LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari: Personi që e ka vrarë Triumf Rizën ka qenë pjesëtar i grupit të Enver Sekiraqës

Dëshmitari: Personi që e ka vrarë Triumf Rizën ka qenë pjesëtar i grupit të Enver Sekiraqës

Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Blerim Shala, gjatë dëshmisë së tij në seancën e së mërkurës, ka thënë se i ndjeri Triumf Riza të vetmin problem e ka pasur me Enver Sekiraqën dhe se personi që ka vrarë Rizën ka qenë pjesëtar i grupit të Sekiraqës.

Enver Sekiraqa, në shtator 2019 ishte shpallur fajtor për nxitje në vrasjen e të ndjerit Riza, për çka ndaj tij ishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh, mirëpo në mars 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Dëshmitari Blerim Shala, fillimisht, duke u përgjigjur në pyetje të prokurorit Gecaj ka thënë se qëndron prapa deklaratave që ka dhënë më herët lidhur me këtë rast.


I njëjti ka bërë të ditur se pjesë e Policisë së Kosovës është që nga data 12 shkurt 2001, ku fillimisht kishte punuar si patrullë në stacionin numër 2, e pastaj një vit apo një vit e gjysmë kishte punuar në Njësinë Speciale, pastaj në Njësinë e Arrestimeve për gjykata, pastaj në hetime nga 22 mars i vitit 2004, ku edhe vazhdon të punoj.

Të ndjerin Triumf Riza, dëshmitari tha se e ka njohur, ku e kishte njohur nga trajnimet që kishin bërë në Vushtrri, në shkollën e policisë e që kishte qenë viti 2001, e me të ndjerin shtoi se kanë pasur raporte kolegiale, ku kanë vazhduar edhe më pas të kenë takime edhe pas kryerjes së trajnimeve.

Ai ka thënë se me të ndjerin kanë pasur takime në vazhdimësi deri më 30 gusht të vitit 2007.

Kur është kërkuar nga ana e tij të përshkruaj se çfarë personi ka qenë i ndjeri Riza, dëshmitari tha se i njëjti ka treguar shumë rezultate në punë, ka mbetur si instruktor i policisë në shkollë.

“Nuk ka pas telashe me kërkon kurrë”, ka thënë ai, ku shtoi se me të ndjerin ka pasur edhe raporte shoqërore, ku i ndjeri kishte pasur një klub të fitnesit, ku kanë ushtruar të gjithë bashkë, me një pjesë të kolegëve që kanë qenë në  Njësi Speciale.

Prokurori Gecaj ka pyetur dëshmitarin se a kanë diskutuar edhe për probleme gjatë zbatimit të detyrave të punës, nëse ka pas të tilla.

“Më ka tregu një rast Triumfi te rrethi i Flamurit që është te hyrja e spitalit, ka qenë me policë ndërkombëtarë, kanë tentu me ndal Enverin, edhe i ka kërcënu me granatë dore dhe ka ik”, ka thënë Shala.

Tutje, ai tha se ka përmendur edhe një rast diku te “Grandi”, ku i kanë prekur veturat Riza e Sekiraqa, ku sipas tij, janë aksidentuar, e pastaj Riza ka shkuar në stacionin “Qendra”, për të hap rastin, si dhe rastin e “Swiss Casinos”, ku ka ndodhur plagosja e dy palëve.

Sa i përket rastit të Swiss Casinos, dëshmitari Shala ka thënë se sa i kujtohet ka qenë nata e krishtlindjeve e vitit 2005 apo 2006.

“Ka qenë Triumfi dhe Arben Selmanaj, koleg i yni, me familje, e ka pas gruan dhe motrën, sa më kujtohet, edhe vëllain. Edhe diku në shkallë të diskotekës janë taku me Enverin me grup të tij. Agron Bytyqi e ka gjujt Arbenin me armë zjarri dhe e ka plagosur. Pastaj, kanë filluar shkëmbimet me armë zjarri aty, ku ka mbet Agroni i plagosur prej grupit të Enverit dhe Arbeni me një pjesëtar të sigurimit të diskotekës, nëse nuk gaboj e ka pas emrin Valdrin, ndërsa nofkën “Gashi”, ka thënë dëshmitari.

Sa i përket pjesëtarëve të grupit të Sekiraqës që përmendi dëshmitari, ai tha se ka qenë Agron Bytyqi dhe disa djem me nofkat “Rumi” dhe “Liza”, emrat e të cilëve nuk i kujtohen, ku të njëjtit tha se i ka njohur në bazë të rasteve që kanë pasur.

