LAJMI I FUNDIT:

Grumbullime të njerëzve në Brezovicë pavarësisht masave kundër pandemisë

Grumbullime të njerëzve në Brezovicë pavarësisht masave kundër pandemisë

Të shtunën (12 dhjetor) qindra persona janë grumbulluar në qendrën e skijimit në Brevozicë, pa respektuar distancën fizike dhe mbajtjen e maskës mbrojtëse kundër COVID-19.

Gazetarja e Radios Evropa e Lirë, ka vizituar këto mjedise dhe ka parë shumë njerëz që frekuentonin këtë qendër të turizmit, pa respektuar masat kundër koronavirusit.

Zyrtarët policorë në Komunën e Shtërpcës thanë se kanë dërguar njësitë policore në këtë zonë, pas raportimeve për grumbullime të njerëzve.


Mbajtja e maskave mbrojtëse në ambiente të hapura është obligative në Kosovë dhe po ashtu edhe distanca fizike.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 45,594 të prekur nga sëmundja Covid-19, që shkakton coronavirusi.

Prej tyre 1,174 pacientë kanë vdekur.

Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë të premten se autoritetet shëndetësore të këtij vendi kanë vërejtur stagnim të rritjes së rasteve të infektimit në javët e fundit në Kosovë.

Megjithatë, ai ka thënë se respektimi i masave që janë në fuqi, duhet të vazhdojë patjetër dhe me intensitet të shtuar, meqë spitalet janë të mbingarkuara.

“Në ecurinë e pandemisë është vërtetuar se numri i vdekjeve mbetet i lartë edhe disa javë pas fillimit të rënies së numrit të rasteve”, ka thënë Zemaj.