LAJMI I FUNDIT:

Delegacioni i Kosovës të mërkurën viziton lokacionin e varrezës masive në Kizhevak

Delegacioni i Kosovës të mërkurën viziton lokacionin e varrezës masive në Kizhevak

Të mërkurën e ardhshme një delegacion i Kosovës, do të vizitojë punimet në lokacionin e varrezës masive në Kizhevak të Serbisë.

Kushtrim Gara nga komisioni qeveritar, ka thënë se punimet do të vazhdojnë deri të dihet se janë kryet të gjitha punimet dhe aty nuk ka mbetje mortore.


Përndryshe, në këtë lokacion dje janë gjetur mbetje mortore. Ndërsa, punimet kanë vazhduar edhe sot.

Varreza masive në Serbi

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Sipas të dhënave të YIHR, në uebfaqen e saj ratusrbiji.rs, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës; në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore të paktën 61 trupa; afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-‘99.

Për krime lufte në Kosovës, përfshirë transferimin e trupave të shqiptarëve të vrarë në varreza masive, në Tribunalin e Hagës është dënuar ish-ndihmës i ministrit të Policisë dhe Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme të Serbisë,Vllastimir Gjorgjeviq.

Ai u dënua me 27 vjet burg. Ky dënim më vonë është ulë në 18 vjet./Telegrafi/