LAJMI I FUNDIT:

Vlora 7 ditë luftë me flakët, drejtori i zjarrfikëseve: Me mbështetje të fortë ajrore do ia dalim!

Vlora 7 ditë luftë me flakët, drejtori i zjarrfikëseve: Me mbështetje të fortë ajrore do ia dalim!
Situata vijon të jetë e njëjtë edhe pse dhjetëra forca të ushtrisë janë dërguar për të ndihmuar zjarrfikësit në vatrat e zjarrit.
Ditën e djeshme u bë e mundur neutralizimi i zjarrit afër banesave te fshatit Dukat i Ri, ndërkohë që sot në lartësinë e malit të Karaburunit ku flakët janë prezente është e pamundur të ndërhyhet nga terreni ndaj kërkohet ndërhyrja nga ajri.

Vijon të jetë aktiv vatra e zjarrit mbi fshatin Tragjas, i cili është aktiv por që nuk rrezikon banesa vetëm shkurre dhe pemë. Po ashtu dhe në fshatin Kuç sipërfaqe të mëdha me shkurre vijojnë të digjen.

Drejtori i zjarrfikëseve në Bashkinë e Vlorës, Kastriot Bega u shpreh se aktualisht janë aktive vatrat e zjarrit në Karaburun dhe në malin e Tragjasit, por pavarësisht punës të madhe të bërë fikja e zjarrit është e pamundur.

“Aktualisht vatrat e zjarrit janë në Karaburun dhe ne malin e Tragjasit. Në Karaburun po punon një pjesë e mirë e Forcave të Armatosura, personeli i mbrojtjes së mjediseve, të cilët kanë bërë të pamundurën për fikjen e zjarrit. Në ndihmën tonë është edhe një helikopter i ushtrisë.


Temperaturat e larta bëjnë që zjarri të jetë i vështirë dhe të mos fiket. Prej katër muajsh nuk bien shira dhe e bën të pamundur fikjen e zjarrit. Po punohet me kapacitete maksimale, edhe pse jemi munduar është e pamundur fikja e zjarrit”,u shpreh drejtori i zjarrfikësve.

Bega tregon vështirësitë që ata kanë hasur për shkak të terrenit të vështirë: “Ne kemi arritur me shumë vështirësi, duke ikur 2 ose 3 orë në këmbë. Kemi vajtur deri në vatrën e zjarrit, por temperaturat nuk na favorizojnë”.

Zjarret janë rreth 2 ose 3 km, ndërsa zonat e banuara nuk janë të rrezikuara, sepse në shërbimin e tyre janë vendosur zjarrfikëset thotë Bega, duke shtuar më tej: “Duke pasur një mbështetje të fortë ajrore do t’ia arrijmë qëllimin e fikjes së zjarreve ne Karaburun”./TCH