LAJMI I FUNDIT:

“Ajo udhëhoqi ndryshimin dhe frymëzoi brezat e ardhshëm”: Rrëfimi për zonjën e parë të Egjiptit, Jehan Sadat që transformoi të drejtat e grave

“Ajo udhëhoqi ndryshimin dhe frymëzoi brezat e ardhshëm”: Rrëfimi për zonjën e parë të Egjiptit, Jehan Sadat që transformoi të drejtat e grave

Jehan Sadat po qëndronte ulur, vetëm disa metra larg burrit të saj, kur njerëzit e armatosur hapën zjarr në një paradë ushtarake në Kajro.

Sipas BBC, përcjell Telegrafi, partneri i saj i jetës – Anwar, presidenti i atëhershëm i Egjiptit – u qëllua nga disa plumba dhe vdiq dy orë më vonë në spital. Ishte 6 tetori i vitit 1981, dhe magjia e një dekade e Jehan si zonja e parë e Egjiptit ndaloi befas.

Jehan, e cila ka vdekur në moshën 88-vjeçare, kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj të përkushtuar në promovimin e drejtësisë sociale dhe fuqizimin e grave në Egjipt, dhe vazhdoi ta bënte këtë me dekada pas vrasjes së burrit të saj.


“Ajo udhëhoqi ndryshimin dhe frymëzoi brezat e ardhshëm”, thotë Noha Bakr, një profesoreshë e studimeve politike në Universitetin Amerikan të Kajros.

Një propozim i ashpër

E lindur në Kajro në vitin 1933 nga një baba egjiptian dhe nga një nënë britanike, Jehan përjetoi një edukim të larmishëm, duke festuar Krishtlindjet dhe duke ngrënë drithëra për mëngjes në vend të ushqimit të zakonshëm egjiptian që ishin fasulet; si dhe duke agjëruar me përkushtim çdo vit gjatë festës së muajit të Ramazanit.

Mos pëlqimi i saj për pabarazinë gjinore buronte nga ditët e shkollës kur ajo u këshillua nga prindërit e saj të përqendrohej në lëndë të tilla sikurse qepja dhe gatimi, në përgatitje të martesës, ndryshe nga lëndët si matematika dhe shkencat që mund ta kishin çuar dikë në një karrierë universitare.

“Gjithmonë jam penduar për atë vendim. Unë kurrë nuk do t’i lejoja vajzat e mia të mbyllnin të ardhmen e tyre në atë mënyrë”, shkroi ajo në autobiografinë e saj, “Një grua e Egjiptit”.

Për herë të parë ajo e kishte takuar burrin e saj të ardhshëm, Anwar – një ish oficer i ushtrisë – në moshën 15-vjeçare gjatë një vizite në shtëpinë e kushëririt të saj – jo shumë kohë pasi ai u la i lirë nga burgu, pasi luftoi kundër kontrollit britanik në Egjipt.

Nëna e saj në veçanti nguroi që ta lejonte martesën e vajzës së saj me një revolucionar të divocruar, gati dy herë më i madh se mosha e saj, por ai bindi atë në një bisedë rreth Charles Dickens.

“Ai është inteligjent. Ai ka karakter. Ai do të kujdeset mirë për ty. Dhe nuk do të mërzitesh kurrë”, i tha nëna e saj.

Ata u martuan në vitin 1949 dhe shijuan një martesë që zgjati më shumë se tre dekada, duke bërë katër fëmijë së bashku.

Zonja e parë në qendër të vëmendjes

Vetëm tre vjet më vonë, burri i saj u bë një emër i famshëm pas iu bashkua një grusht shteti të udhëhequr nga Gamel Abdel Nasser që dëboi nga pushteti mbretin e mbështetur nga britanikët në Egjipt, dhe ndryshoi përgjithmonë rrjedhën politike egjiptiane.

Anwar Sadat vazhdoi të merrte disa poste të nivelit të lartë, duke arritur kulmin në zgjedhjen e tij si president, pas vdekjes së Nasser në vitin 1970.

