LAJMI I FUNDIT:

Kriza energjetike në botë ngre pikëpyetje mbi premtimet për energji të pastër

Kriza energjetike në botë ngre pikëpyetje mbi premtimet për energji të pastër

Muajin që vjen hapet Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike 2021, e njohur gjithashtu si COP26, ku do të përcaktohet axhenda për klimën për dekadat e ardhshme. Para takimit të nivelit të lartë, udhëheqësit perëndimorë janë përpjekur të bëjnë premtime për të arritur nivele zero të ndotjes nga karboni deri në vitin 2050.

Por disa specialistë të fushës së ekonomisë po paralajmërojnë se në valën e nxituar të premtimeve, udhëheqësit politikë po bëjnë pohime, që nuk ka gjasa të jenë në gjendje t’i mbajnë pa shkaktuar dëme të mëdha ekonomike dhe nuk po tregohen të sinqertë me votuesit për transformimin e madh që do të nevojitet, dhe kostot e mëdha që përfshijnë këto premtime, shumica e të cilave ka të ngjarë të përballohen nga taksapaguesit.

129 shtete dhe 400 qytete kanë premtuar të arrijnë shkallën zero të emetimit të ndotjeve deri në vitin 2050 ose më herët. Për të arritur qëllimet e tyre, politikëbërësit do të duhet të ndërmarrin veprime drastike, ndërsa aktivistët e aksionit për klimën shpresojnë se udhëheqësit do të pajtohen mbi planet radikale në bisedimet ndërkombëtare për klimën në Glasgow muajin e ardhshëm.


Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka thënë se do të duhet të anulohen të gjitha projektet e reja të naftës së papërpunuar, gazit natyror dhe qymyrit, nëse bota do të mbajë rritjen e temperaturës botërore brenda 2 gradë Celsius në krahasim me nivelin paraindustrial.

Shkencëtarët thonë se duhet të përmbushet qëllimi për të shmangur ndikimet më katastrofike të ngrohjes botërore.

Ekonomisti britanik Liam Halligan, mes të tjerash, ngre dyshime nëse përmbushja e objektivave ambiciozë të eliminimit të karbonit është e mundur pa dëmtuar ekonomitë, që tashmë po përpiqen të rimëkëmben pas një pandemie, që ka prishur zinxhirët e furnizimit, ka tronditur tregjet energjetike dhe ka rritur inflacionin.

“Trazirat në tregun botëror të energjisë, ndërsa rritet çmimi i naftës dhe gazit natyror, po u japin konsumatorëve dhe qeverive një shije shqetësuese të rritjes së kostos ndërsa përballen me përmbushjen e premtimeve për emetime zero të karbonit. Perëndimi do të kërkojë më shumë karburant fosil ndërsa sinjalizon ndryshime në COP26”, tha Halligan në një koment të botuar në gazetën britanike The Telegraph.

Rritja e paparë e çmimeve të energjisë vjen kryesisht nga shtimi i kërkesave të konsumatorëve për mallra, ndërsa fillon rimëkëmbja ekonomike. Por fillimi i transformimit nga qymyri dhe gazi natyror tek burimet e ripërtëritshme energjetike, po kontribuon gjithashtu, paralajmëron Halligan.

Javën e kaluar, rregullatori britanik i energjisë, Zyra e Tregjeve të Gazit dhe Energjisë Elektrike (Ofgem), tha se 23 për qind e pagesave aktuale të familjeve për energjinë elektrike shkojnë drejt kostos së tranzicionin energjetik.

Në Britani të Madhe, çmimet e energjisë elektrike gjatë gjithë shtatorit ishin tre herë më të larta se në çdo kohë në dekadën e fundit dhe familjet ka të ngjarë të shohin rritjen e kostos së përgjithshme të energjisë, përfshirë atë që paguajnë për ngrohjen me gaz natyror dhe karburantin për makinat e tyre.

Analistët po paralajmërojnë se familjet britanike do të përballen me një dimër me fatura më të larta. Industria energjetike e Britanisë së Madhe po paralajmëron gjithashtu për një rrezik në rritje të ndërprerjeve gjatë dimrit.

Spanja ka paralajmëruar Komisionin Evropian se masat për reduktimin e emetimeve “mund të mos i qëndrojnë përballë një periudhe të gjatë të çmimeve abuzive të energjisë elektrike”.

