LAJMI I FUNDIT:

Nuk ndikohen nga pandemia COVID-19, diaspora vazhdon të sjell para në Shqipëri

Nuk ndikohen nga pandemia COVID-19, diaspora vazhdon të sjell para në Shqipëri

Shqipëria është ndër shtetet ku lidhja mes emigrantëve dhe familjeve të tyre nuk shkëputet edhe pse kanë kaluar 30 vite nga hapja e kufijve.

Kriza e pandemisë COVID-19 që ka goditur bizneset apo familje shqiptare por edhe hapja e ekonomisë është refletuar me një rritje të të ardhurave që dërgojnë emigramtët.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë prurjet e emrigrantëve në tremujorin e tretë arritën në 197 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2010.


Rritja e remitancave vjen pas tkurrjes së ndjeshme të tyre në tremujorin e dytë kur ata që jetojnë e punojnë jashtë dërguan vetëm 121 milionë euro.

Në nëntëmujorin e parë të vitit niveli i këtyre të ardhurave rezulton në vlerën e 470 milionë eurove, me një rënie prej 50 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tkurrja më e madhe është reflektuar në muajt prill-qershor, pasi deri në mars trendi rezultoi në rritje.

Të dhënat e bilancit të pagesave tregojnë se të ardhurat nga emigrantët vazhdojnë të mbeten një fluks i rëndësishëm financimi për ekonominë shqiptare.

Për shumë familje, këto të ardhura vlerësohet të përbëjnë burimin kryesor për përballimin e shpenzimeve të konsumit dhe të investimeve.

Gjatë dy viteve të fundit, remitancat kanë përbërë rreth 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë. /Ora News/