LAJMI I FUNDIT:

Kosova me triumf të rëndësishëm ndaj Danimarkës

Kosova me triumf të rëndësishëm ndaj Danimarkës
(Foto: basketbolli.com)

Kosova ka shënuar fitore të madhe, duke e mundur Danimarkën 78-73 (19:18, 20:16, 22:13, 18:27), në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e FIBA Eurobasket 2025.

Fillimi i ndeshjes ishte shumë interesant, ku herë njëra kalonte në epërsi e herë tjera dhe ishte një lojë e baraspeshuar që përfundoi 19:18 për vendasit.

Dardanët vazhduan me lojë të mirë edhe në periudhën e dytë, edhe pse hasën në rezistencën e danezëve, megjithatë, me përkrahjen e tifozëve, këtë pjesë e fituan 20:16, duke shkuar në pushim me shifrat 38-33.


Dardanët vazhduan me lojë të mirë në periudhën e tretë, ku shkëlqyen, duke rritur epërsinë minute pas minute. Epërsia më e lartë ishte 58:44, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 60:46.

Epërsia u rrit edhe më shumë në çerekun e fundit, në 69:50, por danezët nuk u dorëzuan për ta ngushtuar epërsinë në 72:63, katër minuta nga fundi. Epërsia u ngushtua deri në vetëm tri pikë 76:73, megjithatë, Dardanët ishin të përqendruar në fund dhe triumfuan 78-73.

Te Kosova u dalluan Valon Bunjaku dhe Drilon Hajrizi me nga 14 pikë dhe Dardan Berisha me 16.

Kosova ka një fitore dhe një humbje, ndërsa Danimarka një humbje.

Nga karriera e bujshme deri te pensionimi – rrëfimi i Edmond Azemit
Lexo po ashtu Nga karriera e bujshme deri te pensionimi – rrëfimi i Edmond Azemit

Pensionohet Edo

Vlen të theksohet në mes pjesëve është zhvilluar ceremonia e pensionimit të kapitenit legjendar, Edmond Azemi.

Fanellën me numër 4, ia ka dhuruar Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu, ndërsa topin e nënshkruar nga basketbollistët e Kosovës, ia ka dhuruar Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili po ashtu e nënshkroi.

Kryeministrit Kurti ia ka dhuruar një fanellë me numrin 1, Kryetari Fetahu, duke e falënderuar për përkrahjen e dhënë.