Për Arben Selmanin, dëshmitari tha se ka dhënë dorëheqje, me sa i kujtohet tre ose katër ditë pasi është vrarë Riza nga Policia e Kosovës dhe se ka shkuar në Amerikë.

Dëshmitari tha se ka pas kontakte me Selmanin pas vrasjes së Rizës,  kurse tha se dorëheqje ka dhënë për shkak të kërcënimeve që i ka pas, e në bazë të Arben Selmanit, kërcënime ka pasur nga grupi i Sekiraqës.

Ai ka thënë se ditën kur është vrarë Riza, me 30 gusht 2007, ka qenë në shtab, në komandën kryesore të policisë për të marrë disa letra, ku ka punuar edhe Riza në atë objekt.

“E kam thirr në telefon me e taku, më tha jam në punë, hajde takohemi te Grandi qaty. Pastaj, kam shkuar dhe e kam takuar aty, jemi ul, kemi bisedu, ku më ka treguar që janë duke e përcjell nonstop, qaj “Rumi” dhe “Liza”, me disa persona të tjerë që nuk po i njoh dhe ka kërkuar nga unë të jap databazën e personave të dyshimtë që i kemi pas, fotografitë e personave”, ka thënë dëshmitari Shala.

Tutje, tha se kanë shkuar bashkë në zyrë të dëshmitarit, ku Riza ka pas një USB, ku ka marrë disa fotografi të personave të dyshimtë që i kanë përngjarë që po rrin me këta të grupit.

“Patëm me dal bashkë me të me pi kafe, unë pata do punë në stacion, edhe ai ka shkuar në Dardani, edhe aty ka ndodh rasti”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se personi që është dënuar për vrasjen e Rizës, Arben Berisha ka qëndruar me “Rrumqin” dhe “Lizën”, që tani po i kujtohet se quhen Rrahim, ndërsa i “Lizës” është Ilir, ku që të dy mbiemrin e kanë Abdullahu, por sipas tij nuk kanë pasur lidhje familjare.

Ai ka thënë se i ndjeri Riza nuk ka pasur probleme me Arben Berishën kurrë, ndërkaq shtoi se ai personalisht deri në ditën kur është dorëzuar nuk e ka njohur e se ndoshta e ka njohur si person, por jo me emër.

Ndërkaq, avokatja Kosovare Kelmendi ka pyetur se a mund  të shpjegoj përse po i cilëson “grupi jonë” që kanë ushtruar bashkë fitnes, e dëshmitari tha se në bazë të kolegialitetit e se edhe tani janë të ndara grupi A, grupi B, si njësi të ndara.

“Dardanit, vetes tuaj, Arben Selmani, e Bashkim Bytyqit iu referuat si “grupi jonë”, ndërkaq ka pas edhe policë tjerë aty. Unë ju pyta përse po i referoheni grupi jonë a pse keni nejt bashkë gjatë atyre ushtrimeve apo për çfarë arsye”, ka thënë Kelmendi

E dëshmitari tha se fillimisht kanë qenë gjenerata e parë e mbrojtjes së afërt, e prej aty u ka mbetur ajo shoqëri, e avokatja Kelmendi e pyeti se a po e kupton drejtë se kur tha “grupi jonë” u referua në bazë të shoqërisë që kanë pasur mes vete.

“Grupi jonë ka qenë gjenerata e parë e mbrojtjes së afërt, që kemi fillu me punu bashkë, pastaj jemi ndarë në njësi të ndryshme. Unë me Triumfin përpos shkollës nuk kam punu bashkë, ka mbet si instruktor aty. Por, në aktivitete, në ushtrime jemi shku bashkë. Atëherë nuk e kemi njohur as Enverin as grupin e tij”, ka thënë dëshmitari Shala.

Avokatja ka pyetur dëshmitarin për grupin tjetër që përmendi “Rumi” e “Liza” dhe disa persona tjerë, që i ndjeri nuk ua ka ditur emrin, ajo ka kërkuar të informohet se a janë cilësuar edhe këta si grup pasi kanë qenë vazhdimisht bashkë apo janë shoqëruar mes vete.

“Unë i njoh prej rasteve se ky grup është marrë me aktivitete kriminale, ku shumicën e veprave të kryera nga ky grup, i kemi hetuar ne si njësi”, ka thënë Shala.