Jehan ishte e vendosur të luante një rol më aktiv se sa gratë e udhëheqësve të mëparshëm dhe shpesh fotografohej së bashku me burrin e saj në vizitat zyrtare jashtë vendit dhe në ambiente më intime, në shtëpi me familjen e tyre, raporton BBC, përcjell Telegrafi.

Dalja e parë e Jehan në shërbimin publik filloi në fund të viteve 60-ta, kur ajo u frymëzua për të ndihmuar disa gra që kishte takuar në një zonë rurale të quajtur Talla në rajonin Nile Delta, të cilat kishin nevojë për para.

Ajo krijoi një biznes që iu mundësoi atyre të bëhen të afta në qepje dhe të pavarura ekonomikisht nga burrat e tyre.

Në atë që filloi me 25 makina qepëse në një ndërtesë të braktisur, u shndërrua në një linjë prodhimi në një shkallë më të gjerë, me mbi 100 gra që bënin 4,000 uniforma në ditë për punëtorët e fabrikës.

“Ajo mbështeste projekte të vogla dhe fuqizoi ekonomikisht gratë – ajo do të bënte ekspozita për të treguar punën e tyre dhe për t’i shitur ato produkte. Ajo e kuptoi se nëse gratë janë të fuqizuara ekonomikisht, atëherë ato gjithashtu do të jenë të fuqizuara politikisht”, thotë Bakr.

“Shoqëria Talla” ishte fillimi i disa projekteve që udhëhoqi Jehan – ajo vazhdoi të formonte një program rehabilitimi të krijuar për veteranët e ushtrisë me aftësi të kufizuara dhe për civilët, dhe ngriti projekte të fëmijëve jetimë në një numër qytetesh.

Ligjet e Jehanit

Një dekadë më vonë, Jehan ndihmoi në udhëheqjen e një fushate për të reformuar ligjin e statusit të Egjiptit, që do të vazhdonte t’iu jepte grave të drejta të reja për t’u divorcuar nga burrat e tyre dhe për të fituar kujdestarinë e fëmijëve të tyre.

Në librin e saj, ajo rrëfeu vështirësitë që kishte për ta bindur Anwarin për të mbështetur reformat. “Mbi gjysma e popullsisë sonë janë gra, Anwar. Egjipti nuk do të jetë një demokraci derisa gratë të jenë të lira sikurse burrat”, i tha ajo atij. Si udhëheqës i vendit tonë, është detyra e juaj ta bëni atë të mundur”.

Pavarësisht një reagimi nga myslimanët konservatorë, në verën e vitit 1979, presidenti Sadat plotësoi dëshirën e saj dhe lëshoi dekrete që përmirësonin statusin e divorcit të grave, si dhe një ligj të dytë që cakton 30 vende në parlament për gratë. Këto masa, të cilat më vonë u miratuan përmes parlamentit, u bënë të njohura si ‘ligjet e Jehanit’.

“Veprimet dhe puna e saj ndryshuan pikëpamjet e botës për gratë arabe dhe i hapën rrugën Zonjave të Para të ardhshme të luanin një rol më aktiv në politikë”, thotë Mervat Kojok, e cila e njihte personalisht Jehanin, si kryetare e shoqatës së grave të diplomatëve egjiptianë.

Në moshën 41-vjeçare, Jehan vendosi të kthehej në shkollë dhe u regjistrua në Universitetin e Kajros për të studiuar Letërsi arabe – duke ndjekur universitetin në të njëjtën kohë me tre nga fëmijët e saj të rritur, raporton BBC, transmeton Telegrafi.

Ajo do të vazhdonte të kryente masterin dhe doktoraturën në Letërsinë Krahasuese dhe në vitet e saj të mëvonshme, mori postet e leksioneve në Kajro dhe SHBA.

Noha Bakr kujton duke parë Jehan Sadat duke mbrojtur tezën e saj, drejtpërdrejt në një TV bardh e zi, dhe tha se shumë gra – duke përfshirë edhe vetën – e panë si një shembull.

