LAJMI I FUNDIT:

3 muaj burg ose 200 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kishte vjedhur një paletë vaj

3 muaj burg ose 200 euro gjobë për të akuzuarin që pranoi se kishte vjedhur një paletë vaj
Foto ilustruese

Me tre muaj burg dhe 200 euro gjobë është dënuar Skender Bardhecaj, i akuzuar se kishte vjedhur një palete vaj “Diamant”.

Shpallja e aktgjykimit është bërë të martën nga gjykatësi Ertan Sejfulla, pasi që paraprakisht, në seancën fillestare të mbajtur të hënën, Bardhecaj e kishte pranuar fajësinë për veprën penale të vjedhjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç tha gjykatësi Sejfullah, me pëlqimin e të akuzuarit, dënimi prej tre muaj burgim mund të zëvendësohet në dënim me gjobë me lartësi prej 200 euro.


Po ashtu, i akuzuari u obligua që të paguaj 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 30 euro në fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Sipas aktakuzës së ngritur me 2 gusht 2018, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Skender Bardhecaj akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhje” nga neni 325, paragrafi 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim deri në tre vjet.

Sipas aktakuzës, më 23 dhjetor 2017, në depon kryesore të “Migros Group” në Fushë Kosovë, Bardhcaj, i punësuar në pozitën e vozitësit, ka marrë një paletë vaj “Diamant”, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete.

Në aktin akuzues thuhet se kompanisë në fjalë i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 766.57 euro. Këtë shumë thuhet se ai e ka paguar, pasi është detyruar nga kjo kompani.