Tutje, është pyetur se në ato aktivitete kriminale a kanë vepruar si grup apo i kanë pasur si raste individualisht, e dëshmitari tha se kanë vepruar si grup.

Ai është pyetur përveç emrave që përmendi të këtij grupi, a i kujtohet ndonjë emër, e përmendi Abedin Canolli, ku shtoi se të tjerët nuk i kujtohen, e më pas nga avokatja Kelmendi u pyet a i kujtohet ndonjë nga rastet.

“Po, më kujtohet katër raste që i kam pas unë si hetues, edhe pse ka kaluar kohë e gjatë, sipërfaqësisht më kujtohen si raste. Rasti ka qenë djegia e veturës së Triumfit, granata kur i është gjuajtur restoran “Gizit”, djegia e veturës së një viktimës në Sofali ose në Taslixhe, edhe rasti i katërt nuk po më kujtohet, e di që katër raste i kam pas”, ka thënë dëshmitari Shala, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këto raste, ai deklaroi se nuk kanë mundur të sigurojnë prova konkrete që kanë mundur të dëshmojnë saktësinë se ky grup i ka kryer këto vepra penale, edhe pse kemi pasur dëshmitarë dhe deklarata të viktimave.

Kelmendi, lidhur me djegien e veturës së Rizës, që e përmendi dëshmitari, e ka pyetur të njëjtin se a i kujtohet se në kë ka shprehur dyshim i ndjeri se ja ka djeg këtë veturë, e dëshmitari tha se në Enver Sekiraqën.

“A ju kujtohet a është hetu Enver Sekiraqa lidhur me këtë vepër si i dyshuar, a është marrë në pyetje”, ka pyetur Kelmendi, e dëshmitari tha se është marrë në pyetje, por se nuk e di saktë për cilin rast.

Kurse, tha se për djegien e veturës, e di se është marrë në pyetje Agron Bytyqi, Abedin Canolli dhe “Rumi” e “Liza”, por se nuk është i sigurt.

Lidhur me hetimin ndaj Sekiraqës për këtë rast, dëshmitari ka thënë se e di që rasti në prokurori është proceduar me “NN”, edhe pse në kallëzim penal janë cek emrat e tyre si të dyshuar.

Avokatja Kelmendi ka pyetur dëshmitarin nëse ai personalisht gjatë ushtrimit të detyrës si zyrtare policor ka pasur kontakt me të akuzuarin Sekiraqa, e dëshmitari e konfirmoi se në vijën zyrtare kanë pasur kontakte si polic, por jo jashtë detyrës zyrtare të tij.

Dëshmitari deklaroi se Sekiraqën e ka ndaluar disa herë në pikë kontrolli, e Kelmendi më pas ka pyetur nëse gjatë këtyre kontrolleve kanë pasur problem me të akuzuarin gjatë ushtrimit të detyrës së tij, ku dëshmitari e mohoi këtë.

“Unë personalisht dhe njësinë time, nuk ka pasur telashe”, ka thënë Shala.

Tutje, Kelmendi ka pyetur se a ka dëgjuar për ish-kolegët e tij, Besnik Hasani, Shpend Qerimi, Bejtullah Mehmeti, të kenë pasur problem me të akuzuarin Sekiraqa, respektivisht i njohur si rasti i Ferizajit, me ç’rast sipas Kelmendit i është montuar arma dhe është rrahur për spital i akuzuari.

“Ata kurrë nuk i kam njoft asnjonin ata polic se kanë punuar në Ferizaj, përveç asaj çka kam dëgjuar në media”, tha Shala.

Dëshmitari është pyetur nga avokatja e a është në dijeni se a janë gjallë Hasani, Qerimi e Mehmeti, e i njëjti tha se nuk e di.

Tutje, përveç rasteve që përmendi dëshmitari ku ka pasur incidente mes të ndjerit dhe Sekiraqës, ai tha se nuk i ka përmendur Riza ndonjë rast tjetër.

Avokatja Kelmendi tha se në pesë deklarata tjera në polici, prokurori dhe shqyrtimet tjera, nuk e ka përmendur asnjëherë ngjarjen ku citoi deklaratën e 7 shtatorit 2007, në pyetje të hetuesve “ a mund të na tregoni çfarë probleme ka pas Triumfi me Enver Sekiraqën”, ai është përgjigjur “po, menjëherë pas lufte meqenëse se Triumfi ka qenë person i zhvilluar fizikisht, Triumfi dhe shokët e tij më kanë treguar se kishte pas një konflikt fizik me Enver Sekiraqën, me ç’rast Triumfi e kishte rrahur Enver Sekiraqën njëherë te Liqeni i Batllavës”.

