LAJMI I FUNDIT:

Mbyllen qendrat e votimit në mbarë territorin e Kosovës

Mbyllen qendrat e votimit në mbarë territorin e Kosovës

Qendrat e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u hapën në mënyrë të rregullt në orën 07:00, janë mbyllur në ora 19:00 në të gjithë territorin e Kosovës.

Për zgjedhjet e 14 shkurtit, të drejtë vote kanë pasur 1.794.862 persona.

Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), i cili fillon me numërimin e votave menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve, dalja në zgjedhje deri në orën 15:00 ishte 32,2 për qind apo 567 mijë e 934 e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës nga gjithsej 1.937.868 votues të regjistruar.


Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se procesi është duke vijuar normalisht dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi, transmeton Telegrafi.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e kaluara ishte 44. 56 për qind.

Linkun për të parë daljen në zgjedhje e gjeni duke klikuar KËTU.

Ndryshe, këto zgjedhje janë rezultat i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila më 21 dhjetor 2020 e rrëzoi Qeverinë e Avdullah Hotit, të zgjedhur më 3 qershor.

Gjykata tha se kjo qeveri ishte kundërkushtetuese, pasi vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë.

Vendimi i Kushtetueses përcaktoi edhe se personat e dënuar me aktgjykim të formës së prerë në një periudhë trevjeçare, të mos mund të garojnë në zgjedhje. Ky vendim ka prekur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe disa kandidatë tjerë për deputetë edhe nga parti tjera. /Telegrafi/