“Në fund të viteve të mia të 30-ta, unë u ktheva në universitet për të vazhduar doktoraturën pasi i kisha bërë fëmijët. Kush më frymëzoi? Ajo më frymëzoi”, tha Bakr.

E vejë në moshën 46-vjeçare

Në vitin 1978, Anwar Sadat u bë udhëheqësi i parë arab që bëri paqe me Izraelin pas një serie përpjekjesh diplomatike të ndërmjetësuara nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Jimmy Carter. Në të njëjtin vit atij dhe kryeministrit izraelit Menachem Begin iu nda së bashku Çmimi Nobel për Paqe.

Vendimi zemëroi shumë egjiptianë dhe çoi në demonstrata të dhunshme kundër tij. Edhe Jehan pranoi se ajo ishte befasuar nga lëvizja në fillim, por do të vazhdonte të mbështeste planin e tij.

“Ideja e tij për paqe erdhi si një tronditje, dhe jo vetëm për mua, por për të gjithë botën arabe”, i tha njëherë ajo Jewish Chronicle.

Dy vjet pas nënshkrimit të traktatit historik që u përshëndet ndërkombëtarisht por u dënua nga shumë prej aleatëve të tij në botën arabe, Anwar u qëllua nga një grup ekstremistësh islamikë në atë ngjarje ushtarake në Kajro që përkujtonte luftën e Egjiptit në vitin 1973 me Izraelin.

Jehan tha që ata të dy gjithmonë e dinin për rreziqet me të cilat ai përballej në nënshkrimin e marrëveshjes së paqes. Në një intervistë për BBC në vitin 2015, ajo kujton se i kishte thënë atij të vishte një jelek antiplumb, por ai nuk pranoi: “Atij nuk ia ndjente kurrë për sigurinë e tij”.

Jehan ishte vetëm 46-vjeçare kur burri i saj u vra. Ajo i kaloi vitet e saj të mbetura duke u përpjekur të ruajë trashëgiminë e tij të paqes përmes punës së saj duke ligjëruar nëpër botë.

“Paqja. Kjo fjalë, kjo ide – ky qëllim – është tema përcaktuese e jetës sime. Unë gjithmonë shpresoj dhe lutem për paqe”, shkroi ajo, 12 vjet para vdekjes së saj. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Deputeti danez i Parlamentit Evropian zgjedh një fjalë të pazakontë që t'i përgjigjet Trumpit për deklaratën e blerjes së Grenlandës

Deputeti danez i Parlamentit Evropian zgjedh një fjalë të pazakontë që t'i përgjigjet Trumpit për deklaratën e blerjes së Grenlandës

Evropa
Në maj të vitit të kaluar izraelitët njoftuan se e kanë vrarë – shfaqet në një video i “gjallë” komandanti i Hamasit

Në maj të vitit të kaluar izraelitët njoftuan se e kanë vrarë – shfaqet në një video i “gjallë” komandanti i Hamasit

Azia
Bloomberg do të financojë organin e OKB-së për klimën, pas daljes së SHBA-së nga marrëveshja e Parisit me urdhër të Trumpit

Bloomberg do të financojë organin e OKB-së për klimën, pas daljes së SHBA-së nga marrëveshja e Parisit me urdhër të Trumpit

Amerika
Nëse do të varej nga Ukraina, lufta do të përfundonte nesër, thotë ndihmësi kryesor i Zelenskyt

Nëse do të varej nga Ukraina, lufta do të përfundonte nesër, thotë ndihmësi kryesor i Zelenskyt

Evropa
Anija spiune ruse hynë në ujërat britanike, Londra zyrtare mesazh Putinit: Ne ju shohim, dimë se çfarë po bëni

Anija spiune ruse hynë në ujërat britanike, Londra zyrtare mesazh Putinit: Ne ju shohim, dimë se çfarë po bëni

Evropa
Hungaria në alarm, mbyllen 121 shkolla pas kërcënimeve me bombë - policia jep detajet e para

Hungaria në alarm, mbyllen 121 shkolla pas kërcënimeve me bombë - policia jep detajet e para

Evropa
Kalo në kategori