Ndërkaq, lidhur me këtë dëshmitari Shala ka thënë se nuk po i kujtohet ky rast e avokatja pyeti se si është në deklaratën e tij një rast që nuk po i kujtohet e nuk është përmend nga viti 2007 për 14 vite asnjëherë.

“Nuk po më kujtohet ky rast, e di se në rrugë të Gërmisë, e kanë pas një fërrkim po jo diçka serioze”, tha dëshmitari.

Tutje, Kelmendi ka pyetur se a i kujtohet të ketë dhënë një deklaratë në gjykimin kundër Arben Berishës, ku ai ka qenë dëshmitar, e të cilat prova janë pjesë e shkresave të kësaj lënde, të cilat i ka dorëzuar prokuroria, ku gjatë shqyrtimit kryesor në atë gjykim, me datën 20 shtator 2012, ai ka deklaruar: “Në këto fotografi kam bërë identifikimin, ka qenë Ilir, Rrahim Abdullahu, Arben Berisha, Agron Bytyqi, Naser Sekiraqa, e disa të tjerë, të cilët unë nuk i kam njohur. I ndjeri Triumf nga unë ka kërkuar të bëj identifikimin e tyre”, citoi Kelmendi.

Dëshmitari tha se lidhur me këtë është bërë gabim në radhitje sepse Riza ka marrë fotografi nga databaza, ku shënohen me emra e mbiemra, pastaj pas vrasjes së Rizës, është parë që është edhe Arben Berisha aty, ku konfirmoi se ky i fundit ka qenë në databazën e policisë.

Ai tha se Berisha ka qenë i njohur për policinë për raste tjera, por se ai e as Triumf Riza nuk e kanë njohur, ku sërish më pas konfirmoi se i ndjeri i ka thënë se këta persona po e përcjellin.

Ndërkaq, tha se lidhur me përcjelljen, Riza ka pasur rastin e hapur dhe nuk ka pasur çfarë të raportoj më shumë.

Më pas, u ballafaqua nga avokatja Kelmendi, me procesverbalin e datës 26 nëntor 2018, lidhur me këtë rrethanë, ku kishte deklaruar “ Triumfi më ka thënë se po më përcjellin, e unë e kam pyet se a don me raportu, dhe ai tha jo, se ata nuk janë duke bërë asgjë, vetëm se po më ndjekin”.

Dëshmitari e konfirmoi këtë deklarim të tij, ndërkaq më pas, sa i përket dorëheqjes së Arben Selmanit nga policia dhe largimit të tij në Amerikë, dëshmitari tha se kërcënime pas vrasjes së Rizës nuk ka pasur.

“Po prej rastit të Swiss Casinos, plagosjes së tij e deri në vrasjen e Triumfit, meqenëse Arbeni  ditën kur është vrarë Triumfi ka qenë në Kroaci më pushime dhe është kthyer të nesërmen në varrim të Triumfit”, tha Shala.

Kelmendi ka pyetur se a do të thotë kjo a do të thotë se ai nuk ka shkuar në Amerikë për shkak të kërcënimeve, e dëshmitari tha “ka shku për shkak se nuk ka pas ka mo, nuk e ka ndi vetën të sigurt për shkak të kërcënimeve”.

Tutje, është pyetur dëshmitari se a është në njohuri se pas rastit të Swiss Casinos, Selmani ka dërguar njerëz te i akuzuari sipas zakoneve dhe se është arritur pajtesë mes tyre duke kërkuar falje ndaj të akuzuarit.

“Nuk jam në dijeni dhe nuk ka ndodh kurrë”, ka thënë dëshmitari, e avokatja tha se kjo ka ndodhur.

Tutje, dëshmitari ka thënë se prejse ka ndodhur vrasja e Rizës, të gjithë e kanë ditur se ka gisht Sekiraqa.

E avokatja ka pyetur se si e kanë ditur se Sekiraqa e ka organizuar apo shtyrë këtë vrasje, ajo ka kërkuar të informohet se cilat kanë qenë ato prova që i ka ditur dëshmitari e të gjithë e nuk ka qenë i përfshirë si i dyshimtë që ai të jap deklaratë me datën 7 shtator 2007, pa pasur kurrë problem me të.

