LAJMI I FUNDIT:

PSD aksion simbolik: Albin Kurti “riciklim i mendësisë së vjetër”

PSD aksion simbolik: Albin Kurti “riciklim i mendësisë së vjetër”

Partia Socialdemokrate (PSD) sot përmes një aksioni simbolik e ka quajtur riciklim të politikanëve të vjetër liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Aktivistë të PSD-së përmes vendosjes së disa parullave në shportat e mbeturinave me fotografinë e Kurtit, thanë se i njëjti nuk përbën politikë të re të ndryshimit, por ‘riciklim të mendësisë së vjetër”.

“Riciklimi i mbeturinave është ekonomizim e ruajtje e ambientit. Riciklimi i politikës dhe politikanëve është ruajtje e konservim i gjendjes aktuale përmes iluzionit të ndryshimit. Kohëve të fundit kemi parë njerëz me aktakuza, mbështetës e anëtarë të partive tjera që teksa kalojnë në VV iu falen e iu harrohen të gjitha veprimet. Mjafton një foto me liderin suprem dhe je i rilindur”, thuhet në komunikatën e PSD.


“Leninistë, erdoganistë, liberalë, konservatorë, pacifistë e radikalë gjejmë në aderimet që po na shitet si ndryshimi i madh. Çorbës ideologjike kapakun ia mban lideri suprem, ky riciklues i madh! Partitë e vjetra riciklojnë politika e njerëz, por ndryshimi është politikë e re dhe jo mjeshtri e riciklimit”, thuhet më tej. /Telegrafi/