LAJMI I FUNDIT:

Të shtëna me armë në Tiranë, një i vrarë dhe katër të plagosur

Të shtëna me armë në Tiranë, një i vrarë dhe katër të plagosur

(E plotësuar) Një 35-vjeçar ka humbur jetën dhe katër të tjerë kanë mbetur të plagosur, pas përplasjes me armë zjarri këtë pasdite në Tiranë.

Përplasja e armatosur raportohet të ketë ndodhur rreth orës 16:10, në zonën e “Don Boskos”, konkretisht në ambientet e një lokali në kompleksin “Fiori di Bosco”. Dyshohet se autori ka qëlluar jashtë lokalit drejt një tavoline ku po konsumonin kafenë pesë të rinj. Një prej tyre, i identifikuar si Erion Çela, ka mbetur i vdekur në vend.

Të plagosurit janë 19-vjeçari Azbi Selimaj, i dëmtuar në shpatull, vëllai i viktimës, 28-vjeçari Blerim Çela, i plagosur në këmbë dhe fytyrë, 41-vjeçari Edmond Crroj dhe 46-vjeçari Arben Dani.


Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, që kanë rrethuar skenën e krimit. Zona, ku ka ndodhur ngjarja e rëndë është ndër më të populluar në kryeqytet. Pritet që dëshmitarët dhe kamerat e sigurisë të lokalit të ndihmojnë për identifikimin e autorit/ autorëve.

Ndërkohë, janë ngritur pika kontrolli në të gjitha pikat hyrëse-dalëse të Tiranës dhe në brendësi të lagjeve ku dyshohet se janë larguar personat, të cilët pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me një automjet tip “Mercedes-Benz”.

Që me nisjen e Vitit të Ri, nuk kanë munguar përplasjet e armatosura dhe sulmet e organizuara në vend.

Në 3 janar, 34-vjeçari Vinces Nikoll Piroli mbeti i plagosur në Shkodër, pasi u qëllua me armë zjarri.

Ai u dërgua në spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializuar, pasi ka marrë 3 plumba. Piroli, ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër-arresti ndërkombëtar, pasi akuzohej se bashkë me Dorian Lalën kishin vrarë për hakmarrje malazezin, Momçillo Gjurishiç, po ecte në këmbë tek Ura e Bunës, kur u plagos me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar.

Një tjetër incident, fatmirësisht pa të lënduar u shënua dhe në Vlorë. Në lagjen Hajro Çakërri një automjet i cili i përkiste Bernard Sinomataj, shpërtheu në vendin ku ishte parkuar, pasi iu vendos një sasi lënde shpërthyese. Automjeti ka shumë kohë i parkuar pasi pronari i mjetit prej kohësh ndodhet jashtë shtetit./tch/