LAJMI I FUNDIT:

Mospjesëmarrja e Kosovës në Forumin Ekonomik në Shkup, deklarata e Ramës dhe Vuçiqit

Mospjesëmarrja e Kosovës në Forumin Ekonomik në Shkup, deklarata e Ramës dhe Vuçiqit
Foto: Arkiv

Në Shkup po vazhdon të mbahet Forumi ekonomik rajonal me pjesëmarrjen e kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, atij të Shqipërisë, Edi Rama dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, por në këtë takim të liderëve rajonal nuk po merr pjesë edhe Kosova.

Në Forumin ekonomik në Shkup po diskutohet rreth Shengenit Ballkanik, e ku pritet t’i ndryshohet emri, por përveç Kosovës nuk po merr pjesë as Mali i Zi, e as Bosnjë dhe Hercegovina.


Lidhur me mospjesëmarrjen e këtyre shteteve në këtë forum janë deklaruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ai presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Rama tha se do të ishte kurioz të shihet se çfarë do të thonë udhëheqësit e shteteve që nuk po marrin pjesë në forum kur ndërmarrësit e tyre do të hasin në pengesa në kufi.

“Do të isha shumë kurioz që të shoh se çka do t’ju thonë ndërmarrësve udhëheqësit e vendeve që nuk janë këtu, kur kamioni i një vendi tjetër që nuk është këtu, do të duhet të ndalet në kufi, ndërsa kamioni i Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut do të udhëtojë pa ndalesa. Për këtë po flas unë”, u shpreh Rama.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk mund të vazhdojmë të lusim vendet tjera që nuk janë pjesë e këtij forumi. Mendimet e mija për Prishtinën do t’i ruaj anash në prezencë të Edit. Nuk e kuptoj se pa arsye racionale kundërshtohet kjo nismë. Nuk e kuptoj. Nuk ka arsye racionale”, tha ai.