“Triumfi nuk ka pasur probleme kurrë dhe të vetmin problem e ka pas me Enverin dhe personi që ka vrarë Triumfiun ka qenë pjesëtar i grupit të Enverit”, ka thënë Shala.

Tutje, Kelmendi ka pyetur se a kanë pasur prova që Enver Sekiraqa e ka organizuar apo shtyrë Arben Berishës për ta kryer këtë vrasje.

“Nuk kam qenë pjesë e hetimit në atë njësi ku është hetuar rasti, ku janë mbledh provat dhe të gjitha provat ju kanë prezantuar edhe gjykatës, edhe prokurorisë”, ka thënë Shala.

Tutje, dëshmitari tha se e di që nuk ka pasur probleme me dikë tjetër Riza pasi ka qenë me të që nga dita e parë, e se as nuk e ka njohur Riza, Sekiraqën kur ky i fundit i ka nxjerrë granatën e se me të ka pasur problem në cilësi të policit.

“Si ka mundësi që i akuzuari të mos arrestohet asnjëherë për njërin nga të gjithë këto probleme që ka pas me tani të ndjerin Triumf në vijë zyrtare”, ka pyetur Kelmendi.

“Jo, nuk jam në dijeni pse se tjetërkush është marrë me të”, ka thënë Shala.

Avokatja ka pyetur dëshmitarin se a është në dijeni se Riza ka pas problem me personin Astrit Dibra, kurse dëshmitari tha se është hera e parë që po e dëgjon këtë emër.

“A ju ka treguar i ndjeri Triumf Riza se i njëjti ka pasur problem dhe procedurë ndaj tij po ashtu zyrtarisht nga personi i quajtur Fahredin Krasniqi, për të cilin i ndjeri Triumf Riza, ka deklaruar se e ka kërcënu me vdekje”, ka pyetur Kelmendi, kurse dëshmitari ka mohuar se ka dijeni për këtë rast.

“Është hera e parë që po dëgjoj”, ka thënë dëshmitari Shala.

Ai ka thënë se  nuk ka dëgjuar se Riza ka pasur problem me personin e quajtur Tahir Fushë Kosova, ku tha se ai vet ka pasur rast me këtë person zyrtarisht dhe përleshje fizike, por jo Triumf Riza.

Ndërkaq, dëshmitari deklaroi se nuk ka njohuri lidhur me lidhjen e të ndjerit me Adelina Ismajlin, kurse tha se është në dijeni se janë njohur dhe se kanë banuar në një lagje dhe nëse nuk gabon kanë qenë edhe në shkollë bashkë, në “Xhevdet Doda”.

Avokatja Kelmendi tha se në deklaratën në polici, ku pyetja e policisë ka qenë “A e din ti çfarë lidhje ka pas Triumfi me Adelina Ismajlin dhe çfarë ju ka thënë Triumfi për këtë lidhje”, dëshmitari është përgjigjur “Unë e di se Adelina ka shku te Triumfi për të kërku ndihmë, sepse ka pas probleme me Enver Sekiraqën, këtë ma ka thënë Triumfi dhe po ashtu sipas Triumfit, i cili kishte thënë që nuk i duhej asgjë Adelina përveç që t’i ofroj mbrojtje sepse Adelina ka kërkuar mbrojtje nga Triumfi sepse ka qenë e sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga Enver Sekiraqa”.

E dëshmitari tha se kjo është e saktë, e shtoi se nuk ka shkuar ajo te Triumf Riza privatisht si polic i njohur i saj për të vazhduar me procedura policore. Kurse, tha se Ismaili nuk ka kërkuar mbrojtje nga Triumf Riza.

“Ka kërkuar lidhje për polici, për mbrojtjen e saj nga policia, mbrojtjen e policisë me pas. Unë i kam thënë Triumfit le të shkon në polici sepse rasti duhet të hapet në polici”, ka thënë Shala.

Kurse, tha se me aq e ka lënë edhe i ndjeri Riza e se i ka thënë Ismailit të shkojë në polici. Ndërkaq, avokatja pyeti dëshmitarin se a ka njohuri nëse Ismaili e ka raportuar në polici rastin për sulm fizik dhe kërcënim.

“Nuk e di që ka hap rast, në njësinë tonë jo, ndërsa për stacionet e tjera nuk e di”, ka thënë ajo.

