LAJMI I FUNDIT:

Ardhja e mërgimtarëve, SPB Tetovë me thirrje për qytetarët

Ardhja e mërgimtarëve, SPB Tetovë me thirrje për qytetarët

Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, me ardhjen e mërgimtarëve në vend ka dalë me apel për respektim të shenjave të komunikacionit dhe vozitje të kujdesshme.

Nga SPB Tetovë thonë se me ardhjen e mërgimtarëve, frekuenca e përgjithshme në trafik është rritur ndjeshëm, jo vetëm në rrugët e Tetovës dhe Gostivarit, por edhe në autostradë dhe rrugët rajonale.

“Sektori për Punë të Brendshme Tetovë u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion, vendas dhe ‘të ardhurve’ dhe mbi të gjitha shoferëve të mjeteve motorike të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të përshtatin shpejtësinë në përputhje me kushtet e rrugës. Shoferët në këtë zonë duhet të respektojnë maksimalisht rregullat dhe dispozitat në lidhje me parkimin dhe të mos parkojnë automjetet e tyre në të ashtuquajturat rreshta të dyfishtë, sepse në atë mënyrë krijojnë konfuzione që pengojnë lëvizjen normale dhe të sigurt të pjesëmarrësve të tjerë të trafikut”.


“Sektori për Punë të Brendshme Tetovë paralajmëron se çdo mosrespektim i shenjave, rregullave dhe dispozitave do të sanksionohet ligjërisht duke përgatitur parashtresat përkatëse ose duke i larguar nga trafiku, në varësi të llojit dhe karakterit të shkeljes së kryer. Atyre që këto ditë planifikojnë të udhëtojnë në drejtim të Kodrës së Diellit ose Mavrovës këshillohen që të kenë pajisje adekuate dimërore, sepse paralajmërohen ditë me borë dhe me temperatura të ulëta”, thuhet në njoftimin e SPB Tetovë.

Ata në fund shtojnë se tashmë kanë forcuar kontrollet, masat dhe aktivitetet tjera të planifikuara për këtë periudhë të vitit./Telegrafi/