.

“Në të kaluarën, Ministria e Jashtme ka pasur një program konkret se si t’u qasemi kërkesave për njohje të vendit, por mendoj se ka një stagnim në angazhimin e duhur të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Për fat të keq, po shihet një neglizhencë”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, fokusi duhet të jetë në pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e njohin ende Kosovën.

GLPS: Diplomaci pa strategji

Lirika Agusholli, hulumtuese në Grupin për Studime Politike dhe Juridike (GLPS), thotë se Kosovës i mungon strategjia për sigurimin e njohjeve të reja.

“Është nevojë emergjente që të përpilohet një strategji e qartë pro-aktive nga ana e MPJD-së në Kosovë. Duhet të punohet në organizime, vizita zyrtare dhe samite në vendet mosnjohëse, me qëllim të informimit për gjendjen e shtetit të Kosovës”.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, thënë shumë qartazi, ka shumë punë për të bërë në çështjen e njohjeve të legjitimitetit të shtetit të Kosovës”, thotë Agusholli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe sipas saj, Kosova duhet të ketë lobim intensiv në pesë vendet mosnjohëse të BE-së.

Kosova kërkon njohje reciproke me Serbinë

Kosova, qysh në vitin 2011, është e angazhuar në një dialog për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Dialogu ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet në Kosovë thonë se procesi duhet të përfundojë me njohje reciproke.

Megjithatë, e ardhmja e këtyre bisedimeve është e paqartë. Bartësit aktualë të dialogut, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk janë takuar qysh në korrik të vitit të kaluar.

Një nga mbështetëset më të mëdha të Serbisë në arenën  ndërkombëtare, Rusia, e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB.

Kosova nuk është ende as anëtare e Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) e të tjera.

Por, gjatë 14 vjetëve të pavarësisë, ajo ka arritur të anëtarësohet në disa organizata ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Në trend Lajme

Më shumë
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar

Lajme
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Reshjet e shiut, vërshohen disa rrugë në Prishtinë

Prishtina
Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Zbardhen detaje nga vrasja e 43-vjeçarit në Tropojë, viktima dhe autori ishin shokë

Lajme
Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Philip Reeker: Dialogu Kosovë-Serbi nuk do të jetë prioritet për administratën e Trumpit

Lajme
Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Guri për padinë e Pecit: Absolutisht e pa logjikshme, në asnjë vend nuk mundesh me padit paditësin

Lajme
Kalo në kategori