Pyetje për dëshmitarin ka parashtruar edhe i akuzuari Sekiraqa, ai ka pyetur se të njëjtin person që i është djegur vetura në Taslixhe, i është gjuajtur bombë edhe në shtëpi.

“Po, ju ka gjuajt bomba viktimës në oborr”, ka thënë dëshmitari, kurse tha se nuk i lejohet të cek emrin e viktimës.

I akuzuari Sekiraqa, e pyeti dëshmitarin se a e di se në atë kohë ka qenë i shtrirë në QKUK në Prishtinë, në mbrojtje të policisë, ku ka qenë i plagosur, e dëshmitari e mohoi këtë.

Ndërkaq, dëshmitari tha se në rastin konkret është tërhequr viktima nga akuza, ku fillimisht kishte cekur Enver Sekiraqën me emër lidhur me rastin e pastaj është tërhequr.

“A e din ti se unë me zë dhe figurë doket njëri dhe dëgjohet, CD audio dhe video ja kam dhënë EULEX që e pranon se ka kry ato raste, prej kujt osht pague, për kerr u pague prej një personi tjetër, për tjetrën prej tjetri”, ka pyetur Sekiraqa, e dëshmitari mohoi.

Tutje, dëshmitari deklaroi se lidhur me rastin e Swiss Casinos që po i parashtroheshin pyetje nga i akuzuari nuk ka njohuri.

“A e din se kerrin tem nuk e ka rrok as Triumfi e as Fisnik Vitija, Fisniku tu u munu mem rrok mu në kerr, i ka ra Triumfit, unë shkova i lajmërova në polici”, ka pyetur Enveri Sekiraqa.

“Veç e di që Triumfi ka shku në stacionin “Qendra”, ndërsa Enveri ka shku në ish-stacionin policor në Lakrishtë”, ka thënë dëshmitari.

Gjatë rimarrjes në pyetje nga prokurori Gecaj, dëshmitari tha se Riza i ka thënë se është kërcënuar me jetë nga Enver Sekiraqa, ku tha se në Swiss Casinos e ka kërcënuar direkt.

“Saktë nuk mund ta përpiloj, por sa më kujtohet i ka thënë se kam me ta hangër kryt”, tha Shala.

Lidhur me këtë, avokatja Kelmendi e ka pyetur nëse ka pasur rast të lexoj apo të shoh deklaratën e të ndjerit në polici apo prokurori lidhur me rastin e Swiss Casionos ku nuk e ka përmend asnjëherë pjesën e kërcënimit.

Dëshmitari tha se e ka përmendur edhe më herët se nuk ka pasur qasje në rast.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë shqyrtimin gjyqësor të shtyrë e kishte mbajtur me trup gjykues të ndryshuar dhe nuk e kishte filluar rishtas. Po ashtu kjo gjykatë ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar ishte i paqartë, i pakuptueshëm dhe kontradiktor, ndërsa në arsyetim sipas Apelit nuk ishin dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qartë lidhur me faktet vendimtare, si dhe ligjshmërinë e provave të siguruara nga PTK-ja.

Prandaj, kjo gjykatë e ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë që të theksojë saktë se cilat ishin veprimet inkriminuese që i akuzuari Sekiraqa i kishte kryer apo jo në këtë çështje penale, si dhe të rivlerësoj ligjshmërinë e kontrollit të lokalit “Bar Sekiraqa”, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale në mënyrë që të vlerësoj nëse këto prova të mbledhura gjatë kontrollimit të lokalit ishin të pranueshme.

Po ashtu, kjo gjykatë kishte udhëzuar që në rigjykim të dëgjohen dëshmitarët Abedin Canolli lidhur me rolin e Sekiraqës në grupin e tij, për njerëzit që i bindeshin urdhrave të Sekiraqës dhe se si ai i ngarkonte me detyra dëshmitarët Canolli dhe Xhafer Bislimi.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2019, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Hovenier: Sistemi i drejtësisë në Kosovë ende me dënime të buta

Drejtësi
KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

KFOR-i nuk e pohon as nuk e mohon nëse policët e Kosovës hynë në Serbi

Siguri
Sërish gjenden armë dhe municion në Zveçan, arrestohet një person

Sërish gjenden armë dhe municion në Zveçan, arrestohet një person

Kronika e Zezë
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova

I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova

Lajme
Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Gazeta zvicerane citon Kurtin: Kosova të përgatitet për hakmarrje nga Serbia, s’është koha për bashkim me Shqipërinë

Lajme
Kalo në kategori