LAJMI I FUNDIT:

Vjosa Osmani shkon në zgjedhje me listën e vet, përjashton bashkëpunimin me LDK-në

Vjosa Osmani shkon në zgjedhje me listën e vet, përjashton bashkëpunimin me LDK-në

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka kundërshtuar bashkëpunimin me ish-partinë e saj, LDK-në dhe partitë tjera që ajo iu ka referuar si “kapëse të shtetit”.

Osmani në intervistë për RTK-në, ka lëshuar një sërë akuzash ndaj ish partisë së saj, LDK-së.

Osmani e ka quajtur përjashtuese LDK-në, teksa i ka akuzuar edhe për mbajtje të pushtetit me zor.


“Nuk do të bashkëpunojë me parti që kanë kontribuar për kapjen e shtetit dhe që kanë ndihmuar të qëndrojnë në pushtet kapësit e shteti”, ka deklaruar Osmani.

Ndër të tjera, ajo ka paralajmëruar se do të shkojë në zgjedhje me një listë të re kandidatësh, teksa ka shtuar se po lobon në grumbullimin e votave.

Ajo ka folur edhe lidhur me një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen, duke thënë se mbetet të shihet nëse do ndodh një gjë e tillë.

Ushtruesja e detyrës së të parit të vendit ka komentuar edhe situatën e krijuar nga Gjykata Speciale, teksa ka shtuar se deklaratat politike për çështje juridike e rëndojnë gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Osmani, njësoj sikurse Vetëvendosja, ka këmbëngulur se zgjedhjet qendrore janë kura e të gjitha problemeve politike.

U.d. e presidentit Osmani ka thënë se zgjedhjet e reja do ta rregullonin edhe çështjen e presidentit.

“Unë mendoj që Kosova përmes zgjedhjeve do ketë më shumë demokraci, më shumë legjitimitet. Ai duhet të sigurohet përmes zgjedhjeve, do t’i jepte vendit tonë një mundësi më të gjerë zgjidhje. Një qeveri shumë më e fuqishme në numra dhe nuk do ballafaqohej me sfida të votimit të ligjeve, si dhe një president që ka legjitimitet më popullor dhe ka karakter më unifikues”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ajo ka folur edhe për LDK-në, duke thënë se po devijojnë vullnetin e qytetarëve, si dhe e ka potencuar se e kanë përjashtuar nga partia.