LAJMI I FUNDIT:

Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli pranohet në festivalin prestigjioz të filmit ‘Sundance Film Festival 2021’

Filmi “Zgjoi” i regjisores Blerta Basholli pranohet në festivalin prestigjioz të filmit ‘Sundance Film Festival 2021’

Filmi “Zgjoi (Hive)” i regjisores Blerta Basholli ka shënuar suksesin e parë në arenën ndërkombëtare.

Ai është pranuar për të qenë pjesë e festivalit prestigjioz botëror, “Sundance Film Festival 2021”.

Këtë lajm, e ka ndarë me ndjekësit e saj në rrjetin social Facebook vet regjisorja Basholli, e cila është ndjerë e lumtur për suksesin e filmit.


“Lajm shumë i mirë për filmin tonë ZGJOI, i cili është pranuar në konkurrencë zyrtare në Sundance Film Festival 2021, në kategorinë World Cinema Dramatic Competition! Sundance është ndër festivalet më të rëndësishme në industrinë e filmit në botë dhe jam shumë e lumtur që pas një pune të gjatë e të palodhshme të të gjithë ekipit të përfshirë në të gjitha fazat e prodhimit të filmit ZGJOI, puna po na shpërblehet. Ju falënderoj të gjithëve prej zemrës se seriozisht jam kënaqë t’u punu me secilin prej jush! Filmi është i bazuar në ngjarje të vërtetë, në tregimin e znj. Fahrije Hoti, e cila për mua është inspirim e inkurajim m’e vazhdu m’e punu, e siç thotë ajo, mos m’e shiku as mbrapa as anash. Një tregim i një gruaje që ka pësuar shumë nga lufta por, e cila me punë dhe këmbëngulje është bërë e suksesshme tani do të ketë rastin të shihet nga një audiencë e gjerë e për mua si regjisore dhe skenariste e projektit kjo është pjesa më e rëndësishme. Dua të dëgjohet ky tregim sepse gratë nga Kosova gjithmonë janë treguar të forta e të suksesshme si në luftëra, ashtu edhe pas tyre, por për fat të keq shumë pak përmenden e mbështeten. Na shkoftë mbarë rrugëtimi me Zgjoi-n! Urime”, ka shkruar Blerta Basholli në Facebook.

Një sukses i tillë ka marrë përgëzime edhe nga Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, e cila i ka dedikuar suksesit të filmit po ashtu një status në Facebook.

“Përgëzime regjisores Blerta Basholli, producentëve dhe ekipit të filmit “Zgjoi” i cili është përzgjedhur zyrtarisht në konkurencën kryesore të Sundance Film Festival, një nga tre festivalet më prestigjoze të filmit në botë. Filmi trajton temën e mbijetesës së Fahrijes e cila pas humbjes së burrit të saj gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë. “Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe ka për pjesëmarrës një kastë të mrekullueshme aktorësh. Zyrtarisht ky film është koproduksioni i parë filmik Kosovë-Zvicër. Kineastët e Kosovës po e dëshmojnë çdo ditë e më shumë se talenti i tyre depërtues është imazhi më i mirë i Kosovës në botë. Urime dhe suksese”, ka shkruar Dumoshi. /Telegrafi/