Rritja e çmimeve po ndodh në një kohë delikate për qeveritë pasi ato planifikojnë të përshpejtojnë transforminin tek energjia pa ndotje, për të cilën thonë se përfundimisht do të sjellë çmime më të lira.

Por konsumatorët dhe votuesit nuk do të shohin për shumë kohë përfitimet e energjisë më të lirë, ndërsa tani ata po përballen me kosto më të larta si rezultat i trazirave në tregun energjetik dhe në disa raste taksat ndaj karbonit dhe për energjinë e pastër.

Hartuesit e politikave përballen me një kompromis mes kostos së lartë paraprake për të vepruar shpejt drejt objektivave për emetime zero të karbonit dhe dëmit afatgjatë të rritjes ekonomike të shkaktuar nga ndryshimet klimatike, nëse vonojnë veprimet, thonë analistët.

Në fillim të këtij viti firma hulumtuese “Oxford Economics” paralajmëroi për një tranzicion të çrregullt dhe të kushtueshëm tek e ardhmja me shkallë të ulët karboni, por tha në një raport se ndikimi ekonomik i ndryshimeve të ardhshme klimatike do të ishte më i rëndë dhe do të ndikonte negativisht, dhe në disa raste katastrofik, tek jetesa në një numër të madh vendesh.

Firma kërkimore gjeti se ngrohja botërore me 3 gradë Celsius deri në vitin 2100 ka potencialin të zvogëlojë me 21 për qind nivelin e PBB-së botërore në vitin 2100.

Ndërkohë, vendet e Evropës Qendrore tashmë po i kundërshtojnë planet e Bashkimit Evropian për një sërë politikash të reja të gjelbra, të cilat do të rrisin faturat e konsumatorëve, dhe po paralajmërojnë për kujdes. Javën e kaluar, disa nga vendet më të varfra anëtare të BE-së, përfshirë Poloninë dhe Sllovakinë, kundërshtuan propozimet e paraqitura nga Komisioni Evropian për të vendosur taksa të reja mbi karburantet ndotëse dhe për të vendosur një afat deri në vitin 2035 për të ndaluar shitjen e makinave të reja me motorë me djegie të brendshme.

Çmimet e energjisë pritet të rriten më tej në BE pasi kostoja e lejeve të karbonit sipas skemës së tregtimit të emetimeve të karbonit të bllokut vazhdon të rritet. Rritja e shpejtë e kostove të energjisë po përkeqëson inflacionin në të gjithë Evropën qendrore.

Në shtator, shkalla vjetore e inflacionit në Poloni u rrit në 5.8 për qind, më e larta në dy dekada, ndërsa banka qendrore e vendit rriti javën e kaluar normat e interesit për herë të parë në nëntë vjet, një veprim që mund të vonojë rimëkëmbjen e vendit pas pandemisë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, fajësoi javën e kaluar politikat e gjelbra të BE-së për rritjen e çmimeve të energjisë.

“Parashikimet e çmimeve për të gjithë programin e gjelbër dolën se ishin gabim, dhe kjo është arsyeja pse Evropa po vuan çmimet e larta të energjisë”, tha Orban në një postim me video në faqen e tij në Facebook.

Kryeministri australian Scott Morrison, ka refuzuar të vendosë objektivat për emetime zero të karbonit apo objektiva të tjerë për ndryshimet klimatike.

Ai po shqyrton që të mos marrë pjesë në takimin ndërkombëtar për klimën COP26, thonë zyrtarët australianë. /VoA/

Në trend Ekonomi

Më shumë
Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Spitali që po thyen tabutë e trajtimit të varësive në Kosovë tani me emër dhe vizion të ri

Ekonomi

"Edhe atëherë kishte media të lira", Peci: Refuzimi i aplikimit të KB “Krusha” në kohën e PAN-it nuk ka përbërë lajm

Ekonomi
Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Numër i vogël i inspektorëve në terren, jo të gjitha bizneset po kontrollohen

Ekonomi
Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Këto janë TOP konkurset e kësaj jave

Ekonomi
Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Specialistja nga Departamentit amerikan i Tregtisë: SHBA të interesuara të thellojnë bashkëpunimin me Kosovën për energjinë e pastër

Ekonomi
Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Al Trade feston 25 vite suksese dhe shpërblen besimin tuaj!

Ekonomi
Kalo në kategori