LAJMI I FUNDIT:

Aktakuzë ndaj zyrtarit policor, ngacmoi gruan që raportoi një rast në Polici

Aktakuzë ndaj zyrtarit policor, ngacmoi gruan që raportoi një rast në Polici

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit P.P., për shkak të veprës penale “Ngacmimi”.

Sipas aktakuzës, më 13 shtator 2021 e deri më 14 shtator 2021, në Gjakovë, i pandehuri P.P., në vazhdimësi përfshihet në sjellje të padëshirueshme, me qëllim të ngacmimit, duke i sjellë shqetësim emocional të dëmtuarës R.S.


Rasti ka ndodhur si rrjedhojë e rastit paraprak që kishte e dëmtuara me vajzën e saj, të cilin e kishte raportuar në stacionin policorë, në cilësi të dëmtuarës, por pasi shkon në shtëpi, në telefonin e saj pranon mesazhe të ndryshme provokuese nga i pandehuri, zyrtar policor, i cili e kishte intervistuar të njëjtën.

Më pas, në orët e para të mëngjesit i pandehuri, shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, por kur sheh brenda edhe motrën e saj, thotë se ka shkuar të marr një thikë, si provë lidhur me rastin paraprak të raportuar nga e dëmtuara.

Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës kompetente, që i pandehurit  të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/