LAJMI I FUNDIT:

Inspektorët komunalë kërkojnë paga shtesë

Inspektorët komunalë kërkojnë paga shtesë

Nën organizimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kolegjiumi për Inspeksion diskutoi sfidat në fushën e inspektimit dhe problematikat aktuale në luftimin e COVID-19.

Në lidhje me angazhimin e rregullt të inspektorëve, Kolegjiumi për Inspekcion shprehu shqetësimin e tyre për mos përfshirjen e inspektorëve lokalë në pakon emergjente, e gjithë kjo duke pasur parasysh edhe nevojën për angazhimin më të madh të tyre në këtë kohë pandemie, në përballje me rrezikun gjatë zbatimit të aktiviteteve të tyre të përditshme.

Sipas njoftimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, thuhet se i gjithë ky shqetësim u tha se rrjedh si pasojë e premtimeve të mëhershme për pagat shtesë të inspektorëve komunalë, gjatë menaxhimit të pandemisë si dhe angazhimit shtesë të inspektorëve dhe ekipeve kujdestare.


“Edhe pse u shprehen se janë dërguar të gjitha listat e kërkuara nga niveli qendror një gjë e tillë nuk ka gjetur zbatim. Kolegjiumi konsideron se një padrejtësi e tillë duhet të korrigjohet dhe shtesat të kompensohen si pjesë e angazhimit në inspektime të përbashkëta në mes inspektorëve komunalë, inspektorëve të AVUK, inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Policisë së Kosovës në respektim të plotë të vendimeve të Qeverisë për luftimin e pandemisë COVID-19.

Po ashtu njëra ndër kërkesat e adresuara ishte edhe koordinimi sa më i mirë në mes të gjitha institucioneve të cilat janë bartëse për inspektim të masave anti-COVID. Drejtorët edhe një herë ngritën një numër të konsiderueshëm të vështirësive me të cilat ballafaqohen së fundi, e të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me vështirësi në koordinim me mekanizmat e tjerë sikurse është Agjensioni i Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK)”, thuhet në njoftim.

Andaj funksionalizimi i ‘Trupës Koordinuese për Inspektim’ , sipas këtij Kolegjiumi, duhet të jetë prioritet në funksion të koordinimit të aktiviteteve mes nivelit qendror dhe nivelit komunal në zbatim të masave të Qeverisë së Kosovës në betejën e përbashkët institucional antiCOVID-19.

Kolegjiumi për Inspeksion thotë se do të adresojë kërkesat e saj Qeverisë së Kosovës përmes kanaleve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe është e gatshme për bashkëpunim dhe koordinim sa më të mirë në mes të gjitha institucioneve të cilat janë bartëse në inspektim të masave anti-COVID./Telegrafi/